Këtë vit shkollor, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka përfshirë në skemën e librave falas edhe nxënësit e klasave të 8-ta dhe të 9-ta. Ndryshe nga një vit më parë, edhe nxënësit e klasave 1-7 kanë përfituar libra të reja falas, ndryshe nga vitet e mëparshme kur atyre u jepeshin libra të përdorur. Përtej nismës së lavdërueshme për pajisjen e nxënësve me tekste të reja falas, ekspertët kanë rezervat e tyre për sa i përket cilësisë së teksteve shkollore në sistemin tonë arsimor.
Një prej pikave të programit qeverisës 2021-2025 për sa i përket çështjeve të arsimit është edhe dhënia e librave falas për nxënësit e arsimit bazë.
“Tekstet shkollore falas për të gjithë nxënësit e arsimit bazë – Për vitin shkollor 2021-2022 janë përfshirë tashmë në skemën për tekstet shkollore në përdorim falas edhe pwr nxënësit e klasës së tetë dhe të nëntë, në total 280 mijë nxënës të arsimit bazë dhe të kategorive të veçanta në arsimin e mesëm të lartë, duke lehtësuar ndjeshëm barrën financiare të familjeve”- përcaktohet në programin qeverisës për mandatin e tretë 2021-2025.
Screenshot nga program qeverisës
Në lidhje me përmbushjen e këtij premtimi, Faktoje iu drejtua fillimisht me një kërkesë për informacion Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, ku ndër të tjera e pyetëm sa nxënës kanë përfituar libra falas në vitin shkollor 2021-2022.
Kërkesa për informacion dërguar MASR, 18 janar 2022
“Në bazë të VKM Nr. 486, datë 17.6.2020 Për shtypjen, botimin, shpërndarjen dhe shitjen e teksteve shkollore të sistemit të arsimit parauniversitar, i ndryshuar, për vitin shkollor 2021-2022, kanë përfituar libra falas 244,548 nxënës nga klasa e 1-9, dhe 15,477 nxënës të kategorive të veçanta që ndjekin mësimin në institucionet arsimore publike të arsimit parauniversitar.
Dhënia e librave falas për të gjithë nxënësit e arsimit bazë është një angazhim i MAS, i cili është përmbushur. Ndërkohë nxënësit e arsimit të mesëm të lartë (klasa 10-12) që i përkasin kategorive të veçanta dhe grupeve vulnerabël marrin çdo vit të gjitha tekstet falas (duke filluar nga viti shkollor 2019-2020). MAS nuk ka planifikuar dhënie të teksteve falas për të gjithë nxënësit e arsimit të mesëm të lartë”- bën të ditur MASR në përgjigjen zyrtare për Faktoje.
Ne biseduam me prindër për të konfirmuar nëse fëmijët e tyre i kanë marrë librat falas, ashtu siç është premtuar nga qeveria. Ata na sqaruan se ndyshe nga vitet e tjera, librat u janë dorëzuar nxënësve të paketuara ditën e parë të nisjes së vitit të ri shkollor.
“Ndryshe nga vjet, këtë herë librat i morëm të reja dhe na u dorëzuan nga mësuesja kujdestare ditën e nisjes së shkollës. Vjet ishte një tmerr, pasi fëmija im i mori librat të vjetra, ishin plot me shënime me stilolpas dhe ishte mjaft e vështirë të punohej me to. Për këtë arsye, unë u detyrova t’ia blija vetë”- tregon E.M. nënë e një fëmijë të klasës së tretë.
Ndërkohë, një nxënëse e klasës së tetë i tha Faktoje: “Po, librat i morëm falas sapo nisi shkolla. Shpërndarja u bë nga mësuesja kujdestare dhe librat ishin të papërdorur”.
Mirëpo, tekstet shkollor duket se kanë mangësi të theksuara. Kjo është ngritur si shqetësim nga ekspertët, në një artikull të publikuar nga Faktoje më 15 dhjetor 2021.
Eksperti Albano Zhapaj argumentonte se problematika me tekstet shkollore të përkthyera copy-paste, është shumë serioze. Madje, edhe vetë mësuesit pranojnë se hasin vështirësi me tekstet në procesin e mësimdhënies dhe në disa raste janë detyruar t’u rikthehen teksteve të vjetra për mësuesit.
“Nuk mund të marr unë tani librat e Oxford-it, mënyrën se si ata i transmetojnë vlerat e tyre te fëmijët e tyre dhe t’i marr copy-paste dhe t’ua transmetoj fëmijëve tanë, për sa i përket shkencave sociale.
Nga informacionet që kam unë, mësuesit në këto vitet e fundit, për të shpjeguar disa lëndë, përdorin fotokopje të librave të vjetër, sepse janë të sqaruara më mirë dhe më të konceptuara. Ndërkohë, këto librat e përkthyera, le që janë përkthyer keq, por janë edhe me gabime kuptimore. Mësuesit këtë gjë e kanë bërë në heshtje. Një libër që nuk e kupton vetë mësuesi, si mund të jetë në gjendje t’ia shpjegojë vetë nxënësit.
Pra, semantika e librave nuk është në përputhje me logjikën e thjeshtë dhe tradicionale që kemi. Shkon fëmija në shtëpi dhe prindi nuk di t’ia shpjegojë.
Ne kemi një krizë identiteti, sepse edukohemi nga gjëra që nuk janë tonat, ndërkohë që ne kemi vlera si popull. Bërja e librave më përkthime, mua më duket më shumë si biznes që ka ecur ndër vite sesa një dëshirë e shtypshkronjave dhe autorëve për të futur një kulturë të re në vend”- sqaronte zoti Zhapaj për Faktoje.
Foto kryesore marrë nga web