.

.

BallinaFaktometerGjysmë e vërtetë40,000 banorë të Unazës së Myzeqesë në terr – si u zbatua përgjysmë projekti i Rilindjes Rurale

40,000 banorë të Unazës së Myzeqesë në terr – si u zbatua përgjysmë projekti i Rilindjes Rurale

Një nga premtimet dhe projektet e nisura gjatë këtij mandati qeverisës të Bashkisë Lushnje ishte ndërtimi i unazës së madhe të Myzeqesë. Nga verifikimi i Faktoje rezulton se projekti është bërë në shkelje të plotë të afateve të punimeve dhe me standarde të dyfishta në zbatimin e projektit, duke lënë mbi 40,000 banorë “në rrugë” e pa ndriçim.

Jona Plumbi

Në vitin 2018 projekti për ndërtimin e unazës së Myzeqesë në Lushnje u përfshi në projektin e Rilindjes Rurale të qeverisë shqiptare, për të cilën u parashikuan të shpenzoheshin mbi 600 milionë lekë. Kreu i FSHZH, Benet Beci, asokohe deklaronte se ky projekt i shërbente 40,000 banorëve të zonës.

Projekti është ideuar në vitin 2018 dhe puna për të, sipas njoftimit të vetë FSHZH-së, nisi në Janar 2019. Në Shtator 2019, FSHZH njoftone përfundimin e 55% të punimeve të kësaj unaze, e cila u projektua të kishte 2 korsi për automjete, trotuarë me gjerësi 2 metra dhe sistemim e ndriçimit në zonat e banuara.

Në rrjetin social facebook FSHZH njoftonte:

Pas përfundimit të shtresave asfaltike, aktualisht po punohet me:

shtrimin e pllakave të trotuarëve nga Imesht në Ngurrëz

ndërtimin e veprave të artit dhe mureve rrethuese

ndërtimin e trotuarëve në segmentin Fier i ri – Kashtbardhë

Në 4 Mars 2020 FSHZH njoftoi përfundimin e pjesës së parë të punimeve, në total 11 kilometra të Unazës së Myzeqesë. Pjesë e këtyre punimeve ishin katër akse:

  1. “Sistemim asfaltim i rrugës IMËSHT – NGURRËZ E MADHE” L=4.64 km
  2. “Sistemim asfaltim i rrugës FIERI I RI – KASHTËBARDHË” L=5.48 km
  3. “Sistemim asfaltim i rrugës QERRET – KADIAJ” L=2.75 km
  4. “Sistemim asfaltim i rrugës LUMI SEMAN – RROTONDO IMËSHT” L=0.99 km

Faktoje vendosi të verifikojë nga afër punimet të cilat njoftohen të kenë përfunduar dy vite më parë dhe zbuloi se projekti është zbatuar me disa standarde të ndryshme. Me vijëzimin e rrugës thuajse të fshirë, me asfalt që tashmë ka krijuar gropa, e që madje është “arnuar” më pas, pa trotuare në të dy anët dhe pa ndriçim, banorët e unazës së Myzeqesë e gjejnë veten në një “pus” të rrezikshëm pas perëndimit të diellit.

Segmentet rrugore

Katër janë segmentet rrugore të cilat FSHZH njofton se kanë përfunduar.

Gjurmët e segmenteve të përfunduara sipas Fondit Shqiptar të Zhvillimit
Gjurmët e segmenteve të përfunduara sipas Fondit Shqiptar të Zhvillimit

Faktoje verifikoi secilën prej tyre dhe zbuloi se punimet nuk kishin përfunduar aspak, edhe pse puna nuk po vazhdon.

Segmenti IMËSHT – NGURRËZ E MADHE

Ky segment është 4.64 km i gjatë dhe kufizohet nga fshatrat Imshtë dhe Rrupaj (segmenti numër 2 në hartë). Sipas verifikimit të Faktoje rezulton se ky aks nuk ka përfunduar. Rruga është asfaltuar dhe vijuar nga Imshta në Gjazë (referoju hartës më sipër), por mungojnë trotuarët, ndriçimi dhe sistemimi.

Aksi Imshtë – Gjazë, Dhjetor 2022
Aksi Imshtë – Gjazë, Dhjetor 2022

Agron Mebelli, banor i zonës përgjatë këtij aksi, tha për Faktoje se punimet kanë mbaruar prej dy vitesh dhe askush nuk është dukur më në zonë edhe pse puna nuk ka përfunduar.

“Ska ndriçim në gjithë rrugën sa të zë syri, edhe për të pastruar e bëjmë vetë “– tha ai për Faktoje. “Kemi dy vjet kështu, se dimë çpo ndodh”- përfundoi ai.

Në kutinë shpërndarëse të elektricitetit ku duket se ishte parashikuar vendojsa e ndriçimit për rrugën, tashmë janë rritur barishte.

Një tjetër banor i zonës, i cili preferoi të mos identifikohet publikisht, tha se familja e tij çdo muaj paguan taksë për ndriçimin e rrugës, edhe pse pas orës 17:00 rrugën e mbulon terri.

Vendi ku duhej të ishte vendosur ndriçimi për rrugën në aksin Imshtë – Ngurrëz e Madhe.
Vendi ku duhej të ishte vendosur ndriçimi për rrugën në aksin Imshtë – Ngurrëz e Madhe.

 

Ndërkohë, edhe pse pjesë e të njëjtit aks, rruga nga Gjaza në Rrupaj, është në gjendje më të keqe. Aty mungon edhe vijimi i rrugës.

Segmenti Gjazë – Ngurrëz e Madhe (në hartë: Rrupaj), Dhjetor 2022
Segmenti Gjazë – Ngurrëz e Madhe (në hartë: Rrupaj), Dhjetor 2022

Segmenti Rrethrrotullim IMËSHT – LUMI SEMAN

Në këtë segment, më pak se 1 kilometër të gjatë, duket qartë edhe cilësia e punimeve për këtë projekt. Siç duket edhe në fotografinë e shkrepur në Dhjetor të këtij viti 2022, dy vjet pas përfundimit të punimeve, vijimi i rrugës nuk duket, trotuari që nuk është 2 metra i gjatë, gjendet vetëm në njërën anë dhe ndriçimi e sistemim rruge nuk ka aspak.

Segmenti Rrethrrotullimi Imshtë – Lumi Seman
Segmenti Rrethrrotullimi Imshtë – Lumi Seman, Nëntor 2022

Segmenti FIERI I RI – KASHTËBARDHË

Ky segment, i gjatë 5 kilometra e gjysmë, përfshin edhe një urë. Edhe në këtë segment mungojnë trotuaret, ndriçimi dhe sistemimi i rrugës. Sa i përket asfaltimit, ai shfaqet me gropa dhe i “arnuar” vende vende.

Segmenti Fier i Ri – Kashtëbardhë, Dhjetor 2022
Segmenti Fier i Ri – Kashtëbardhë, Dhjetor 2022

Segmenti QERRET – KADIAJ

Ky segment është thuajse 3 kilometra i gjatë dhe është ndërtuar krejt ndryshe nga tre segmentet e mësipërme. Në këtë aks, rruga është vetëm me një korsi, jo me dy, siç njoftohet në projekt. Trotuari përsëri gjendet vetëm nga njëra anë e rrugës. Ajo që bie në sy në këtë aks është vendosja e ndriçimit, gjë e cila nuk gjendej në asnjë nga rrugët e tjera.

Aksi Qerret – Kadiaj, Dhjetor 2022
Aksi Qerret – Kadiaj, Dhjetor 2022
Aksi Qerret – Kadiaj, Dhjetor 2022
Aksi Qerret – Kadiaj, Dhjetor 2022

Përfundimi

Në dy vjet, Bashkia Lushnje nuk arriti të ndërtonte 11 kilometra rrugë sipas projektit që ajo vetë zgjodhi. Fondi Shqiptar i Zhvillimit e ka ndërtuar Unazën e Myzeqesë duke zbatuar standarde të ndryshme për akse të ndryshme të të njëjtit projekt, duke vendosur ndriçim vetëm në njërin prej katër akseve rrugore.

Bazuar në njoftimet publike të bashkisë Lushnje dhe FSHZH-së për projektin e Unazës së Myzeqesë, nga përgjigjet e marra nga Bashkia Lushnje dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe verifikimet në terren të kryera nga Faktoje, rezulton se shtrimi dhe sistemimi i segmenteve rrugore të Unazës së Myzeqesë në Lushnje është një premtim gjysmë i mbajtur.

 

* “Faktoje”, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.
Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img