Ervisi e la ndërtimin pas 20 vitesh pune. Në moshën 46-vjeçare, ai thotë se arsyeja nuk ishte vetëm lodhja fizike.
“Rrogën e marrim gjysmën në dorë e gjysmën në bankë, pushime s’ka se janë të papaguara. Siguracionet janë në pagën minimale, por ajo që është më e rëndë është përbuzja që i bëhet punëtorit të ndërtimit,” – tregon ai për Faktoje.
Në dy dekada punë, Ervisi ka ndërruar disa kompani, por përfundimi është i njëjtë: “Janë të pangopur, ne marrim thërrime pavarësisht punës së vështirë.”
I ka ndjekur prej vitesh daljet publike të kryeministrit Edi Rama, i cili herë pas here del me tone të ashpra kundër ndërtuesve që shkelin ligjin. Por për Ervisin, gjithçka është “shoë politik”.
“Nuk iu hyn gjembë në këmbë atyre,” – thotë ai.
***
Këtë fillim muaji, kryeministri Edi Rama doli në një konferencë 100-minutëshe për forcimin e kontrollit të territorit dhe mbrojtjen e hapësirave publike. Pas një lumi kritikash ndaj ndërtuesve, në prani të dy ministrave që nuk morën fjalën, Rama lajmëroi një ndryshim ligjor.
“Do të propozojmë ndryshime ku shfuqizohet e drejta e parablerjes në procedurë konfiskimi dhe e drejta për kontrata me premtim shitjeje,” – deklaroi Rama.
Ndryshimet lidhen me VKM-në nr. 589/2022 dhe ligjin nr. 66/2023 duke i hequr ndërtuesve mundësinë për të blerë mbrapsht kate të paligjshme.
Me pak fjalë, ndryshimet zhbëjnë pikërisht vendimin që vetë ai miratoi tre vite më parë. Por sipas kryeministrit Rama parablerja ishte lejuar “sepse ndërtuesit ua kishin shitur njerëzve dhe shtetit nuk kishte çfarë të konfiskonte”.
Erjon Harizi nga Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë i tha Faktoje.al se ndryshimet nuk janë diskutuar me ndërtuesit.
“Nuk ka më trima që i bëjnë këto gabime” – shton ai, teksa i referohet shtesave pa leje.
Skemë përfitimi
Zef Preçi, drejtor i Institutit për Studime Ekonomike, thotë se e drejta e parablerjes nuk ishte gjë tjetër veçse legjitimim i shkeljeve të ligjit.
“Ajo justifikon evazionin, favorizon pozicionin juridik të ndërtuesve shkelës dhe mbulon korrupsionin e një ushtrie nëpunësish që kanë detyrë të licensojnë, monitorojnë, lëshojnë leje dhe të vjelin taksat publike. Abrogimi i kësaj të drejte në një terr informativ vetëm ushqen mosbesimin publik ndaj institucioneve që shpesh veprojnë në favor të lobistëve, grupeve të interesit dhe oligarkisë, jo të interesit publik.”
Vendimi për shfuqizim vjen pas akuzave të përsëritura se një grup ndërtuesish të afërt me qeverinë përfituan miliona euro nga skema e konfiskimeve. Një investigim i BIRN zbuloi se ndërtesat e sekuestruara në 2022 u rishitën me çmime rreth 10 herë më të ulëta se tregu, ndërsa ndërtuesit u amnistuan nga rreth 2 milionë euro detyrime fiskale.
“Bazuar në ekspertiza kontradiktore mbi vlerën e objekteve ato iu rishitën ndërtuesve për çmime që janë 10 herë më të ulëta se çmimet e tregut, ndryshe nga sa pretendon Rama, me justifikimin që ishin në nivel karabinaje. Për më shumë për mijëra metra katrorë pa leje, ndërtuesve përmes ligjit të posaçëm iu falën tarifat dhe taksat që paguan normalisht kur merr një leje ndërtimi dhe këto në vlerë disa milion euro,” – shpjegon për Faktoje.al gazetari i BIRN, Vladimir Karaj.
Sipas tij, vendimi për t’u dhënë ndërtuesve të drejtën e parablerjes ishte një ndërhyrje jo e nevojshme ligjore dhe kontradiktore.
“Legjislacioni penal parashikon konfiskim për ndërtimet pa leje dhe dënime për përfitimet e tilla. Ndërhyrja shtesë duket si një përpjekje për të favorizuar ndërtuesit dhe legalizuar ndërtesat. Dhe kjo ndodhi.”
Karaj thotë gjithashtu se ndërtuesit që kundërshtonin gjobat e vogla të IKMT-së pranuan VKM-në që u kushtonte miliona, duke tërhequr paditë pa filluar gjykimi.
Përfundim
Tre vite pas premtimeve për “ndëshkim shembullor” ndaj ndërtuesve, realiteti tregon një tjetër histori. Ndërsa disa ndërtues kanë përfituar nga skema e parablerjes, qytetarët e zakonshëm vazhdojnë të përballen me gjoba dhe shembje të shtesave pa leje.





