Pretendimi: Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance ka ndryshuar tre herë emrin e tij

Vlerësimi: Pjesërisht e pavërtetë

Jona Cenameri

Më 1 shtator, një përdorues shqiptar në Facebook shpërndau dy foto të JD Vance, një imazh nga fëmijëria e tij dhe një me pamjen e tij aktuale, duke e shoqëruar me mbishkrimin: “Konservator që nuk ruan dot as emrin e tij unë nuk kam parë ndonjëherë. Kështu dhe puna e Xhemsit.”

Në vetë foton e shpërndarë shkruhej në anglisht:

“Lind si James Donald Bowman; 

U rrit në periferi të Middleton, Ohio; 

Aspak i varfër, shkoi në Yale; 

Ndryshoi emrin e mesëm në David; 

Ndryshoi emrin përsëri në Jimmy Hamel; 

ndryshoi emrin në JD Vance 10 vjet më parë kur u martua me gruan.”

Duke përdorur Google Lens, u identifikua një postim në X, ku kjo meme cilësohej si: “mashtruese, pa asgjë reale pas saj”, duke sqaruar se ndryshimet e emrit lidhen me historinë familjare të JD Vance. Bowman është mbiemri i babait biologjik. Hamel është mbiemri i babait adoptues. Ndërsa Vance është mbiemri i nënës, të cilin ai vendosi ta mbante si i rritur pas divorcit të dytë të nënës. Në të njëjtin postim theksohej se Vance studioi në Ohio State dhe Yale me ndihmën e GI Bill, një skeme qeveritare që ndihmon ushtarakët dhe familjarët e tyre për të studiuar, duke rrëzuar versionin se Vance u rrit në një familje të pasur. 

Kërkimi në burime të tjera e mbështet këtë version. The Associated Press News dhe People.com raportojnë se JD Vance ndryshoi zyrtarisht dy herë emrin për shkak të rrethanave familjare. Ndërkohë, Snopes e vlerëson pretendimin si “Mixture”, një përzierje faktesh dhe pasaktësish.

Asnjë burim i besueshëm nuk përmend emrin “Jimmy Hamel”, ndërsa pretendimi se ndryshimi në “Vance” lidhet me martesën e tij nuk është i vërtetë. Ky ndryshim u bë përpara fillimit të karrierës politike dhe lidhet me vendimin personal të Vance për të nderuar dhe për t’u identifikuar me nënën dhe gjyshërit e tij.

Pretendimi është pjesërisht i vërtetë. JD Vance ka pasur realisht tre variante ligjore të emrit (Bowman, Hamel, Vance), por postimi i shpërndarë është i manipuluar. Ai shton një emër të sajuar (“Jimmy Hamel”) dhe e paraqet ndryshimin si të dyshimtë, ndërkohë që në të vërtetë lidhet me rrethanat familjare dhe me zgjedhjen personale për të mbajtur mbiemrin e gjyshërve.

Ky rast tregon sesi memet dhe imazhet e ricikluara në rrjete sociale përdoren për të përhapur dezinformim, duke shtrembëruar fakte të verifikuara.