.

.

BallinaFaktometerE PavërtetëShqipëria pranohet zyrtarisht në SEPA

Shqipëria pranohet zyrtarisht në SEPA

Shqipëria u pranua në zonën e vetme të pagesave në euro (SEPA) këtë nëntor. Vendimi i Këshillit Europian të Pagesave pritet të sjellë lehtësi në pagesat ndërkufitare në euro – me kosto të ulta dhe kohë më të shpejtë. Kryeministri Edi Rama tha se përfitimet nisin nga 1 janari 2025, por verifikimet tregojnë se vënia në zbatim e SEPA-s kërkon më shumë kohë.

Esmeralda Topi

Më 21 nëntor, Shqipëria u pranua në zonën e vetme të pagesave në euro (SEPA). Sistemi i pagesave të Bashkimit Evropian siguron pagesa në Euro me të njëjtën kosto dhe lehtësi si brenda një vendi, ashtu edhe midis vendeve të BE-së.

Puna për anëtarësimin e Shqipërisë në SEPA ka nisur që prej vitit 2021. Por vendimi i Këshillit Europian të Pagesave u zyrtarizua pesë muaj pasi Shqipëria dërgoi aplikimin formal.

“Shqipëria, nën drejtimin e Bankës së Shqipërisë, është angazhuar në përpjekje të konsiderueshme për përfarimin e rregulloreve dhe sistemeve kombëtare të pagesave me standardet e Bashkimit Evropian, duke u bërë pjesë e grupit të parë të vendeve të Ballkanit Perëndimor që i bashkohen zonës gjeografike SEPA, si parakusht për hyrjen në BE.”, shkruhet në njoftimin e Këshillit Evropian të Pagesave, më 21 nëntor.

Fakt

‘Shqipëria u bë sot pjesë e sistemit unik europian të pagesave, që do të thotë se të gjitha dërgesat e parave të shqiptarëve nga Europa në Shqipëri apo anasjelltas, nuk do të kenë më kosto financiare duke nisur nga 1 janari 2025.’- shkruante kryeministri Edi Rama, ditën kur Shqipëria zyrtarizoi anëtarësimin në SEPA.

Për ironi, reagimin e tij në rrjete sociale Rama e shoqëronte me njoftimin e Këshillit Evropian të Pagesave që ndante tjetër afat. Përfitimet nga SEPA do të nisin nga prilli i vitit të ardhshëm- bënte të ditur Këshilli Evropian i Pagesave.

“Aderimi i institucioneve financiare shqiptare në skemat e pagesave SEPA, sipas kalendarit të KEP-it, do të mundësohet duke nisur nga muaji prill 2025, ndërsa KEP-i do të komunikojë në një moment të dytë datën e gatishmërisë operacionale (ORD) për ofruesit e shërbimeve të pagesave (OShP) që operojnë në Shqipëri.”, sqaron Këshilli Evropian i Pagesave.

Profesor Elvin Meka, shton se përfitimet konkrete mund të kërkojnë edhe më shumë kohë.

“Kjo sepse varet nga gatishmëria teknike e çdo operatori. Duhen bërë investime dhe duhet ndërfaqe. Pra çështje teknike. Kush është gati në prill thjesht pret të hapet drita jeshile” – argumenton Meka.

Ofruesit e shërbimeve të pagesave në Shqipëri do të kenë mundësi të aderojnë në skemat e ndryshme të SEPA-s, pasi institucionet tregtare individuale të aderojnë në skemë si pjesë e një procesi të veçantë të menaxhuar nga Këshilli Evropian i Pagesave.

Ky hap çel udhën për lehtësimin e transfertave financiare në euro dhe uljen e kostos së këtyre transaksioneve midis Shqipërisë dhe anëtarëve të tjerë të SEPA-s.

Çfarë përfitojmë?

Këshilli Evropian i Pagesave (EPC) është një shoqatë ndërkombëtare e pavarur, e përbërë nga 81 anëtarë që janë ofrues të shërbimeve të pagesave. Këshilli u krijua në vitin 2002 nga industria bankare evropiane për zhvillimin e instrumente evropiane për pagesat elektronike në euro. Sot në SEPA marrin pjesë rreth 4.000 banka dhe ofrues të tjerë të shërbimeve të pagesave.

Anëtarësimi i Shqipërisë në SEPA pritet të sjellë lehtësi në pagesat ndërkufitate në euro, me kosto më të ulta dhe kohë më të shpejtë.

“Ulja e kostove është përfitimi i parë, më i prekshëm dhe i matshëm për të gjithë qytetarët dhe bizneset shqiptare. E thënë më thjesht, përmes SEPA-s, qytetarët dhe bizneset shqiptare do të kryejnë pagesa dhe transferta ndërkufitare sikur të ishin qytetarë të Bashkimit Evropian dhe anasjelltas.”- deklaroi guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.

Banka e Shqipërisë vlerëson se nëpërmjet SEPA-s, kostoja e pagesave ndërkufitare në Euro me vendet anëtare të skemës do të jetë minimalisht 5 herë më e ulët. 

“Sipas vlerësimeve tona paraprake, kursimi për ekonominë shqiptare mund të jetë të paktën 20 milionë euro në vitin e parë, për t’u rritur në mënyrë progresive në vijim. Njëkohësisht, ulet koha e kryerjes së pagesave dhe rritet konkurrenca nëpërmjet prezantimit të produkteve dhe shërbimeve moderne dhe të sigurta.” – argumentoi më tej Sejko.

Në të njëjtën linjë janë edhe ekspertë të njohur të tregjeve financiare.

“Përfitimet janë dy: transaksione të shpejta nga disa sekonda në brenda ditës dhe kosto shumë të ulta nga zero në pak euro”, shpjegon profesor Elvin Meka.

Përfundim

Nisur nga verifikimi i kryer, deklaratën e kryeministrit Rama se ‘‘se të gjitha dërgesat e parave të shqiptarëve nga Europa në Shqipëri apo anasjelltas, nuk do të kenë më kosto financiare duke nisur nga 1 janari 2025’ e kategorizojmë të pavërtetë.

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Esmeralda Topi është redaktore pranë qendrës Faktoje prej vitit 2022. Ajo ka punuar si gazetare ekonomie që nga viti 2010, në televizion, shtypin e shkruar dhe atë online. Esmeralda ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për “Gazetari”. Në të njëjtin fakultet ajo ka kryer edhe studimet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img