NGA SEBI ALLA

“A i marr falas këto ilaçet”?-pyet një paciente 61-vjeçare mjekun e familjes, teksa në vijim do i duhet të përballet me sëmundjen kronike të hipertensionit (tensioni i lartë arterial). Mjeku pohon për ilaçet falas, por sa për efektshmërinë e tyre, dukshëm vë në dyshim. “Falas i merr, po pyet çunat mos i kanë mundësitë t’i marrin më cilësore në farmaci”-thotë ai, duke bërë edhe një përllogaritje të shpejtë- “diku tek 28-30 mijë lekë (të vjetra) në muaj të shkojnë”. Pa e dhënë shumë veten, pasi ju duken shumë, gruaja 61-vjeçare thotë se t’i marrë një herë falas dhe pastaj të shohë e bëjë. Ky dialog pacient-mjek u zhvillua në një qendër shëndetësore në rrethinat e Tiranës. Kjo është një përballje e zakonshme në qendrat shëndetësore në vend, por pavarësisht shtimit të listës së ilaçeve të rimbursuara, cilësia e tyre është në pikëpyetje serioze. “Pacientët kanë kufizime në listën e ilaçeve të rimbursueshme dhe zakonisht jepen altenativat më të lira të barnave, rrjedhimisht për një pjesë të tyre edhe cilësia, për pasojë edhe efektshmëria vihet në dyshim”-thotë për Faktoje.al, mjeku Ilir Allkja.

Deklarata për garanci dhe shëndetësi falas

Sigurimi i barnave cilësorë dhe inovatore ishte një ndër premtime Ministres së Shëndetësisë Albana Kociu, në fund të vitit 2024 në konferencën për “Rikonceptimi i Kujdesit Shëndetësor, vizioni për një Shqipëri më të shëndetshme”.

“Sot flasim si të zhvillohemi më shumë, si të forcojmë akoma më shumë partneritetin mes nesh, si të zhvillojmë një platformë komunikimi të hapur, aktive të bashkëpunimit të ndërsjellë me qëllim që t’u sigurojmë qytetarëve, medikamente cilësore, barna inovatore në trajtimin e sëmundjeve”, u shpreh ministrja.

Por cilësia e ilaceve, e veçanërisht ajo e atyre të rimbursueshme vijon të mbetet e diskutuar në Shqipëri.

Ilaçe plot, efektshmëri e ulët

Një qytetar tregon sesa herë mundet barnat i blen jashtë. “Dallimi qoftë në cmim, por edhe në cilësi është shumë i ndjeshëm. Kostoja është gati e njëjtë, por cilësia dhe efektshëmëria e barnave të blera në vendet e BE-së, është e ndjeshme dhe me shëndetin nuk bëhet shaka”- përfundon qytetari A.K për Faktoje.

 “Ne kemi një listë të ilaçeve të rimbursueshme, kryesisht pensionistë por edhe pacientë që trajtohen me kemp janë pjesa kryesore që trajtohen, por efektshmëria e barnave nuk është e njëjtë me pjesën tjetër të medikamenteve të cilat nuk përfshihen në rimbursim”-pohon një farmacist në kushtet e anonimatit për Faktoje.al.

Zgjidhja që kanë bërë një pjesë është blerja e medikamenteve në farmaci, duke rritur kostot e shpenzimeve, sidomos për kategorinë e pensionistëve me të ardhura të pakëta financiare.

  • “Shpenzoj 63 mijë lekë në muaj, por jam më mirë, ilaçet i blej, ato tjerat (të rimbursueshmet) nuk më bënin shumë efekt”- thotë ajo, ndërsa thekson se “marr 120 mijë lekë (të vjetra) pension, por mi blen djali”.
  • Xhemile Sula

Pensionistja 67-vjeçare Xhemile Sula thotë për Faktoje.al se ka rreth një vit që vendosi të blejë ilaçet në farmaci, edhe pse për sëmundjen që ka (tension arterial dhe diabet) një pjesë i merrte me rimbursim.

“Shpenzoj 63 mijë lekë në muaj, por jam më mirë, ilaçet i blej, ato tjerat (të rimbursueshmet) nuk më bënin shumë efekt”-thotë ajo, ndërsa thekson se “marr 120 mijë lekë (të vjetra) pension, por mi blen djali”.

Rimbursim me ilaçe alternative

Nga 1366 lloje ilaçesh që rimbursohen plotësisht ose pjesërisht 47.2 % e tyre janë ilaçe alternative. Kjo nënkupton se rreth 53 % e ilaçeve rimbursohen sipas recetës së mjekut dhe pjesa tjetër në mungesë për shkak të çmimit të lartë, plotësohet me medikamente alternative për pacientët.

Duke e krahasuar me vitin 2013, ka një shtim të numrit të ilaçeve të rimbursueshme dhe shtrirje në kategori pacientësh. “Krahasuar me LBR (listën e barnave të rimbursueshme) 2013, dhe LBR në fuqi, janë më shumë në total: rreth 20.4% alternativa tregtare me rimbursim (janë 1.366 nga 1.135), rreth 56.9% principe aktive (janë 375, nga 239), rreth 47.2% alternativa të para (janë 627 nga 426)”-thuhet në qëndrimin zyrtar të FSDKSH-së për Faktoje.al. Të thjeshtuara, këto shifra nënkuptojnë se edhe në listën e ilaçeve të rimbursueshme aktualisht nga 1366 në total, 627 prej tyre janë ilaçe alternative. Sipas ekspertëve të shëndetësisë, kjo nënkupton se për një sëmundje të caktuar rekomandohet një ilaç bashkë me dozën përkatëse, në mungesë të tij, rimbursohen ilaçe alternative që ka përbërës të barit parësor, por jo në cilësinë dhe dozën e kërkuar dhe efektshmëria e tij ulet ndjeshëm.

Ikja e kompanive serioze farmaceutike

Deri në fundin e vitit 2014 disa kompani serioze në tregun farmaceutik, kryesisht të vendeve të BE-së, kishin vendosur në Shqipëri filialet e tyre ose distributorë. Pas vitit 2014, të gjithë u larguan sidomos pas ndryshimeve ligjore mbi përdorimin e barnave. Futja në treg e barnave që jo domosdoshmërisht duhet të tregtohen edhe në vendet e BE-së (që nënkupton cilësi dhe çmim më të lartë), apo dominimi i kompanive farmaceutike vendase bënë që të mbylleshin filialet e tyre, pasi nuk gjenin hapësirë në tregtinë e produkteve farmaceutike.

“Janë disa lloje ilaçesh të rimbursueshme pjesërisht ose të pjeshme që kanë cilësi. Kryesisht për sëmundjet tumorale dhe së fundmi edhe ato të diabetit”-thotë një mjek familje i cili kërkoi të prononcohej në kushtet e anonimatit. Specialistët e shëndetësisë cilësojnë si problematike për nga cilësia ilaçet e rimbursueshme që përdoren për tensionin arterial, disa sëmundje kronike që prekin zakonisht moshat e mëdha, por edhe medikamente që përdoren për pacientë të shëndetit të diagnostikuar me probleme të shëndetit mendor dhe që përfitojnë edhe kemp.

Kostoja e ilaçeve të rimbursuara

Fondi i përcaktuar çdo vit për ilaçet e rimbursueshme mban një zë të rëndësishëm në shpenzimet për shëndetësinë. “Vlera e shpenzimeve të rimbursimit e realizuar në total për barnat gjatë vitit 2024, ishte rreth 11.8 miliardë lekë. Në zbatim të Ligjit 115/2024 “Për buxhetin e vitit 2025”, fondi i akorduar për rimbursimin e barnave të Listës së Barnave të Rimbursuara për vitin 2025 është 12.6 miliardë lekë”-thotë FSDKSH.

Kush dhe sa përfitojnë

dhënat e FSDKSH-së, të vëna në dispozicion për Faktoje.al, theksojnë se ndër kategoritë me peshën më të lartë në rimbursim për vitin 2024, janë; “Pensionistë pa afat”; “Persona me sëmundje kronike” dhe “Invalid i Plotë”, buxheti i rimbursimit të të cilave në raport me rimbursimin total vjetor (për të gjitha kategoritë) rezulton respektivisht: rreth 48.1%, rreth 32.6% dhe rreth 16%. “Bazuar në të dhënat e Drejtorisë së Informacionit dhe Analizës Statistikore për vitin 2024, rezulton se:  Numri i pacientëve, të cilët kanë përfituar nga skema e rimbursimit për vitin 2024, janë në total 442.586 pacientë, nga të cilët 385.075 pacientë kanë përfituar barna të rimbursuara dhe 57.511 pacientë kanë përfituar pajisje mjekësore me rimbursim (fisha diabeti)”-thotë për Faktoje.al FSDKSH.

Premtim gjysmë i mbajtur

Krahasuar me vitin 2013 lista e ilaçeve të rimbursueshme plotësisht ose pjesërisht ka ardhur në rritje. Nga 1135 lloje medikamentesh në vitin 2013, lista është shtuar në 1366 për vitin 2025. Por, cilësia e barnave sikurse pranohet nga mjekë dhe farnacistë ka rënie pasi nuk është më kriter që këto medikamente duhet të tregtohen të paktën në dy nga vendet e BE-së. Ndaj premtimin për sigurimin e medikamente cilësore qytetarëve e kategorizojmë gjysmë i mbajtur.

Gjithashtu premtimi për shëndetësinë falas konsiderohet gjysmë i mbajtur. Kjo duket edhe nga një raport i Organizatës Botërore të Shëndetësisë ku në studimin e saj thekson se rreth 60 % e kostove të shëndetit shqiptarët i paguajnë nga xhepi dhe vetëm 40 % e shpenzimeve mbulohen nga shteti. Një pjesë e mirë e shpenzimeve shëndetësore lidhet me blerjen e ilaçeve edhe nga të sëmurë që përfshihen në kategorinë e pacientëve që përfitojnë rimbursim të plotë ose të pjesshëm, por për shkak të cilësisë së ulët të barnave të rimbursueshme detyrohen t’i blejnë në farmaci.

Diagnozat me numrin më të lartë të pacienteve janë:

-Hipertension arterial

-Diabet Mellitus

-Çrregullime të metabolizimit të yndyrnave

-Insuficencë kardiake

-Angor pectoral

-Astma bronkiale, SPOK.

Shpenzimeve kryesore të rimbursimit:

-Diabet Mellitus

-Hipertension esencial

-Tumori malinj i gjirit te femrat

-Insuficencë kardiake

-Çregullime të ritmit të zemrës

-Angor pectoral (sëmundje kardiovaskulare)

-Melanoma malinje

-Astma bronkiale

-Bllokim kronik

-Sëmundje të organeve hemopoetike -Leuçemia mieloide

Ky artikull u realizua me mbështetjen e Fondacionit “Friedrich Ebert”