Nga 1 janari 2025, pensionistët e Tiranës do të udhëtojnë falas në linjat e transportit urban në kryeqytet. Për të përfituar ‘abonenë e pensionistit’, të moshuarit duhet të paraqiten pranë njësisë administrative për të bërë regjistrimin. Më pas, qytetarët e regjistruar në portalin e përfitimit të ‘Abonesë së Pensionistit’ duhet të paraqiten çdo fund muaji për të përfituar abonenë e pensionistit për muajin pasardhës në pikat përkatëse të shpërndarjes. Ata duhet të kenë me vete kartën e identitetit dhe foto.  

Në gusht të këtij viti, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj bëri të ditur se duke nisur nga janari i vitit 2025 pensionistët e qytetit të Tiranës do të mund të udhëtojnë falas në linjat e transportit urban në kryeqytet.

“Lajmi i mirë për pensionistët është se nga 1 Janari ne do të subvencionojmë transportin publik për ta. E kuptoj që inflacioni, çmimet janë një stres për pensionistët dhe teksa qeveria po mendon për rritjen e pensioneve, bashkia do të japë kontributin e saj, duke e bërë udhëtimin falas, nga 1 janari 2025, për të gjithë pensionistët e qytetit të Tiranës”, deklaroi Veliaj më 22 gusht.

Pensionistë të ndryshëm i thanë Faktoje.al se janë të kënaqur me nismën, por theksojnë se ende nuk e kanë të qartë si do veprojnë për të përfituar abonenë falas.

“Shumë mirë që po e bëjnë, sepse na ndihmon pak ne si pensionistë për aq sa lëvizim, sepse nuk ndodh që të dalim çdo ditë. Por dihet se me pensionet në Shqipëri vështirë të jetosh dhe shyqyr që mendojnë për ne ndonjëherë. Kam dëgjuar që nga 1 janari do udhëtojmë falas, por si do e marrim atë abonenë nuk jam e qartë”, thotë Lavdie Hysollari, pensioniste.

Si mund ta përfitojnë pensionistët abonenë falas?

Faktoje.al iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë së Tiranës, për të mësuar më tepër se si do të veprojnë pensionistët për ta përfituar abonenë falas.

“Bashkia e Tiranës së fundmi ka prezantuar dhe miratuar skemën e re të aboneve falas për pensionistët. Kjo nismë për subvencionimin 100% të biletës së abonesë përfshin të gjithë personat banues në Bashkinë e Tiranës, konkretisht femrat, që kanë mbushur moshën 60 vjeç dhe meshkujt të cilët kanë mbushur moshën 65 vjeç”, argumenton Bashkia e Tiranës në përgjigjen zyrtare.

Ky institucion sqaron se qytetarët duhet të regjistrohen pranë njësive administrative ku banojnë, në mënyrë që të marrin abonenë falas.

“Qyetarët kanë filluar të paraqiten pranë njësive adminstrative respektive, ku banojnë duke filluar nga data 16.12.2024 me qëllim regjistrimin në portalin e përfitimit të së drejtës me Abone Pensionisti dhe më pas vijimin e procedurës përkatëse. Duke nisur nga 1 janari i vitit 2025, pensionistët do të udhëtojnë falas në të gjitha linjat e transportit qytetës”, theksohet në përgjigjen zyrtare.

Sipas Bashkisë së Tiranës, pajisja me bileta të pajtimit mujor (Abone Pensionisti) të përgjithshme me të drejtë udhëtimi në linjat qytetase do kryhet në këtë mënyrë: “Qytetarët paraqiten pranë njësive adminstrative respektive ku banojnë me kartën e identitetit me qëllim regjistrimin në portalin e përfitimit të së drejtës me Abone Pensionisti; Qytetarët tashmë të regjistruar në portalin e përfitimit të Abonesë së Pensionistit duhet të paraqiten çdo fund muaji për të përfituar abonenë e pensionistit për muajin pasardhës në pikat përkatëse të shpërndarjes me kartën e identitetit dhe foto; Pajisja e qytetarëve përfitues me Abone Pensionisti, pranë pikave të shpërndarjes së aboneve të pensionistit bëhet e shoqëruar me foto dhe plotësohet me emrin dhe mbiemrin e mbajtësit”.

“Aboneja e pensionistit të shtrihet edhe në bashkitë e tjera”

Dashnor Memaj, kreu i shoqatës së Transportit Urban thekson se janari është një muaj testi për të parë ndikimin financiar që do të ketë nisma për operatorët e transportit urban.

“Natyrisht që politikat sociale për qytetarët janë të mirëpritura nga operatorët, por për ne është muaj testi për të parë le të themi si do të funksionojë dhe sa do të jetë efekti ekonomik. Duke qenë se edhe studentët janë me abone të subvencionuar nga Bashkia, duhet të gjendet një formulë po themi që operatorët të paguhen për km dhe të gjithë qytetarët e tjerë të lëvizin falas dhe pagesa nga institucionet të jetë për km të përshkruar”, argumenton Memaj.

Ai sugjeron se këto politika sociale duhet të shtrihen edhe në bashki të tjera për pensionistët.

“Do të ishte më e drejtë që çdo politikë sociale të shtrihej në çdo bashki ku ka transport publik urban, sepse këta të tjerët ndihen të diskriminuar, pasi edhe në autobusët që operojnë në Bashkinë Tiranë do të duhet të paguajnë biletën njëpërdorimshe të gjithë ata pensionistë që nuk janë banorë të Bashkisë Tiranë”, thotë kreu i shoqatës së Transportit Urban, Dashnor Memaj.

Artikulli paraprakE manipuluar video ku Zelensky bie në gjunjë para Donald Trump
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.