“40 premtime, 10 bashki” Faktoje prezanton raportin e monitorimit në Lezhë

Sot Faktoje ishte në Lezhë, ku prezantoi raportin mbi monitorimin e transparencës dhe mbajtjes së premtimeve.

20

Esmeralda Topi

Lezhë, 4 shkurt 2026 – Qendra e verifikimit të fakteve, Faktoje, prezantoi këtë të mërkurë përpara përfaqësuesve të Bashkisë Lezhë, Këshillit Bashkiak, gazetarëve lokalë dhe shoqërisë civile gjetjet e raportit mbi “Transparencën dhe mbajtjen e premtimeve”, pas një viti monitorimi të punës së kësaj bashkie.

Ky proces është pjesë e projektit “40 premtime, 10 bashki”, i mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED), që prej gjashtë vitesh mat performancën e pushtetit vendor në Shqipëri.

Transparenca,  Lezha në krye të renditjes

Rezultatet e monitorimit treguan se Bashkia Lezhë arriti nivelin 100% transparencë, duke u renditur e para mes 10 bashkive të përfshira në projekt (Shkodër, Lezhë, Elbasan, Korçë, Tiranë, Durrës, Vlorë, Fier, Kavajë dhe Sarandë).

Kryetari i Bashkisë, Pjerin Ndreu, e cilësoi këtë si një standard që duhet mbajtur.

“Në një mënyrë apo një tjetër ju na keni vendosur në një garë që duhet të jemi 100% transparentë. Dhe kjo performancë duhet ruajtur, sepse vitin tjetër rrezikon të biesh. Është përgjegjësi dhe unë mendoj se Bashkia e Lezhës duhet të jetë gjithmonë 100% transparente, sepse ky është një premtim ndaj qytetarëve”, tha Ndreu.

Bilanci i premtimeve

Nga 4 premtime të verifikuara në Lezhë:

• 2 janë përmbushur,

• 1 pjesërisht,

• 1 mbetet i papërmbushur.

Edhe pse transparenca rezulton maksimale, kryebashkiaku Ndreu pranoi se ka vend për përmirësime.

Kryetari i Bashkise, Lezhe, Pjerin Ndreu

“Ajo që më pëlqen është që ne monitorohemi. Na bën të matemi me veten dhe të shohim si në një pasqyrë se si dukemi në të vërtetë. Ju falenderoj për kontributin që jepni, sepse unë e quaj kontribut”, theksoi ai.

Raporti

Raporti i Faktoje në 10 bashkitë e monitoruara tregon se nga 40 premtime të verifikuara vetëm 5 janë realizuar plotësisht, 12 pjesërisht, ndërsa 23 nuk janë përmbushur.

Kjo do të thotë se 57.5% e premtimeve mbeten të pambajtura, duke krijuar një hendek të madh mes retorikës elektorale dhe veprimit konkret. Premtimet u monitoruan përmes analizës së buxhetit, ndjekjes së prokurimeve publike dhe vëzhgimeve në terren.

Ky është viti i gjashtë që Faktoje realizon një raport të tillë, duke sjellë një panoramë të qartë mbi transparencën dhe llogaridhënien e pushtetit vendor në Shqipëri.