.

.

BallinaProjekteForcimi i gazetarisë fact-checking270 lek = 1 litër naftë, ekspertët: Qeveria ka bazë ligjore për të ndërhyrë!

270 lek = 1 litër naftë, ekspertët: Qeveria ka bazë ligjore për të ndërhyrë!

Esmeralda Topi 

Edhe pse kryeministri Rama tha se çmimi i karburanteve nuk varet nga qeveria dhe ajo nuk mund të ndërhyjë në tregun e lirë, ekspertët sjellin bazën ligjore që i jep të drejtë qeverisë të ndërhyjë për të parandaluar vendosjen e çmimeve abuzive në situata të vecanta tregu. Më 25 Shkurt Autoriteti i Konkurrencës ka nisur hetimin për të verifikuar nëse ka apo jo abuzime në cmimin e hidrokarbureve. Por ndërsa ky hetim pritet të zgjasë disa muaj qytetarët në qytetet kryesore  të vendit kanë nisur protestat. Faktoje sjell në vëmendje se në vitin 2016, Autoriteti i Konkurrencës, i kërkoi qeverisë krijimin e një baze ligjore dhe një infrastrukturë adminstrative që ndihmon në transparencën  çmimit të hidrokarbureve. Por a është zbatuar ky rekomandim nga qeveria?!

——————————

“Dua ta theksoj edhe njëherë, çmimi i naftës nuk varet nga qeveria.” – deklaroi Kryeministri Edi Rama në 8 mars 2022 gjatë një konference për shtyp mbi “Impaktin e luftës mbi çmimet e energjisë dhe naftës.”

Nisur nga kjo deklaratë, Faktoje bëri një verifikim në ligjin nr 8450 për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre. Neni 7 i ligjit i jep kompetenca qeverisë për të vendosur çmime tavan apo dysheme në situata të veçanta tregu.

Foto nga ISHTI.GOV.AL

Po ashtu edhe ekspertë të ndryshëm të ekonomisë dhe financave argumentojnë për Faktoje.al se si qeveria mund të ndërhyjë në mbrojtje të konsumatorit nga çmimet e larta të naftës dhe benzinës.

Enton Duro i tha Faktoje.al se heqja e përkohëshme e taksës së qarkullimit dhe karbonit mund të jetë një tjetër opsion që qeveria mund të aplikojë në këto kohë.

“Po ashtu të marrë në konsideratë ndërtimin e një rafinerie me kapital të përbashkët me qeverinë kosovare, e cila garanton sigurinë kombëtare të naftës në të dy vendet.” – thekson Duro.

Edhe Profesor Selami Xhepa tha për Faktoje.al se ka ardhur koha që qeveria të rialokojë më prioritet mbështetje buxhetore për familjet që janë në programet sociale, pensionistët dhe grupet e tjera vulnerabël; sikurse bëri Greqia dhe Maqedonia e Veriut.

“Një ekonomi lufte duhet të funksionojë me një tjetër logjikë nga ajo e kohës normale.“- thekson Xhepa për Faktoje.al.

Ndërkohë, eksperti Eduard Gjokutaj thotë për Faktoje.al se duhen bërë rillogaritje si dhe auditim në elementët ekzistues {taksa dhe tarifa} brenda sruktures së çmimit egzistues. “Kjo lëvizje do të shërbente për të pastruar tregun nga informaliteti dhe debati për korrupsionin.“ – tha Gjokutaj për Faktoje.

Masa konkrete që do të zbusnin çmimet abuzive i ka propozuar qeverisë edhe një prej deputetëve të mazhorancës, Erion Braçe.

“1. Marzh fitimi të negociuar siç në tregun e barnave e për barnat;

2.Inventarë të sasisë së naftës që është kontraktuar, që është blerë, që është depozituar, që është zhdoganuar, që është shitur me shumicë e pakicë, kohën dhe çmimin në atë kohë gjatë 2021 e këto muaj të 2022; Sasinë e naftës që ndodhet sot në Shqipëri, kohën kur është blerë e çmimin me të cilin është blerë;

3.Pezullimin e tarifave të koncesioneve që shtojnë çmimin në një litër naftë!”.

Po sa është barra e taksave dhe tarifave për një litër naftë?

Siç duket edhe vet Kryeministrit ju deshën 48 orë që të ndryshonte qëndrim lidhur me çmimet dhe tregun e lirë.

Foto nga protesta, 9 mars 2022

Në një kohë që njerëzit protestonin përpara godinës së kryeministrisë për çmimet abuzive të karburanteve Rama përmes rrjeteve sociale tha:

“Do ndërhyjmë në çdo tendencë spekulative me cmimin e naftës, duke krijuar brenda 48 orësh, një Bord Kombëtar të Administrimit të Karburantit, ku furnizuesit e vendit do jenë në një tavolinë me qeverinë për të bërë gjithë transparencën e cmimeve në mënyrë të përditshme dhe ku marzhi i fitimit do përcaktohet në atë tavolinë.”

Faktoje.al verifikoi se Bordi Kombëtar i Administrimit të Karburaneteve është një rekomandim i hershëm qëAutoriteti i Konkurrencës i ka bërë qeverisë Rama 1 në vitin 2016, pas mbylljes së një hetimi të thelluar në tregun e karburanteve.

Screenshot nga faqja e Autoritetit të Konkurrencës

Krahas këtij rekomandimi, në vitin 2016 Komisioni i Konkurrencës i ka adresuar qeverisë edhe tre rekomandime të tjera për të ndihmuar kontrollin e abuzimit në treg duke dëmtuar konsumatorin fundor.

Në krye të institucionit ishte Lindita Lati Milo. Faktoje.al kontaktoi edhe me zonjën Milo.

“ Nëse qeveria do të merrte në konsideratë gjetjet e atij hetimi në atë periudhe atëhere tregu do të kishtë më shumë transparencë në ditën e sotme.”- thekson ish kryetarja e Autoriteti të Konkurrencës Lindita Lati Milo.

Aktualisht, Konkurrenca ka hapur sërish hetim në tregun e tregtimit me shumicë të karburantit naftë dhe benzinë. Në përgjigje të interesimit tonë, ky institucion shkruan:

“ Autoriteti i Konkurrencës tashmë prej disa javësh ka vendosur tregun e karburanteve nën monitorim dhe ka nisur dhe hetimin, duke qenë se jo vetëm ndajmë të njëjtin shqetësim me ju lidhur me mirëqenien e konsumatorit por dhe si shkak i detyrimeve ligjore të funskionimit të Autoritetit. “

Dokument nga Autoriteti i konkurrencës

Faktoje verifikoi vendimet e nxjerra nga Konkurrenca pas hetimeve nw tregun e karburanteve vitet e fundit. Vihet re se Autoriteti i Konkurrencës nuk ka vënë asnjëherë gjobë ndaj kompanive.

Referuar ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”, masa e gjobës për shkelje të renda shkon deri në 10% të xhiros së kompanisë bazuar në vitin paraardhës, ndërkohë që masa e gjobës për shkelje të lehta është jo më shumë se 1% e xhiros totale të vitit paraardhës financiar.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img