.

.

BallinaProjekteForcimi i gazetarisë fact-checking3 vjet nga shembja e Teatrit Kombëtar, 0 premtime të mbajtura për të riun

3 vjet nga shembja e Teatrit Kombëtar, 0 premtime të mbajtura për të riun

3 vite pas shembjes së godinës së vjetër të Teatrit Kombëtar, nuk ka asnjë gjurmë nga nisja e punimeve për godinën e re, pavarësisht shumë premtimeve nga zyrtarët publikë. Hapësira e rrethuar për ngritjen e teatrit të ri vijon të jetë një vend parkimi automjetesh, pavarësisht se në fund të 2022-it u përurua me ceremoni nisja e punimeve.  Në tabelën e punimeve të mbuluar përgjysmë nga rrethimi i kantierit janë zhdukur afatet kohore dhe vlera e projektit.

Sot mbushen 3 vite nga shembja e Teatrit Kombëtar. Të dielën e 17 majit 2020 fadromat rrëzuan muret e ndërtesës 80-vjeçare ku shumë objekte me vlera artistike dhe shpirtërore përfunduan në një grumbull intertesh.

Tre vite më parë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u zotua se Teatri i ri Kombëtar do të përfundonte përpara fundit të mandait të tij të dytë, pra në 2023-n.

“Do të fillojmë punë menjëherë, po detajojmë projektin, pastaj ndërtimi. Është kantier ndërtimi. Përpara fundit të mandatit tim do të ketë përfunduar teatri i ri, para 2023”, premtoi ai.

21 dhjetor 2022 Veliaj lajmëroi në mënyrë ceremoniale nisjen e punimeve për hapjen e themeleve për teatrin e ri dhe pak ditë më vonë e cilësoi si premtim të mbajtur nisjen e tyre. Ai dha detaje të projektit, i cili sipas kryebashkiakut pritej të përfundonte brenda dy viteve të ardhshme ose në 2025-n.

“Teatri Kombëtar, e mbajtëm fjalën, filloi puna këtë vit…Afati është 27 muaj, por besoj edhe për 2 vjet do të kemi të paktën grehinën e Teatrit dhe pastaj do të duhet të punojmë shumë me teknologjinë, sepse janë disa salla. Besoj për 24 muaj do jemi gati”, deklaroi Veliaj më 31 dhjetor 2022.

Në fillim të këtij viti, ai theksoi:

“Sigurisht që bizhuja e qytetit do të jetë Teatri i ri Kombëtar që sapo ka filluar punimet, ku po bëjmë sondimet dhe shpimet e të gjithë shtresave gjeologjike për të hapur pastaj themelet, për të pasur edhe aty një super punë të arkitekturës moderne nga Bjarke Ingels”, tha kryebashkiaku në janar të 2023.

Por, si po shkojnë punimet për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar, tre vite pas shembjes së godinës së vjetër? Faktoje bëri një verifikim në terren më 17 maj për të parë nga afër punimet për ngritjen e objektit të ri. E gjithë hapësira ku pritet të ngrihet Teatri është e rrethuar, ndërsa në ‘llamarinat’ rrethuese janë të vendosura foto të projektit.

Foto, 17 maj 2023

Diku në këtë rrethim të zë syri një tabelë punimesh, por ishte e pamundur të dalloheshin afatet e punimeve apo vlera për ndërtimin e objektit të ri. Të dhënat kryesore ishin të fshehura, teksa mund të shihje vetëm investitorin, projektuesin dhe sipërmarrësin e punimeve.

Foto, 17 maj 2023

Përmes një të “çare” të këtij rrethimi, arritëm të shihnim se çfarë ndodhte në brendësi. Në kantier nuk kishte asnjë punëtor, teksa hapësira ku do ngrihet Teatri i Ri Kombëtar ishte shndërruar në një vend për parkimin e automjeteve.

Foto, 17 maj 2023

Ende nuk dukej asnjë gjurmë nga nisja e punimeve, siç deklaron kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe pamja ishte identike me fotot e shkrepura nga Faktoje gjatë verifikimit në 3 shkurt të këtij viti.

Kantieri i Teatrit Kombëtar, 3 shkurt 2023

Foto, 17 maj 2023

Për të marrë një informacion mbi ecurinë e punimeve, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion edhe Bashkisë së Tiranës. Jemi në pritje të një përgjigjeje nga ky institucion, duke respektuar afatet ligjore për të Drejtën e Informimit.

Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë së Tiranës, 17 maj 2023

Në 3-vjetorin e shembjes së godinës së vjetër të Teatrit Kombëtar ka pasur reagime edhe nga aktorë e përfaqësues të shoqërisë civile.

Postimi në Facebook i aktorit

Ndërsa aktivisti Ervin Gocaj shprehet: “Shembja e Teatrit ndoshta është nga demonstrimet më të kobshme të shtazërisë në të cilën ka rënë shoqëria jonë. Demostrimi më i qartë i degradimit të elitës politike, ekonomike dhe sidomos kulturore e intelektuale. Pa u ndërtuar ky konstrukt, nuk ka rindërtim të Teatrit Kombëtar”.

Projekti dhe vlera e Teatrit të ri Kombëtar

Në dhjetor të vitit 2022, Agjencia e Prokurimit Publik njoftoi se faza e parë për ndërtimin e tij do të kushtojë rreth 19 milionë euro.

Burimi: APP.GOV.AL

Projekti konsiston në ndërtimin e teatrit të ri në Tiranë me rreth 8.000 m2 mbi tokë dhe 5.000 m2 nëntokë në 3 nivele.

“Duke qenë një prizëm i thjeshtë, i ngjeshur në qendër të tij, objekti krijon njëkohësisht sheshe publike me pamje nga lindja dhe perëndimi, si dhe një hapësirë të hijezuar, e mbrojtur nga dielli,nga e cila vizitorët hyjnë në ndërtesë. Pjerrësia e çatisë krijon një tjetër lloj hapësire së cilës i jepet një sfond dramatik nga vetë qyteti. Jo vetëm “zarfi” i ndërtesës është i përcaktuar për performanca, por edhe auditori dhe ‘black box’, të cilat janë hapësira “tadicionale” kthehen në pjesëmarrëse aktive nëpërmjet marrëdhënies që kanë me fasadën dhe mënyrë sessi ndërveprojnë me kontekstin urban”, thuhet në projektin arkitektonik të Teatrit të ri.

Sipas kontratës, punimet për fazën e parë të Godinës së Teatrit duhet të mbyllen brenda muajit mars të vitit 2025.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img