.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookPaqja fiskale e qeverisë nuk do të falë të gjitha borxhet e shqiptarëve

Paqja fiskale e qeverisë nuk do të falë të gjitha borxhet e shqiptarëve

Pretendimi: Qeveria Rama papritur “fal” borxhet e shqiptarëve

Verdikti: Mungon konteksti

————————————————–

Një postim që ka marrë mbi 400 pëlqime në Facebook jep lajmin e mirë se qeveria Rama do të falë papritur borxhet e shqiptarëve.

Megjithatë, borxhliu kureshtar do të zhgënjehet kur të hapë artikullin e lidhur në komente.

Në brendinë e artikullit sqarohet se bëhet fjalë për një “reformë të thellë fiskale” të quajtur “Paqja Fiskale 2026-2029”“parashikon fshirjen e detyrimeve tatimore më të vjetra se 10 vjet, si dhe kríjimin e një skeme të re për ripagimin e borxheve më të reja, me përqíndje të reduktuara dhe kushte lehtësuese për bizneset.”

Paketa e Paqes Fiskale u prezantua nga kryeministri Rama në prill 2025 gjatë fushatës elektorale, pra vështirë se mund të thuhet që ky lajm ishte i papritur.

Ajo ishte pjesë e programit të qeverisë që u miratua në Kuvend në shtator 2025.

Siç Faktoje shpjegoi në atë kohë, nisma parashikon fshirjen e plotë të borxheve tatimore më të vjetra se 10 vite, nëse janë ende të pashlyera. Për detyrimet nga 5-10 vite parashikohet fshirje 50% e borxhit, nëse biznesi e paguan menjëherë. Ndërsa bizneset që nuk kanë mundësi për shlyerje të menjëhershme, do të ketë një marrëveshje 12 mujore dhe falja do të jetë në masën 25%. Nuk përfshihen këtu detyrimet për sigurimet shoqërore.

Ky nuk është rasti i parë që falen borxhe në periudha parazgjedhore. Që nga viti 2009, janë ndërmarrë të paktën 6 masa me karakter amnistues, të cilat përkojnë me zgjedhje vendore apo parlamentare. 

Ekspertët e ekonomisë dhe financave e kanë kritikuar ashpër nismën, duke e cilësuar si një sinjal të gabuar dhe të rrezikshëm. Ish-drejtori i Tatimeve, Artur Papajani, e quan fshirjen masive të borxheve një ndëshkim për bizneset që kanë qenë korrektë ndër vite, ndërsa audituesi ligjor Julian Saraçi shkon më tej, duke e përshkruar si një kapitullim të shtetit përballë informalitetit të toleruar. Sipas tij, kjo nuk është një marrëveshje, por një shpëlarje faji për dështimet institucionale në mbledhjen e borxheve.

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img