Esmeralda Topi
Gjatë fushatës për zgjedhjet vendore në maj të vitit 2023, Benet Beci kandidati socialist për Bashkinë e Shkodrës, spikati për fushatën e tij teknike, duke i paraqitur elektoratit program të detajuar për qytetin veriperëndimor.
Pjesë e këtij programi, ishte dhe ndërtimi i muzeut të lundrimit në hyrje të qytetit, bashkë me disa projekte të tjera të grupuara si ‘Poli i hyrjes së qytetit’.
Pas një vit e gjysmë në krye të drejtimit të Shkodrës, kryebashkiaku Beci lajmëroi nisjen e punimeve për muzeun e lundrimit në hyrje të qytetit.
“Edhe një lajm tjetër i mirë: merr rrugën e tij tashmë ndërtimi i Muzeut të Lundrimit në hyrje të Shkodrës”, pohonte Beci nëntorin e kaluar.
Projekti me vlerë 2,4 milionë euro është financim i Bashkimit Evropian përmes Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Përmes këtij investimi, bashkia e Shkodrës synon t’i japë hov turizmit kulturor.
“Puna po vijon me ritme të shpejta për t’i dhënë qytetit një hapësirë unike kushtuar trashëgimisë dhe historisë së tij, e lidhur ngushtë me lundrimin në liqen dhe lumenjtë që e rrethojnë”, shkruante Beci në maj të këtij viti.
Ecuria e punimeve
Përmes një kërkese për informacion, Faktoje pyeti Bashkinë e Shkodrës mbi ecurinë e punimeve në “Muzeun e Lundrimit”. Bashkia na delegoi tek Fondi Shqiptar i Zhvillimit, si njësi zbatuese e këtij projekti.
Sipas FSHZH-së, projekti për rikualifikimin e bregut perëndimor të liqenit të Shkodrës, pritet të përfundojë në qershor të vitit të ardhshëm.
“Pas përfundimit të punimeve, Bashkia Shkodër do të marrë në dorëzim objektin e ri dhe do të ndjekë funksionalitetin dhe mirëmbajtjen e tij”, pohon Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Më 12 shtator, një ekip i Faktoje udhëtoi drejt qytetit veriperëndimor për të parë nga afër ecurinë e punimeve.

Atë të premte, në kantierin pranë Urës së Bunës punohej me mjete të tonazhit të rëndë. Dhjetëra punonjës po i jepnin formën e parë ‘Muzeut të Lundrimit’.


Çfarë parashikon projekti?
Muzeu i lundrimit në Shkodër, sipas pamjeve 3D të publikuara nga kryebashkiaku Beci, formohet nga dy pjesë të vendosura njëra mbi tjetrën; një formë kodre në pjesën e poshtme dhe “varka pluskuese” në pjesën e sipërme.

Identiteti pamor i muzeut bazohet në siluetën e ndërtesës që në të njëjtën kohë mund të interpretohet si një varkë tradicionale që po lundron në ujërat rreth Shkodrës.
Muzeu do të ketë një ekspozitë të përhershme, një kënd për fëmijë, një laborator për rikrijimin e varkave dhe një dhomë edukative.



Ekspozitat bazohen në paraqitjen e artifakteve, fotografive, modeleve, replikave dhe dokumenteve që mund të komunikojnë me vizitorin pa pasur nevojë për shumë shpjegime.

Mënyra klasike e komunikimit plotësohet me teknologjinë moderne për të krijuar një lidhje me sistemet e komunikimit të shek. XXI si interneti, mediat sociale dhe realiteti virtual.
Përfundim
Nisur nga verifikimi në terren dhe informacionet e mbledhura, premtimi i kryebashkiakut Benet Beci për ndërtimin e një muzeu lundrues në Shkodër, deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, mbetet pjesërisht i mbajtur.
Faktoje.al, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.