.

.

BallinaProjekteArsimi para dhe pas Covid-19: Fakte të thelluaraMësimi me turne dhe skenarët që nuk përjashtojnë rikthimin e mësimit online

Mësimi me turne dhe skenarët që nuk përjashtojnë rikthimin e mësimit online

Viti i ri shkollor, nuk i shpëtoi zhvillimit të mësimit me turne. Rreth 480 mijë nxënës të sistemit parauniversitar në nivel kombëtar, do të bëjnë orë të reduktuara duke iu përshtatur masave anticovid. Edhe pse MASR, paraqet pandeminë si shkak të mësimit me turne, Faktoje ka verifikuar se një tjetër arsye është edhe mungesa e shkollave, ndërsa në ato ekzistuese nëpër fshatra mungojnë kushtet bazike, si uji. Në një komunikim zyrtar me MASR, mësuam se vijueshmëria e mësimit fizikisht në shkolla, mund të ndryshojë në varësi të vendimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve, çka do të thotë se edhe mësimi i kombinuar ose online është një opsion.

…..

Prindër dhe nxënës para shkollës 9-vjeçare “Kosova” në Tiranë

Viti i ri shkollor nisi zyrtarisht me turne, ashtu siç paralajmëroi Faktoje në një artikull të publikuar më 2 shtator. Zyrtarisht, ky skenar u konfirmua nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi nëpërmjet një postimi në Facebook,  pak javë pas publikimit të atij artikulli.

“Në respekt rigoroz të ruajtjes së distancës, në shkollat apo klasat ku është e nevojshme, do të aplikohet përsëri mësimi me turne, ndërkohë që vazhdon puna intensive për të nisur sa më mbarë vitin shkollor dhe që çdo gjë të jetë gati më 27 shtator”- njoftoi ministrja në datën 20 shtator.

Në postim theksohet se shkak për këtë vendim janë kushtet e diktuara nga pandemia Covid-19. Kjo tezë nuk qëndron, të paktën për shkollat e disa fshtrave të verifikuara së fundi nga Faktoje ndonëse mësimi me dy turne është një prej problemeve ekzistuese të kahershme të sistemit arsimor në vend.

Mësimi me turne dhe shkollat e reja

Arsyeja e zhvillimit të mësimit me turne, nuk është vetëm pandemia, sikurse deklarohet nga qeveri, e cila njofton se organizimi i procesit do të bëhet njësoj si një vit më parë, ku orët e mësimit do jenë 30-minutëshe dhe në varësi të shkollave është përcakuar edhe orari për klasat e ndryshme.

Mësimi nis në orën 08:00 dhe në disa prej shkollave në kryeqytet përfundon në 17:30. Ndarja e nxënësve do të bëhet në dy grupe, si një masë për të ruajtur distancimin fizik për shkak të pandemisë Covid-19. Secila klasë planifikohet të ketë jo më shumë se 15-18 nxënës, duke respektuar protokollin e sigurisë për koronavirusin.

Por, sipas njoftimit nga secila shkollat, skenarët për fillimin e procesit mësimor dhe variantet e përzgjedhur u lanë në varësi të situatës lokale të pandemisë Covid-19.

Screenshot mesazh i dërguar nga mësuesit e një shkolle 9-vjeçare për nisjen e vitit të ri shkollor me turne

Më 23 shtator, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj dhe ministrja e Arsimit, Evis Kushi zhvilluan një takim me drejtuesit e shkollave në kryeqytet. Zoti Veliaj deklaroi se ky vit i ri për arsimin parauniversitar do të hyjë në histori sa i përket investimit në infrastrukturën shkollore, pasi kryeqytetit do t’i shtohen 10 shkolla.

Sipas tij, në këtë mënyrë do t’i jepet fund edhe mësimit me dy turne, por pavarësisht premtimeve të shumta, duket e pamundur që kjo të realizohet edhe këtë vit shkollor.

“Tani, me shkollat që hapim në shtator, do hapim edhe katër të tjera në tetor, kurse pjesën tjetër në janar, besoj se do hyjmë në histori, ku e kthyem fatkeqësinë e tërmetit në mundësi për të bërë shkolla!” – u shpreh Veliaj.

Postimi i Veliajt në Facebook, 23 shtator 2021

Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Ministrisë së Arsimit, të cilës i kërkuam të dhëna për numrin e shkollave të rindërtuara pas tërmetit të vitit 2019.

MASR u përgjigj për Faktoje se kjo nuk është përgjegjësi e saj, duke ia deleguar kërkesën Ministrisë së Rindërtimit.

“Në zbatim të Kreut II, të Vendimit nr. 11, datë 10.01.2020 Për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrit të Shtetit për Rindërtimin, ‘Ministri i Shtetit për Rindërtimin është përgjegjës për hartimin dhe ndjekjen e zbatimit të masave për eliminimin e pasojave dhe rindërtimin e objekteve të dëmtuara e të shkatërruara nga fatkeqësia natyrore, tërmeti i datës 26.11.2019’.

Gjithashtu, nëpërmjet Vendimit Nr.212, datë 11.3.2020 është përcaktuar përdorimi i fondit të rindërtimit për financimin e rindërtimit të objekteve arsimore, i cili ngarkon ministrin e Shtetit për Rindërtimin, për zbatimin e tij.

Sa më sipër, në cilësinë e koordinatorit për të Drejtën e Informimit pranë Ministrit të Shtetit për Rindërtimin, lutem respektimin e afateve të ligjit nr.119, date 18.09.2014 ‘Për të drejten e informimit’, për t’i kthyer përgjigjen”- thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Arsimit.

Përgjigja e Ministrisë së Arsimit, 22 shtator 2021

Deri në publikimin e këtij artikulli nuk kemi marrë një përgjigje nga ministria e Rindërtimit.

Në 20 shtator 2021 Faktoje raportoi se edhe në vitin e dytë shkollor që pasoi tërmetin e 26 nëntorit 2019, premtimet për 143 shkolla të rindërtuara dhe rikonstruksionin e atyre të dëmtuara, nuk ishin përmbushur.

Nga verifikimi i 12 objekteve arsimore në bashkitë Shijak, Kamzë, Kurbin, Kavajë e Rrogozhinë, të planifikuara për rindërtim ose rinkonstruksion, shumica e tyre ose nuk kanë nisur të rindërtohen, ose në ato objekte ku ka nisur puna duhet ende kohë që ato të jenë gati për zhvillimin e procesit mësimor. Një prej këtyre shkollave madje, në Milot, edhe pse me mjedise të amortizuara shërbent edhe si qendës Shëndetësore.

Edhe më 24 gusht të 2020, Faktoje ngriti problemin e shkeljes së afateve për rindërtimin e 143 shkollave të premtuara nga kryeministri Edi Rama, por edhe pse ka kaluar më shumë se një vit nga publikimi i këtij artikulli, një pjes e madhe tyre  ende nuk janë gati, ashtu siç u zotua kryeministri.  Ndaj zhvillimi I mësimit me turne, imponohet jo vetëm nga ruajtja e masave anticovid, por edhe sepse shumë shkolla nuk mund të ofrojnë mjediset mësimore.

Vaksinimi i detyruar për mësuesit

Më 7 shtator, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu shpalli vaksinimin e detyruar për mësuesit dhe pedagogët, duke vendosur 30 shtatorin si afatin e fundit.

Në lidhje me këtë çështje, Faktoje dërgoi një kërkesë për informacion në adresë të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Një prej pyetjeve drejtuar MASR ishte në lidhje me planin e këtij institucioni për vaksinimin e stafit të sistemit parauniversitar në Shqipëri.

“Muaji Shtator ka qenë muaji i hapur për vaksinim dhe nga Komiteti i Ekspertëve është vendosur se mësuesit dhe punonjësit e tjerë duhet të jenë të vaksinuar. Procesi është në vijim dhe mendojmë se brenda afatit të përcaktuar do jetë mbyllur me sukses”- thuhet në përgjigjen e MASR dërguar në datën 21 shtator.

Në lidhje me ecurinë e vaksinimit të mësuesve dhe pedagogëve, Faktoje kishte dërguar edhe më herët një kërkesë për informacion në adresë të Ministrisë së Shëndetësisë.

Kërkesa për informacion dërguar Ministrisë së Shëndetësisë më 30 gusht

Më 14 shtator morëm një përgjigje nga ky institucion, i cili i delegonte përgjegjësnë për trajtim Operatorit të Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor dhe Institutit të Shëndetit Publik. Mirëpo, nga këto dy të fundit, ende nuk kemi marrë një përgjigje për numrin e mësuesve dhe pedagogëve që kanë mbetur pa u vaksinuar.

Ndërkohë, në një intervistë për “News 24” më 28 shtator, ministrja e Arsimit, Evis Kushi bëri të ditur se sipas shifrave të fundit 87% e mësuesve janë të vaksinuar, 71% prej tyre i kanë marrë të dyja dozat.

“Procesi i vaksinimit të mësuesve po shkon shumë mirë. Sot 87% e mësuesve janë vaksinuar, nga këta 71% kanë marrë dy doza”- u shpreh ajo.

Veç kësaj, Kushi shtoi se asnjë mësues deri tani nuk ka refuzuar të marrë vaksinën dhe nëse ndodh një gjë e tillë, ai duhet të paraqesë test PCR çdo javë.

“Nuk kam parë rast të mësuesve që refuzojnë të vaksinohen. Rastet e tyre që nuk janë vaksinuar janë ata që e kanë kaluar Covid pak kohë më parë ose kanë sëmundje të tjera. Në rastet që mësuesit refuzojnë vaksinën duhet test PCR çdo javë. Ky është një urdhër nga MSH”- deklaroi ministrja e Arsimit në “News 24”.

Por, çfarë masash janë menduar nga MASR për mbrojtjen nga variantet e reja të Covid-19 për fillimin e vitit shkollor në sistemin parauniversitar?

“Ka një protokoll të detajuar dhe te miratuar nga ISHP për të gjitha hapat dhe veprimet që duhet të ndërmarrin institucionet arsimore dhe çdo aktor i sistemit arsimor për t’u ruajtur nga Covid-19 dhe variantet që janë shfaqur.

Këto protokolle janë dërguar në çdo shkollë dhe në bashkëpunim me njësitë vendore të cilat përgjigjen për infrastrukturën janë marrë të gjitha masat për një proces të sigurt mësimor”-theksohet në përgjigjen zyrtare të Ministrisë së Arsimit.

Përgjigja e MASR, 21 shtator 2021

Edhe këtë vit mësimi online, mbetet një opsion

Në një intervistë për “News 24” në 1 shtator, zv.ministrja e Arsimit, Nina Guga deklaroi se ende nuk kishte një vendim për vijueshmërinë e procesit mësimor, teksa vendi po përballet me rritje të të infektuarve nga Covid-19.

“Ne mbajmë komunikim të vazhdueshëm me Komitetin Teknik të Ekspertëve. Kështu që në funksion të dinamizmit, ne do të zbatojmë protokollet dhe në çfarë skenarësh do të kalojë pjesa e mësimit. Ende nuk është vendosur se si do të vijohet me shkollën, do të vijojë online, pjesërisht online apo do të kthehemi në ambientet fizike”- u shpreh ajo.

Nisur nga kjo deklaratë edhe interesi i madh i prindërve për ecurinë e zhvillimit të procesit mësimor, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

MASR bëri të ditur për Faktoje se institucionet kanë marrë të gjitha masat për fillimin e mësimit në kushte normale. Mirëpo, në përgjigje theksohet se Ekspertët e Komitetit Teknik kanë të drejtë të rekomandojnë për vazhdimësinë e procesit mësimor, në varësi të situatës për shkak të Covid-19.

“Në përgjigje të kërkesës për informacion, ju bëjmë me dije se ekspertët e komitetit teknik vlerësojnë rregullisht situatën pandemike në vend dhe japin rekomandime, ndër të tjera edhe për vazhdimësinë e procesit mësimor. Për fillimimin e vitit shkollor 2021-2022 institucionet kanë marrë të gjitha masat për fillimin e mësimit në kushte normale dhe ndërkohë në varësi të ecurisë së situatës pandemike nga COVID-19 do bëhen publike dhe skenarët e mundshëm të zhvillimit të procesit mësimor”- sqaron Ministria e Arsimit.

Përgjigja e MASR për Faktoje, 14 shtator 2021

 Udhëzimi për masat anti-Covid në shkolla

udhëzimin “mbi kujdesin dhe masat anti Covid-19” në strukturat arsimore parauniversitare për vitin shkollor 2021-2022 përcaktohet qartë se nxënësit duhet të ruajnë distancën 1.5 m në klasa. Gjithashtu, mësuesit dhe nxënësit duhet të jenë të pajisur me maska gjatë qëndrimit të tyre në shkollë.

Gjithashtu theksohet se nëse transporti i nxënësve kryhet me mjete të transportit të dedikuara ose publik, duhet të mbahet maska gjatë gjithë kohës së transportit (vajtje-ardhje) dhe keto mjete duhet t’ i nënshtrohen rigorozisht udhëzuesit për transportin.

Ndër të tjera në udhëzimin e publikuar nga Ministria e Shëndetësisë përcaktohet: “Nxënësve të ciklit të ulët 9-vjeçar u rekomandohet të mbajnë maskë gjatë orëve të mësimit.

Nxënësit e ciklit të lartë 9-vjeçar dhe të mesëm, duhet të mbajnë maskë në ambientet e brendshme dhe në të gjitha aktivitetet mësimore në ambientet e shkollës. Mësuesit sigurohen që në klasë të gjithë të jenë të pajisur me maskë dhe t’i mbajnë rregullisht ato”.

MASR pa strategji për plotësimin e boshllëqeve

Në  1 shtator Faktoje publikoi një artikull për mungesën e strategjisë së Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për të plotësuar mangësitë që u krijuan te nxënësit gjatë periudhës së pandemisë.

Ministrja e Arsimit Evis Kushi deklaroi në prill të këtij viti se po hartohet një strategji për të testuar njohuritë e nxënësve dhe çfarë mangësish janë krijuar gjatë vitit pandemik. Nga një komunikim zyrtar me MASR, Faktojes iu tha se strategjia do publikohej brenda qershorit për t’i paraprirë vitit të ri shkollor.

Por, ekspertët e sistemit parauniversitar bënë të ditur për Faktoje se strategjia nuk mund të jetë gati para dhjetorit.

Ministria e Arsimit nuk ka bërë publike as planin e veprimit që evidenton qartë mangësitë konkrete të nxënësve të arsimit parauniversitar të shkaktuar gjatë periudhës së pandemisë.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img