Pretendimi: Nëse Toka do të rrotullohej, miliarda njerëz duhej të jetonin kokëposhtë natën

Verdikti: E pavërtetë

—————————————————

Konspiracionistët e Tokës së sheshtë në rrjet pretendojnë se, nëse Toka do të rrotullohej, atëherë “miliarda njerëz duhej të jetonin kokëposhtē” natën. 

Pretendimi shoqërohet me një video që, për ironi, tregon pikërisht rrotullimin e Tokës të kapur në kamera në një periudhë prej 24 orësh nga Bartosz Wojczyński. Fotografi polak realizoi këto video në Tivoli, Namibi, duke shkrepur një foto çdo minutë që më pas u përsërit 60 herë për të krijuar versionin përfundimtar 24-minutësh.

Sipas PetaPixel, kamera e Wojczyńskit ishte e lidhur me një SW Star Adventurer, një platformë gjurmimi qiellor projektuar për të ndihmuar në fotografi qiellore.

Planeti Tokë rrotullohet rreth boshtit të tij që përshkon Polin e Veriut dhe Polin e Jugut, dhe rreth Diellit siç tregohet më poshtë.

http://faktoje.al/wp-content/uploads/2025/10/ezgif-64323bfc4f5ecc.mp4

http://faktoje.al/wp-content/uploads/2025/10/ezgif-6fcb15d55f903b.mp4

Rrotullimi i Tokës rreth vetes rezulton në ditën 24 orëshe, ndërsa rrotullimi rreth Diellit në vitin 365 ditësh.

Që në vitin 499 të erës sonë, astronomi indian Aryabhata sugjeroi që Toka sferike rrotullohet rreth boshtit të saj çdo ditë dhe se lëvizja e dukshme e yjeve është një lëvizje relative e shkaktuar nga rrotullimi i Tokës.

Hapësira nuk ka Lart ose Poshtë. Pra, nuk ka një pozicion “fiks” nga i cili mund të shihet Toka.

Drejtimi Poshtë ndryshon, në varësi nga vendi ku ndodheni. Në thelb, Poshtë do të thotë “drejt fushës më të madhe gravitacionale.” Pra, në anën e kundërt të planetit, Poshtë e tyre është e kundërta e Poshtë tuaj.

Graviteti është një fenomen themelor fizik që konsiston në tërheqjen e ndërsjelltë mes gjithë objekteve që kanë masë. Megjithëse ai nuk ndikon në mënyrë domethënëse në nivelin subatomik, graviteti është forca më e rëndësishme në nivelin makroskopik, dhe përcakton lëvizjen e planeteve, yjeve, galaksive, e madje dhe dritës.

Graviteti shkaktohet nga sasi të mëdha materieje në hapësirë, kështu që gjithmonë tërheq drejt tyre. Graviteti në Tokë tërheq drejt qendrës së Tokës, e cila është në thelb e njëjta largësi pavarësisht se ku ndodhen personat në sipërfaqe.

Graviteti është arsyeja pse Toka (dhe çdo planet tjetër, yll) janë sferoide. Graviteti tërheq materien drejt qendrës.