Zvarritje punimesh në rrugën Ndroq–Plepa

5 kilometrat e para nuk përfunduan para ndërrimit të viteve, siç deklaroi ministrja Balluku

14

5 kilometrat e parë të rrugës Kombinat–Ndroq–Plepa duhet të përfundonin përpara natës së ndërrimit të viteve. Verifikimet në terren tregojnë se punimet nuk janë mbyllur, ndërsa ARRSH konfirmon për Faktoje se rikonstruksioni i plotë i aksit është ende larg.

Esmeralda Topi

Punimet për rikonstruksionin e rrugës së vjetër Kombinat–Ndroq–Plepa nisën në vjeshtën e vitit 2024. Aksi, me një gjatësi totale rreth 28 kilometra, po zbatohet në tre faza dhe konsiderohet një investim i rëndësishëm për lidhjen e zonave rurale me Tiranën dhe Durrësin, si dhe për zhvillimin e agroturizmit.

Gjatë një inspektimi në kantier, kryeministri Edi Rama, së bashku me ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaruan se faza e parë, që përfshin rreth 5 km, ishte drejt përfundimit.

“Afati kontraktual është maj 2026, por synimi ynë është që këto 5 kilometrat e para t’i përfundojmë natën e vitit të ri”, u shpreh Balluku.

Sipas saj, rruga do të kalonte nga një rrugë rurale në një rrugë të kategorisë C, me kurorë 12.5 metra, dy korsi qarkullimi dhe shpejtësi nga 50 deri në 100 km/orë. 

Pjesë e projektit është edhe ndërtimi i një ure të re në zonën e Urës së Beshirit, me fonde të Bankës Botërore, e cila do të eleminojë kthesat e rrezikshme në këtë segment.

Fakt

Verifikimet në terren tregojnë se 5 kilometrat e para të rrugës Kombinat–Ndroq–Plepa nuk janë përfunduar, pavarësisht deklaratave për mbylljen e tyre përpara ndërrimit të viteve. Në segmentet e para të aksit vijojnë të jenë aktive punimet, me zona të papërfunduara dhe ndërhyrje në infrastrukturën nëntokësore.

Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), punimet në kontratën “Rikonstruksion i rrugës së vjetër Kombinat–Ndroq–Plepa”, Loti 1, janë realizuar vetëm në masën 76% të vlerës së kontratës.

“Punimet sipas kontratës përfundojnë në maj 2026”, sqaron shkurtimisht ARRSH për Faktoje.

Kostoja totale për rikonstruksionin e rrugës së vjetër Tiranë–Ndroq–Plepa është 87 milionë euro, faturë që do të mbulohet nga taksat e qytetarëve. 

Faza e parë e rikonstruksionit të rrugës Tiranë–Ndroq–Plepa përfshin rreth 5 kilometra nga 28 km që është gjatësia totale e aksit, pra rreth 18% e gjithë rrugës. Kjo do të thotë se afërsisht 82% e punimeve mbeten ende për t’u realizuar.

Përfundim

Rikonstruksioni i rrugës Kombinat–Ndroq–Plepa është një projekt me rëndësi të veçantë infrastrukturore dhe ekonomike për zonat përreth, por deri tani është shoqëruar me deklarata optimiste që nuk janë reflektuar në terren.

Nisur nga verifikimet e kryera dhe informacionet zyrtare të ARRSH-së, deklaratën e ministres Belinda Balluku se 5 kilometrat e parë të rrugës do të përfundonin përpara natës së ndërrimit të viteve, e kategorizojmë të pavërtetë.