Premtimi për rikonstruksionin e Pallatit të Sportit në Durrës, ende i pambajtur

Pas verifikimit të parë të “Faktoje” në vitin 2024, rikthimi ynë në terren në tetor 2025 tregon se situata mbetet e pandryshuar

64

Nga Jona Cenameri

Më 19 prill 2023, kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako premtoi rikonstruksionin e Pallatit të Sportit “Ramazan Njala”.

“Do vazhdojmë me rikonstruksionin e ‘Pallatit të Sportit,” deklaroi Sako gjatë fushatës për zgjedhjet vendore.

Në programin elektoral u publikuan edhe pamjet se si do të dukej pallati i rikonstruktuar. Sipas programit, rikonstruksioni synonte përmirësimin e godinës, kushte më të mira për sportistët dhe nxitjen e aktiviteteve të ndryshme sportive në qytet.

Të dhënat e Open Procurement tregojnë se në maj 2022 Bashkia e Durrësit hapi garën për projektin e rikonstruksionit të pallatit të sportit “Ramazan Njala”. Mirëpo, edhe pas tre vitesh nuk ka asnjë zhvillim në zbatimin e projektit.

Verifikimi në terren (tetor 2025)

Gjatë verifikimit të “Faktoje”, u konstatua se godina e Pallatit të Sportit “Ramazan Njala” vijon të jetë e amortizuar. Në ambientet e brendshme, sportistët stërviten në kushtet ekzistuese, pa ndërhyrje rikonstruktive thelbësore.

Drejtori i sapoemëruar i Pallatit të Sportit konfirmoi për “Faktoje” se aktualisht po bëhen vetëm disa rregullime të vogla, por jo rikonstruksion:

“Sapo kam marrë detyrën. Po bëjmë disa rregullime të brendshme, por jo rikonstruksion dhe nuk kam asnjë informacion për fillimin e tij,” tha ai.

Sipas tij, aktivitetet sportive zhvillohen normalisht, por për arsye teknike, (kujdesi ndaj parketeve) nuk na u lejua hyrja në brendësi të godinës.

Një banor i zonës tha për “Faktoje” se në pjesën e jashtme të godinës flenë të pastrehë. Në terren u konstatuan batanije, kartona dhe sende personale, ndërsa në shkallët e jashtme të platesë A dhe B ndihej erë e rëndë, si në një banjo publike.

Përgjigjja e Bashkisë Durrës

Në kërkesën për informacion që “Faktoje” i drejtoi Bashkisë së Durrësit, institucioni konfirmon se punimet nuk kanë filluar ende.

“Punimet në Pallatin e Sportit ‘Ramazan Njala’ nuk kanë filluar ende,” thuhet në përgjigjen zyrtare të Bashkisë.

Po ashtu, e pyetëm: “A i ka gjetur Bashkia e Durrësit fondet për rikonstruksionin e këtij pallati sporti?”, por nuk morëm asnjë përgjigje.

Në një kërkesë të mëparshme për informacion, një vit më parë, Bashkia sqaroi se ekziston një projekt i realizuar nga një studio projektuese, por punimet nuk kanë filluar; vlera sipas projektit është 815,310,945.6 lekë (totali me TVSH + pajisje).

Sipas saj, parashikohet një ndërhyrje tërësore sipas standardeve të MASR dhe atyre ndërkombëtare, por pa një datë nisjeje; nëse projekti zbatohet, punimet parashikohen të mbyllen brenda 1 viti.

Verifikimi i parë (2024)

Në qershor 2024, “Faktoje” publikoi një artikull verifikues mbi këtë premtim, duke konstatuar se deri atëherë ishte realizuar vetëm projekti, por asnjë punim nuk kishte nisur ende. Verifikimi i dytë në tetor 2025 tregon se situata mbetet e njëjtë.

Përfundimi

Pas më shumë se tre vitesh nga hapja e garës për projektin dhe më shumë se dy vjet nga premtimi publik i kryebashkiakes Sako, rikonstruksioni i Pallatit të Sportit “Ramazan Njala” nuk ka nisur ende. Duke u bazuar në përgjigjen zyrtare të Bashkisë, deklaratën e drejtorit të pallatit të sportit dhe verifikimin në terren, “Faktoje” e kategorizon premtimin për rikonstruksionin e Pallatit të Sportit “Ramazan Njala” si të pambajtur.

Faktoje, e mbështetur nga National Endoëment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.