11 shtatori ringjall teoritë konspirative për rrëzimin e kullave binjake

1503

Përvjetori i sulmeve të 11 shtatorit rikthen teoritë konspirative për sulmet terroriste. Verifikimet rrëzojnë pretendimet për një sulm të orkestruar nga qeveria e SHBA-ve në kullën 7 të kompleksit të Qendrës Botërore Tregtare. 

Sulmi terrorist ndaj kullave binjake në SHBA ku mbetën të vrarë mijëra njerëz vijon të jetë në qendër të teorive konspirative edhe 22 vite pas ngjarjes tragjike. 

“11 shtatori po afron. 22 vjet. Kullën 1 dhe 2 na thanë që i goditën dy avionë dhe ranë si të ishin prej kartonxhesi. Po kullën 7 kush e goditi apo ra vetë nga meraku?”

Këtë pyetje ngre përmes një postimi në Facebook një përdorues shqiptar, pak ditë përpara 22 vjetorit të sulmit terrorist ndaj kullave të Qendrës Botërore Tregtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Bashkë me statusin, profili në fjalë, ka ndarë edhe një video nga Youtube në të cilën duket shembja e kullës në fjalë, jo shumë larg kullave binjake.

Edhe pse kanë kaluar mbi dy dekada nga kjo ngjarje tragjike, njerëz të ndryshëm ende pretendojnë se sulmet janë orkestruar nga qeveria amerikane. Sipas konspiracionistëve, kulla e quajtur Qendra Tregtare Botërore 7 (WTC7), e cila u shemb pas kullave binjake, u rrëzua me një shpërthim eksplozivi dhe jo nga zjarri. Meqenëse WTC 7 strehonte zyrat e Shërbimit Sekret dhe CIA-s, teoricienët e konspiracionit mendojnë se ndërtesa u shkatërrua përmes një shembje të kontrolluar me qëllim që të fshiheshin provat e bashkëpunimit të qeverisë së SHBA në sulmet terroriste. Kjo teori konspirative përsëritet çdo 11 shtator. 

Por një raport zyrtar i Institutit Kombëtar të Standardeve dhe Teknologjisë (NIST) i kundërshton këto pretendime. 

Për shkak të përmasave që mori ngjarja tragjike e 11 shtatorit të vitit 2001, Kongresi Amerikan autorizoi NIST të kryente një hetim federal mbi shembjen e ndërtesave, evakuimin e banorëve dhe reagimin e emergjencës. Më shumë se 200 profesionistë dhe ekspertë të çështjeve teknike, duke përfshirë 85 anëtarë të stafit të NIST, morën pjesë në hetimin disavjeçar të kësaj ngjarjeje. Në përfundim, raporti i detajuar i hetimin nxorri në pah dhe konfirmoi faktin se shembja e ndërtesave ishte vetëm si pasojë e zjarrit.  

Mesazhi ynë sot është se arsyeja e rënies së World Trade Center 7 nuk është më një mister,” u tha gazetarëve hetuesi kryesor i NIST Shyam Sunder në konferencën për shtyp në Gaithersburg Md, më 1 gusht 2017. WTC 7 u shemb për shkak të zjarreve të ndezura nga orenditë e zyrës. Nuk u shemb nga eksplozivët apo nga zjarri i karburantit dizel.”, theksoi hetuesi duke shtuar se raporti konfirmon se shkaku i vërtetë ishtë zjarri. 

“Kjo është hera e parë që ne jemi në dijeni, se një ndërtesë më e lartë se rreth 15 kate është shembur kryesisht për shkak të zjarreve,” u tha Sunder gazetarëve në konferencën për shtyp. “Ajo që zbuluam ishte se zjarret e pakontrolluara të ndërtesave – të ngjashme me zjarret e përjetuara në ndërtesa të tjera të larta – shkaktuan një ngjarje të jashtëzakonshme, shembjen e WTC7.” 

Natyra e paprecedentë e ngjarjes do të thotë se të kuptuarit e mekanizmit të saktë të shembjes është i rëndësishëm jo vetëm për t’iu përgjigjur pyetjeve të teoricienëve të konspiracionit, por për të përmirësuar standardet e sigurisë në inxhinierinë e ndërtesave të mëdha.

Shembja e ndërtesave pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, ishte një nga fatkeqësitë më të mëdha të ndërtesave në historinë e SHBA-së, ku mbetën të vrarë 2.749 njerëz.