Ardi Pulaj
INSTAT në raportin e fundit tregon se vetëm në qershor të vitit 2022, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 876.056. Ky numër është rritur me 45%, krahasuar me qershorin e 2021. Rritje ka patur edhe numri i shtetasve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, kryesisht Polonia, Gjermania, Italia dhe Spanja, që kanë zgjedhur të vizitojnë Shqipërinë, por edhe nga Ballkani Perëndimor. Faktoje, analizon rritjen e numrit të turistëve, kryesisht nga shtetet e BE, shumica e të cilave deri dje, e konsideronin Shqipërinë një vend të pasigurt për të udhëtuar.
Pavarësisht raportimeve të mediave europiane në të shkuarën se Shqipëria nuk është vend i sigurt për të udhëtuar, shtetasit e Bashkimit Europian po shënojnë një numër të rritur të vizitave në Shqipëri. Kjo reflektohet edhe në raportin e fundit të Institutit të Statistikave (INSTAT).
Sipas të dhënave, në periudhën janar-qershor 2021 ishin 26.297 shtetas polakë që erdhën në Shqipëri, ndërsa një vit më vonë për të njëjtën periudhë numri ka shkuar në 39.455. Në janar-qershor 2021, ishin 28.440 shtetas gjermanë që erdhën në Shqipëri, ndërsa në të njëjtën periudhë të 2022, janë 73.636 persona. Teksa në 2021, për gjashtëmujorin e parë ishin 2.140 shtetas spanjollë që vizituan Shqipërinë, në janar-qershor 2022 janë 10.955 turistë. Rritje po ashtu shënojnë dhe Italia (88.294 në janar-qershor 2021 dhe 198.031 në janar-qershor 2022) dhe Greqia (43.725 në periudhën janar-qershor 2021 dhe për gjashtëmujorin e parë të 2022, janë 199.943 turistë). Për këto dy shtetet e fundit, duhet pasur parasysh se aty ka një numër të lartë emigrantësh shqiptarë që jetojnë e jetojnë e punojnë prej vitesh, por që gjithsesi janë shtetas të BE-së dhe llogariten me shtetësi greke apo italiane kur paraqesin pasaportat e vendeve respektive kur hyjnë në Shqipëri.
Tabela e INSTAT për hyrjet e shtetasve të huaj janar-qershor 2022, krahasuar me një vit më parë
Duke marrë për bazë 2019, si një “vit normal” të turizmit në Shqipëri, përpara se bota të përfshihej nga pandemia e Covid-19 dhe duke i krahasuar shifrat me ato të këtij viti, statistikat tregojnë një rritje të numrit të turistëve nga vendet e BE-së në Shqipëri. Kështu, në janar-qershor 2019 ishin 38.974 turistë polakë, 9.247 shtetas spanjollë dhe 59.486 shtetas gjermanë.
Tabela e INSTAT për hyrjet e shtetasve të huaj janar-qershor 2019, krahasuar me një vit më parë
Kliton Gërxhani, kryetar i Shoqatës Shqiptare të Turoperatorëve dhe Agjencive Turistike (ATOA) thotë për Faktoje se rritja e numrit të turistëve nga shtetet e BE-së vjen sepse Shqipëria po konsolidohet si destinacion turistik, pavarësisht vështirësive nga tërmeti i 2019, pandemia dhe lufta në Ukrainë.
“Duke qenë Shqipëria më e ekspozuar në media dhe përhapja fjalë pas fjale, sepse njerëzit flasin me njëri-tjetrin për eksperiencat e tyre, ndikon te trendi në rritje i turistëve të huaj nga shtetet e Bashkimit Europian drejt Shqipërisë. Më herët perceptohej si një vend i pasigurtë; ka dhe sot qytetarë të BE që mendojnë se është vend i pasigurtë. Janë ata që janë pak a shumë guximtarë dhe që nuk i kushtojnë vëmendje pjesës së pasigurisë, se sa përqëndrohen te zbulimi i një destinacioni të ri në Mesdhe,” thotë Gërxhani.
Rriten edhe turistët nga Ballkani Perëndimor në Shqipëri
Duke iu referuar statistikave të INSTAT, shqiptarët kanë dalë më shumë jashtë vendit në janar-qershor 2022, janë 2.519.533 në krahasim me të njëjtën periudhë të 2021, që ishin 1.703.127, me një diferencë ndryshimi vjetor prej 47.9%. Kurse hyrjet në Republikë të shqiptarëve kanë shënuar një ndryshim vjetor prej 52.2%, me 1.484.458 në janar-qershor 2021, në 2.259.486 në janar-qershor 2021. Gjithsesi, hyrjet e turistëve të huaj, ku përfshihen dhe ata nga BE dhe Ballkani Perëndimor, pësuan një ndryshim vjetor prej 51.3% me një rritje nga 1.687.982 në janar-qershor 2021, në 2.553.457 në të njëjtën periudhë të 2022.
Tabela e INSTAT për lëvizjet t e shtetasve shqiptarë dhe të huaj janar-qershor 2019, krahasuar me një vit më parë
Ajo që bie në sy nga statistikat e INSTAT, si në vitet 2018-2019 dhe në 2021-2022 është se Kosova dhe Maqedonia e Veriut, dy vende fqinje në Ballkanin Perëndimor kryesojnë numrin e turistëve të huaj që vijnë në Shqipëri, që nëse e krahasim me numrin e vizitorëve nga BE, apo shtetet e tjera, janë dominues në tregun shqiptar.
INSTAT tregon se për periudhën janar-qershor 2022 kanë ardhur në Shqipëri 969.547 shtetas nga Kosova, nga 861.252 në të njëjtën periudhë të 2021, nga Maqedonia e Veriut në gjashtëmujorin e parë të 2021 erdhën 235.100 vizitorë, ndërsa në 2022 për periudhën janar-qershor numri shkoi në 289.025. Nga Mali i Zi u shënuan 156.373 vizitorë në janar-qershor 2021, kurse në të njëjtën periudhë të këtij viti numri i vizitorëve arriti në 199.416. Në statistikat e INSTAT, mungojnë të dhënat për turistët serbë të ndarë veçmas, pasi ata mund të jenë klasifikuar te kategoria “turistët e tjerë”, por të tillë ka patur sipas Kliton Gërxhanit.
“Kemi shtetasit e Serbisë e Bosnje-Herzegovinës, raportet më të cilët janë më të largëta në krahasim me ato mes Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedoninë e Veriut. Gjatë pandemisë serbët nuk shkonin dot në Greqi, që kanë si destinacion primar, për shkak të kufizimeve dhe erdhën në Shqipëri, panë që nuk u treguam armiqësorë, ishim larg politikës dhe duke parë çmimet e volitshme, ndaj ishte atraktive për ta,” sqaron Gërxhani.
Edhe më shumë lëhtësira kur ballkanasit vizitojnë fqinjët
Një nga shkaqet e rritjes se shtetasve të vendeve të Ballkanit Perëndimr që zgjedhin Shqipërinë si destinacion turistik mund të jenë dhe disa nisma dypalëshe apo rajonale. Kështu, në qershor u arrit marrëveshja për hapjen tërësore të kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë. Çdo fundjavë gjatë sezonit veror në pikat kufitare nuk do të ketë asnjë ndalim për kontroll dokumentash apo policor nga 1 qershor-30 shtator.
Një tjetër shtysë mund të jetë lëvizja vetëm me kartë identiteti mes shteteve të Ballkanit Perëndimor. Që prej 20 janarit 2021, edhe shtetasit serbë mund të hynë në Shqipëri vetëm me kartën e identitetit. Serbia bëhet kështu vendi i pestë (pas Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Bosnje Hercegovinës) ku qytetarët shqiptarë mund të lëvizin lirshëm vetëm duke paraqitur një kartë identiteti biometrike dhe e njëjta vlen për shtetasit e këtyre vendeve që hyjnë në Shqipëri.
Po ashtu, në ndihmë të turistëve ballkanikë që vizitojnë shtetet e rajonit, ofrohet nga 1 korriku 2021 plani tarifor i celularit si në vendet e tyre. Qytetarët e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës përdorin shërbimin roaming në rajon pa qenë nevoja të paguajnë tarifa shtesë. Kjo është një nismë e Këshillit për Bashkëpunimin Rajonal, që bashkëfinancohet nga BE.
Trendi i 2022, si për shtetasit e BE, ashtu dhe pë ata të Ballkanit Perëndimor është në rritje dhe deri në fund të vitit pritet që numri të jetë më i lartë, duke patur parasysh se sidomos korriku dhe gushti shënojnë muajt e pikut të turizmit në Shqipëri.
Foto e artikullit është marrë nga Visit Albania