Pretendimi: Presidenti Biden u hutua gjatë ceremonisë në Francë dhe tentoi të ulej në skenë
Verdikti: Mungon konteksti
Në mediat online në vendin tonë ka qarkulluar masivisht një video ku pretendohet se presidenti amerikan, Joe Biden u përpoq të ulej në një “karrige imagjinare” gjatë ceremonisë përkujtimore të D-Day në Francë.
Sipas këtyre pretendimeve, ai tentoi të ulej disa herë duke u përkulur, derisa më në fund e kuptoi se nuk kishte karrige dhe i duhej të qëndronte në këmbë.
“Biden hutohet, tenton të ulet në një karrige imagjinare”-shkruajnë portalet.
Artikujt e shpërndarë në portale
Në këtë video shfaqet Biden, duke qëndruar mes Zonjës së Parë, Jill Biden dhe presidentit francez Emmanuel Macron dhe zonjës së tij, Brigitte Macron.
Presidenti Biden po merrte pjesë në nderimet me rastin e 80-vjetorit të Ditës të Zbarkimit të Aleatëve për të çliruar Francën nga nazistët në Luftën e Dytë Botërore.
Ne vendosëm të bëjmë një verifikim të këtyre pretendimeve, fillimisht duke kërkuar pamjet e plota nga ceremonia që u mbajt në Francë. Nga video origjinale shihet që pas Biden është vërtetë një karrige dhe se formati i shkurtër i shfaqur në mediat online është prerë para se presidenti të ulet.
Në video, Biden dhe presidenti francez Emmanuel Macron shtrëngojnë duart, ndërsa qëndrojnë mes zonjave të para Jill Biden dhe Brigitte Macron. Presidenti më pas përkulet dhe rri gati për t’u ulur ndërsa Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin paraqitet si folësi i radhës.
Përdorues të mediave sociale shpërndanë videon e modifikuar për t’i dhënë më tepër zë teorive konspirative se presidenti Biden është i dobët dhe i paaftë për të udhëhequr kombin përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.
Gjithashtu, fotot nga eventi tregojnë 81-vjeçarin Biden të ulur në karrige. Karrigia e Biden është e dukshme gjatë gjithë videos, megjithëse në disa pjesë është pak më në errësirë.
Këto pretendime janë verifikuar si të rreme edhe nga kolegët e AFP.