Tri ditë pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019, kryeministri Edi Rama u zotua përpara shqiptarëve se familjet e pastreha do të gëzonin banesat e rindërtuara brenda vitit 2020. Ky premtim madhor dhe të tjerë që pasuan për banorët fatkeq, u shkelën në seri. Procesi vijon të zvarritet 4 vite kaluar nga tërmeti, por qeveria ende s’jep afat se kur do të mbarojë saga e familjeve të prekura që presin dimrin e katërt pa shtëpinë e tyre. Taksapaguesit shqiptarë kanë paguar 83,7 miliardë lekë për rindërtimin, ndërsa qeveria shpërfilli ndihmën e ndërkombëtarëve përmes kredive të buta.
Esmeralda Topi
Pak orë pasi mijëra familje shqiptare u gjendën në udhëkryeq për shkak të tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019, kryeministri Edi Rama u zotua se të gjithë të pastrehët do të futeshin në banesat e reja brenda një viti.
“Brenda vitit 2020 nuk duhet të ketë më diskutim për asnjë person që ka humbur shtëpinë nga tërmeti. Duhet të jenë të gjithë në kushte më të mira se ç’ishin para tërmetit.”, premtoi ai në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë.
Katër vite pas tërmetit tragjik, familjet e pastreha vijojnë të numërojnë ditët pa e ditur se kur do të hyjnë në shtëpinë e rindërtuar. Ndryshe nga ç’premtoi Rama, procesit të rindërtimit nuk po i duket fundi. Qeveria nuk ka një afat konkret se kur do të përmbyllet rindërtimi, pas shkeljes seriale të premtimeve vit pas viti.
‘Procesi i rindërtimit filloi me nxitim dhe me shumë bujë për të krijuar idenë e një qeverie të aftë e që vepron shpejt në raste të tilla. Por fakti që edhe në buxhetin 2024 qeveria ndan para për rindërtimin tregon që procesi duhej marrë më seriozisht.’, thotë drejtuesi i Institutit të Bashkive Agron Haxhimali.
Në këto kushte, Haxhimali shton se mbyllja e rindërtimit duhet të ndodhë të paktën brenda vitit 2025.
“Sigurisht që nuk është proces i lehtë, kërkonte dhe mënyrë tjetër menaxhimi, jo aq të përqëndruar nga vetë qeveria, por edhe burime financiare të dedikuara që procesi të mbyllej më shpejt.”, përfundon Haxhimali.
Barra e rindërtimit në buxhet
Të dhënat e siguruara nga Faktoje tregojnë se buxheti i shtetit ka mbajtur barrën kryesore të rindërtimit. Shpenzimet faktike që nga krijimi i fondit të rindërtimit, deri në nëntor të këtij viti rezultojnë 80 miliardë lekë.
‘28.5 miliardë lekë për njësitë e qeverisjes qendrore, 52 miliardë lekë për njësitë e vetëqeverisjes vendore.’, sqaron Ministria e Financave për Faktoje.
Me aktin e fundit normativ, qeveria i shtoi buxhetit të këtij viti 12 miliardë lekë për financimin e punimeve të kryera për rindërtimin. Ndërsa në buxhetin e vitit të ardhshëm, fondi shtohet me 7 miliardë lekë të tjera.
“Rindërtimi si proces zgjati përtej afateve të parashikuara, me ndikim direkt në rritjen e kostove të produkteve (pajisje ndërtimi, shërbime etj) tej parashikimeve buxhetore. Kësaj ecurie (që ka arsye të forta për të besuar se pikërisht favorizimet në ndarjen e punëve publike ishin edhe klienteliste), iu mbivendos edhe rritja e çmimeve, shtrenjtimi i kredisë për ndërtuesit dhe zhvleftësimi i lekut për prodhimet e brendshme. Kjo situatë e pafavorshme rriti alokimet e buxhetit në fund të vitit 2022 dhe vijoi gjatë gjithë vitit 2023 me të paktën 3 miliardë lekë shtesë, ku përfshiheshin edhe punime të tjera jashtë rindërtimit.”, argumenton për Faktoje, eksperti Eduard Gjokutaj.
Referuar të dhënave, barra financiare e taksapaguesve shqiptarë për rindërtimit arrin në 83,7 miliardë lekë. Ndërkohë që gjasat janë që fondi të vijojë në buxhet të paktën edhe gjatë vitit 2025 pasi procesi nuk mbyllet me këtë faturë.
Pse u shpërfillën kreditë e buta?
Në konferencën e donatorëve për rindërtimin në Bruksel, Shqipërisë iu vunë në dispozicion 1.15 miliardë euro në formë grantesh dhe kredish të buta.
“Komuniteti ndërkombëtar ka angazhuar 1.15 miliardë euro për Shqipërinë, që është një shifër fenomenale, që do të plotësojë nevojat dhe unë jam shumë e emocionuar nga solidariteti i treguar nga komuniteti ndërkombëtar për Shqipërinë.“, shprehej asokohe Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen në krah të Kryeministrit Edi Rama në shkurt të 2020-s.
Nga fondi 1.15 miliardë euro, 750 milionë ishin kredi të buta të cilat qeveria i shpërfilli duke ia lënë barrën e rindërtimit, buxhetit të shtetit.
“Qeveria nuk e realizoi këtë, sepse s’kishte mundësi t‘i alokonte fonde oligarkëve dhe klientëve të saj, duke përfshirë dhe elemente të krimit të organizuar. Por përdori paratë e buxhetit që gjithsesi janë të pamjaftueshme.“, argumenton Zef Preçi, drejtor ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike.
Të dhënat e siguruara nga Faktoje tregojnë se nga viti 2020, e deri në korrik të 2023, qeveria ka marrë 33 linja kredie nga institucione të ndryshme financiare ndërkombëtare. Por asnjë prej tyre nuk lidhet me rindërtimin.
‘Është e njëjta histori si historia me fondet IPARD. Nëse nuk respekton rregullat e shkruara, asnjë donator nuk të jep, sepse ata japin llogari përpara taksapaguesve. Kanë manuale dhe rregulla të shkruara dhe shkelja e tyre ngarkon me përgjegjësi cilindo që certifikon para që nuk shkojnë për destinacionin dhe mbi bazën e rregullave të përcaktuara për të cilat janë dhënë.’, thekson Zef Preçi për Faktoje.
Nëse kreditë do të ishin marrë pranë FMN-së, BERZH-it, KFW-së apo Bankës Botërore, autoritetet në vend do të duhej të respektonin procedurat strikte në tendera. Por fakt është që shumica e kontratave u lidhën përmes procedurës së kufizuar dhe negociimit të drejtëpërdrejtë, nën petkun e emergjencës.
Përfundim
Nisur nga informacionet e mbledhura premtimin e kryeministrit Edi Rama se ‘Brenda vitit 2020 nuk duhet të ketë më diskutim për asnjë person që ka humbur shtëpinë nga tërmeti’ e kategorizojmë si të pambajtur.