.

.

BallinaProjekteNxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartë“40 premtime, 10 bashki”, Faktoje prezanton reuzltatet e raportit të monitorimit në Shkodër

“40 premtime, 10 bashki”, Faktoje prezanton reuzltatet e raportit të monitorimit në Shkodër

Në Bashkinë Shkodër u prezantuan rezultatet e raportit të monitorimit mbi transparencën dhe llogaridhënien, në kuadër të projektit “40 premtime, 10 bashki”, që Faktoje zhvillon për të tretin vit radhazi në bashkëpunim me organizatën amerikane National Endowment for Democracy (NED). Raporti u bazua në verifkimin e 16 indikatorëve që rrjedhin nga detyrimet lighore për funksionimin e pushtetit vendor dhe ai për të drejtën e informimit.

Esmeralda Topi

Qendra e verifikimit të fakteve, Faktoje prezantoi këtë të premte, 17 shkurt, përpara përfaqësuesve të Bashkisë Shkodër, Këshillit Bashkiak, gazetarëve lokalë dhe shoqërisë civile, gjetjet e raportit mbi “Transparencën dhe mbajtjen e premtimeve”, pas monitorimit të kryer në harkun kohor të një viti mbi punën e kësaj bashkie.

Ky monitorim vjen në zbatim të Projektit “40 premtime, 10 bashki”, e mbështetur për të tretin vit rradhazi nga organizata amerikane National Endowment for Democracy (NED).

Pjesë e monitorimit për vitin 2022 ishin 10 bashki; Shkodra, Lezha, Dibra, Durrësi, Vora, Rrogozhina, Lushnja, Shijaku, Kruja dhe Kurbini; 6 prej të cilave u përzgjodhën si bashki të prekura nga tërmeti i vitit 2019 dhe pjesa tjetër për arsye të mbajtjes së zgjedhjeve të pjesshme vendore në mars 2022.

Monitorimi është bazuar në dy elementë krysorë: nivelin e transparencës së pushtetit vendor, si dhe përmbushjen e premtimeve elektorale të dhëna gjatë fushatës.

Nisur nga ky monitorim, niveli i transparencës për Bashkinë Shkodër arrin në 100%, duke e renditur në vendin e parë nga 10 bashki në total. Kjo përqindje është llogaritur përmes 16 indikatorëve të matjes së transparencës që rrjedh nga kuadri ligjor vendas.

Anëtarët e Këshillit Bashkiak Shkodër vlerësuan procesin e monitorimit sa i përket indikatorëve të transparencës.

Sa i takon mbajtjes së premtimeve, Bashkia e Shkodrës nuk ka përmbushur plotësisht asnjë nga katër premtimet elektorale, dy prej tyre rezultojnë pjesërisht të mbajtura ndërsa dy të tjerat janë premtime të pambajtura.

Gjithashtu, në raport gjendet edhe monitorimi i procesit të ngritjes dhe funksionimit të Këshillit Vendor Rinor, një detyrim ligjor i bashkive që do të shërbente në fuqizimin e pjesëmarrjes së të rinjve në proceset politikbërëse.

Nga gjetjet e ekspertit në momentin e monitorimit, bazuar nga informacionet zyrtare të publikuara nga bashkia Shkodër, në këtë institucion nuk kanë nisur procedurat për ngritjen e Këshillit Rinor Vendor.

Bashkitë me performancën më të lartë të transparencës janë ajo e Shkodrës dhe Lezhës me 100%, ndjekur nga Bashkia e Shijakut me 87.5%, Dibra dhe Durrësi me 75%, Kruja me 68.7%, Vora 56.3% e Lushnja me 50%. Përformancën më të dobët e mban Bashkia e Kurbinit me 37.5 %, ndjekur nga ajo e Rogozhinës me 43.7%.

Synimi i projekti “40 premtime, 10 bashki” për vitin 2022, mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED) ishte monitorimi i bashkive sa i përket mbajtjes së premtimeve dhe transparencës, me qëllim që t’i ndihmojë bashkitë e monitoruara të rrisin transparencën, të nxisin llogaridhënien si dhe të përmiresojnë shërbimet për qytetarët.

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Redaktore Esmeralda Topi është gazetare pranë qendrës Faktoje prej vitit 2022. Ajo ka punuar si gazetare ekonomie që nga viti 2010, në televizion, shtypin e shkruar dhe atë online. Esmeralda ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për “Gazetari”. Në të njëjtin fakultet ajo ka kryer edhe studimet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img