.

.

BallinaFake newsDezinformimi në kohë krizashVilat lukzose në shitje në Gaza, një shaka e hidhur e një agjencie private dhe jo projekt qeveritar

Vilat lukzose në shitje në Gaza, një shaka e hidhur e një agjencie private dhe jo projekt qeveritar

Një projekt vilash me pamje nga deti në Rripin e Gazës, që ka ngjallur reagime online, është paraqitur nga një kompani ndërtimi dhe jo nga qeveria e Izraelit. Përfaqësuesit e kompanisë deklaruan se projekti i ndërtimit në Rripin e Gazës ishte një shaka.

Fotot e projektit të një rezorti me vila luksoze, të skicuara mbi çfarë ka mbetur nga lagjet në bregdetin e Gazës, po publikohen në rrjete sociale me pretendimin se shfaqin një projekt zyrtar të qeverisë izraelite.

“Izraeli dëshiron ta spastrojë etnikisht Gazën dhe të ndërtojë vendbanime për hebrenjtë ekstremistë” – shkruhet në një postim që shoqëron këtë foto. Një tjetër profil, ndan këtë foto si zbulim i planeve të një “koalicionit të kolonëve izraelitë, që thuhet se financohet nga shteti i aparteidit, është mbledhur për të diskutuar një plan “praktik” për të ndërtuar vendbanimet e para në Gaza”.

Foto e cilësuar si provë e këtyre postimeve, tregon një peisazh me detin në sfond, ndërtesa gjysmë të shkatërruara rrethuar nga projekte 3D të objekteve të reja që duhet të jetë vila luksoze. Foto ka edhe një mbishkrim në hebraisht që thotë: “Një shtëpi në plazh nuk është ëndërr!”

Postimet e shpërndara në Facebook

Si qëndron e vërteta e këtyre pamjeve? Nga një kërkim që Faktoje bëri rezulton se është bërë publik një projekt i tillë, por jo nga qeveria e Izraelit.

Imazhi u publikua fillimisht më 13 dhjetor 2023 në mediat sociale nga “Harey Zahav”, një kompani izraelite që operon në tregun e pasurive të paluajtshme.

“Ne në Harey Zahav po punojmë për të përgatitur terrenin për kthimin në Gush Katif. Punonjësit tanë kanë nisur punën për rehabilitimin e zonës, largimin e mbetjeve dhe dëbimin e pushtuesve”, thuhet në shkrim.

Më tej shtojnë: “Shpresojmë që në të ardhmen e afërt të gjithë pengjet do të kthehen të sigurtë te familjet e tyre, se ushtarët tanë do të kthehen në shtëpi dhe se ndërtimi mund të fillojë në Rripin e Gazës, në të gjithë Gush Katif-in”.

Sërish në llogaritë e saj sociale, javët e fundit, kompania “Harey Zahav” ka publikuar një imazh të 9 projekteve të ndërtimit të ndërtesave në Rripin e Gazës, duke komentuar se disa nga lotet janë në shitje, si dhe një foto të disa ushtarëve me uniformë duke mbajtur flamurin me logon e kompanisë dhe një foto tjetër që portretizon tre ushtarë me një flamur izraelit, mbi të cilin teksti në hebraisht thotë: “Një tullë tjetër po vihet. Do të kujtojmë dhe do të kthehemi”.

faqen e internetit të agjencisë ka projekte të pasurive të paluajtshme të ndërtesave tashmë të përfunduara dhe për shitje në territoret e pushtuara nga Izraeli në Bregun Perëndimor. Sipas ligjit ndërkombëtar, të gjitha vendbanimet përtej vijës së armëpushimit të vitit 1967, që ndan Izraelin nga Bregu Perëndimor, janë të paligjshme.

Në lidhje me këtë çështje, pronari i kompanisë, Zeev Epshtein deklaroi më 17 dhjetor për kanalin televiziv izraelit “Channel 13” se projekti i ndërtimit në Rripin e Gazës ishte humor.

Epshtein saktësoi se kompania e tij private nuk mund të marrë vendime për çështje të ngjashme, duke shtuar gjithashtu se kompania do të aplikojë për të fituar tenderin për ndërtimin e vendbanimeve të reja në rast se shteti i Izraelit vendos të ripushtojë Rripin e Gazës.

I kontaktuar nga gazeta izraelite Haaretz, Zeev Epshtein përsëriti se ishte një përmbajtje humoristike.

Gush Katif ishte një bllok prej 17 vendbanimesh hebraike në zonën bregdetare të Rripit të Gazës, pranë kufirit me Egjiptin, i çmontuar në vitin 2005 me urdhër të kryeministrit të atëhershëm izraelit, Ariel Sharon. Pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, një pjesë e opinionit publik izraelit beson se zhvendosja në Rripin e Gazës është një përgjigje e drejtë ndaj dhunës së grupit palestinez.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img