Kontejnerët e dyshuar me mbetje të rrezikshme, 200 metra larg nga zonat e banuara

Zona është lagunore dhe çdo rrjedhje e mundshme mund të përbëjë rrezik

124

Nga Sebi Alla – “Mbetjet janë aty në ata 102 kontejnerë të mëdhenj, as 200 metra nga banesat, në fillim reaguam, tani u mësuam me helmin”, thotë gati i dorëzuar Fatmiri, banor i Lagjes “Rinia”, një zonë urbane mes Porto Romanos industriale dhe Shën Avlashit.

Plot një vit iu desh Prokurorisë së Durrësit që të kuptonte se në Shqipëri nuk ka asnjë laborator të çertifikuar për kryerjen e analizave të 2100 ton mbetje, të dyshuara të rrezikshme.

Një ditë më parë (9 tetor), ekspertët morën kampione nga 102 kontejnerët dhe i dërguan në një laborator në Itali, duke pritur tashmë përgjigjen zyrtare.

Në një vit hetim nuk ka asnjë person të marrë nën akuzë, ndërsa denoncuesit e kësaj çështje organizatën mjedisore ndërkombëtare BAN dhe drejtorin e saj Jim Puckett, e kanë “përjashtuar” nga hetimi.  

Loja me laboratorët

Me nisjen e hetimeve në tetor të vitit të kaluar, Prokuroria e Durrësit si hap të parë i kërkoi tre institucioneve shtetërore, Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, Fakultetit të Gjeologji Minierave dhe Fakultetit të Shkencave të Natyrës që të merrnin kampionë në këto kontejnerë dhe kryenin analizat nëse mbetjet ishin toksike, apo “oksid hekuri” siç paraqitej në dokumentacion nga kompania transportuese “Sokolaj shpk”.

Reagimi

Përgjigja nuk ishte befasuese, pasi të trija këto institucione i kthyen përgjigje zyrtare Prokurorisë së Durrësit se nuk kishin as laboratorë dhe as ekspertë për kryerjen e kësaj ekspertize.

Faktoje.al, në një botim të zgjeruar disa muaj më parë ngriti pikërisht këtë shqetësim mbi mungesën e laboratorëve specifik për analizimin e mbetjeve toksike. Në Mars të këtij viti, institucioni i akuzës në Durrës shprehu optimizëm se çështjen do e zgjidhte shpejt. “Aktualisht është identifikuar laboratori që plotëson dhe ka infrastrukturën për garantimin e respektimit të të gjitha protokolleve dhe standardeve ndërkombëtare dhe shumë shpejt do procedohet me marrjen dhe analizimin e mostrave”, tha zyrtarisht Prokuroria e Durrësit.

Ecuria

Por çfarë ka ndodhur? Gjashtë muaj më vonë dorëzohet sërish dhe pas plot një viti sorollatje në kërkim të laboratorëve që nuk ekzistojnë në Shqipëri, mori vendimin që ekspertiza të kryhej në Itali.

Oksid Hekuri apo EAFD?

Organizata mjedisore ndërkombëtare “Basel Action Netëork” (BAN) me qendër në Seatle të Shteteve të Bashkuara, ngriti shqetësimin se në anijen “Molivia” të nisur nga Shqipëria më 4 korrik 2024 nëpërmjet Portit të Durrësit fshiheshin tonelata me mbetje të rrezikshme. Mbetjet dyshohet se janë marrë nga pluhuri i furnaltave të kompanisë Kurum në Elbasan e cila vepron në fushën e përpunimit të skrapit për prodhim hekuri.

BAN mori të dhëna që kjo anije bashkë me (Oksidin e Hekurit) po transportonte EAFD.

Përbërësi EAFD është material i cili vjen nga riciklimi i skrapit të çelikut dhe përmban okside metalike toksike, si (Cadmiumi dhe Kromi), të cilat konsiderohen të dëmshëm për shëndetin dhe mjedisin, çka detyroi vendin pritës Tajlandën që të kthente pas mbetjet, duke e rikthyer anijen sërish në Durrës me 28 shtator të vitit të kaluar.

Dokumentacioni

Kompania transportuese “Sokolaj shpk”, në dokumentacionin shoqërues përcaktonte se ngarkesa ishte me “Oksid Hekuri”, por dyshimet e “Basel Action Netëork”, mbesin se në kontejnerët që mbajnë 2100 ton material ka mbetje të rrezikshme EAFD.

Refuzuan denoncuesit

Drejtori Ekzekutiv i BAN, Jim Puckett erdhi në Shqipëri dhe u vetëofrua që të merrte pjesë në çdo proces të transportimit dhe analizimit të mbetjeve të dyshuara toksike, por hasi në një vështirësi të “pakalueshme”; Prokurorinë e Durrësit, ndonëse zyrtarisht u shprehën se e ftonin BAN për të paraqitur çdo dëshmi dhe dokumentacion.

“Në kuadër të këtij procedimi penal, Bazel Action Netëork dhe Mileukontakt Shqipëri, përfaqësuar nga Jim Puckett, i është drejtuar Prokurorisë Durrës nëpërmjet një emaili duke kërkuar që të pyetet si dëshmitar dhe të marrë pjesë si ekspert dhe vëzhgues gjatë procesit të marrjes së mostrave dhe analizimit”, njoftoi prokuroria, në mars të këtij viti.

Faktoje.al mëson se institucioni i akuzës ka refuzuar marrjen e dëshmisë dhe dokumentacionit që disponon BAN. “Deponimi shkresor i zotit Puckett dhe i BAN nuk është marrë në administrim nga Prokuroria e Durrësit. Pretendimi që ngritën ishte se nuk e parashikon procedura hetimore”, tha për Faktoje.al, drejtoresha ekzekutive e “Mileukontakt Albania”, Valbona Mazreku.

Mbetjet në mes të fushës

Në pjesën lindore të zonës industriale të Porto Romanos ndodhen ende 102 kontejnerët të dyshuara se mund të përmbajnë mbetje toksike.

Fillimisht ambienti është përdorur për automjetet e sekuestruara nga Policia e Durrësit, por pas vendimit për tu vendosur aty, u krye rrethimi i plotë dhe ruhet 24 orë nga një patrullë e Policisë së Shtetit.

“Kanë një vit që qëndrojnë aty, nuk dimë asgjë çfarë bëhet, problem është dhe me frikë jemi”, thotë një i ri, shitës në një market aty pranë.

Zona është lagunore dhe çdo rrjedhje e mundshme dhe dekompozim nga qëndrimi i gjatë në kontejnerë mund të përbëjë rrezik si për kontaminimin e tokës dhe ujërave nëntokësorë, por edhe drejtpërdrejtë për banorët, shtëpitë e të cilëve nuk janë më shumë se 200 metra larg. Ankthi për banorët e zonës ku ndodhen kontenierët mbetet duke pritur përgjigjen përfundimtare të analizave