Pretendimi: Kjo video tregon një grua misterioze të ardhur nga askundi në një aeroport në ShBA

Verdikti: E pavërtetë

—————————————————–

Një video që po qarkullon në rrjete sociale pretendohet se tregon një “grua misterioze të ardhur nga askundi në aeroport (USA).” 

Përshkrimi që shoqëron videon pretendon se “oficeria e kontrollit të pasaportave nuk e kupton se çfarë pasaporte dhe çfarë gjuhe është. Gruaja misterioze nuk komunikon. Ky është momenti para se të zhdukej nga dhoma e sigurimit.”

Video tregon një grua me një veshje të gjatë dhe me mbulesë koke.

Pretendimi i mësipërm duket se është një version i riimagjinuar i “Burrit nga Taured”, një legjendë urbane dekada e vjetër që flet për një udhëtar misterioz, i cili supozohet se mbërriti në Aeroportin Haneda të Tokios në vitet 1950, me një pasaportë nga një vend joekzistent i quajtur “Taured”.

Ky rrëfim shpesh citohet si provë e universeve paralele dhe udhëtimeve ndërdimensionale.

Megjithatë, me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se pamjet janë shkëputur nga një reality show i mesit të viteve 2000.

Gruaja shfaqet në një video të botuar në YouTube nga kanali A&E më 8 nëntor 2024, me titullin: “Airline: Episodet më të mira të plota të MARATONËS 2024 | A&E.”

Airline është një serial amerikan që u transmetua për herë të parë në A&E midis viteve 2004-2005, duke ndjekur anëtarët e stafit të Southwest Airlines dhe ndërveprimet e tyre të përditshme me pasagjerët.

Gruaja e moshuar në fjalë është një pasagjere që nuk flet anglisht dhe kishte fluturuar nga Baltimore në Los Angeles. Një anëtare e stafit të linjës ajrore shihet duke u përpjekur ta ndihmojë atë.

Bazuar në pasaportën e saj, e cila nuk është në anglisht, punonjësja e identifikon atë si një folëse të arabishtes.

Punonjësja dëgjohet duke pyetur: “Arabia Saudite, ata flasin arabisht, apo jo?” 

Personeli më pas lidh pasagjeren me një punonjës tjetër që flet arabisht, dhe nipi i saj më vonë vjen për ta marrë atë.