Pretendimi: Kjo video tregon një asteroid që godet Hënën në dritën e ditës
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
———————————————————–
Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon një asteroid duke goditur sipërfaqen e Hënës gjatë ditës.

Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme është botuar fillimisht në Facebook më 20 gusht 2025 nga profili “Cosmic Adventure”, që ndan vazhdimisht video të rreme, të krijuara dixhitalisht, të trupave qiellorë, të paraqitura si objekte fantazma “misterioze” ose “të çuditshme”, që pretendohet se godasin Hënën.
Video nuk është publikuar nga asnjë prej agjencive hapësinore që monitorojnë goditjet hënore, siç është NASA. Për më tepër, siç mund të shihet në videot e publikuara nga vetë agjencia hapësinore amerikane, përplasjet e vërteta të asteroideve në Hënë janë jashtëzakonisht të shkurtra dhe përgjithësisht të dukshme vetëm si shkëndija të vogla drite.
Ngjarje të tilla janë të zakonshme në Hënë, e cila nuk ka atmosferë për ta mbrojtur atë nga mbeturinat, shpjegon NASA.
Gjatë historisë së saj 4.5 miliardë vjeçare, Hëna është goditur dhe vazhdon të goditet nga objekte qiellore përditë. Çdo ditë, rreth pesë makina e gjysmë pluhur dhe rreth “100 meteoroidë me madhësinë e një topi ping-pongu” përplasen me Hënën, rreth 33 mijë në vit. Më rrallë, meteoroidët e mëdhenj godasin Hënën. Ata që vlerësohen me diametër 2.5 metra përplasen me satelitin çdo 4 vite, duke e goditur Hënën me një forcë prej 1 mijë tonësh TNT.
Njëra anë e Hënës është e mbushur me kratere. Studiuesit e Brown University në prill 2025 gjetën se kjo ndodhi sepse një asteroid u përplas me sipërfaqen hënore rreth 4.3 miliardë vjet më parë, duke kontribuar në vullkanizmin që në atë kohë ndihmoi në formimin e Hënës siç e njohim ne sot.