Një vit pas miratimit të ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, beteja për mbrojtjen e natyrës arrin në Gjykatën Kushtetuese. Vendimi pritet brenda korrikut. Lexo më shumë në Faktoje.al

Esmeralda Topi 

Më 2 mars 2024, socialistët miratuan ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura, pavarësisht kundërshtimeve të opozitës, shoqërisë civile, ekspertëve të mjedisit dhe Brukselit. Presidenti Bajram Begaj, pavarësisht pritshmërive për ta kthyer ligjin për rishqyrtim, e dekretoi atë disa javë më pas, duke lënë si mundësi të vetme ankimimin në Gjykatën Kushtetuese.

Një vit më vonë, beteja ligjore është zhvendosur pikërisht aty, ku deputetë të opozitës, të mbështetur nga Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë (AOS) dhe Qendra EcoAlbania, kërkojnë pezullimin e këtij ligji, që, sipas tyre, kërcënon rëndë natyrën shqiptare dhe bie ndesh me Kushtetutën e vendit. 

Ligji ekzistues parashikonte ndalime të rrepta për ndërtimet në zona të mbrojtura, ndërsa ndryshimet e miratuara i hapin rrugën zhvillimeve infrastrukturore dhe turistike. 

Me sytë nga Kushtetuesja

Pas dy seancash, Gjykata Kushtetuese pritet të shpallë vendimin për këtë çështje brenda këtij muaji. Vendimi pritet të ketë ndikim jo vetëm për të ardhmen ekologjike të Shqipërisë, por edhe për pjesëmarrjen publike në vendimmarrje që prekin mjedisin dhe zhvillimin e qëndrueshëm. 

Presidenti i Shoqatës Ornitologjike të Shqipërisë, Taulant Bino, pret një vendim të pavarur dhe jo të ndikuar nga politika.

“Në fund të fundit, ky nuk është një vendim për organizatat, por për dinjitetin tonë njerëzor, për mbrojtjen e shëndetshme të kësaj natyre dhe mjedisi që na e kanë lënë të parët dhe duhet tua trashëgojmë, në gjendje edhe më të mirë, brezave të ardhshëm. Mjedisi dhe natyra nuk janë të politikës, por të shqiptarëve”, argumenton Bino për Faktoje.al. 

Edhe Olsi Nika, nga qendra “Eco Albania” thekson se Kushtetuesja ka përgjegjësi të madhe për të rikthyer besimin në shtetin e së drejtës.

“Nëse Gjykata do ta rrëzojë këtë ligj, do të jetë një fitore për komunitetet lokale dhe për të gjithë ata që shohin në natyrën shqiptare një pasuri të përbashkët e të patjetërsueshme. Në të kundërt, mund të hapë një epokë të re të zhvillimeve turistike intensive në zemër të pasurive natyrore të vendit, me pasoja të pariparueshme për biodiversitetin dhe identitetin ekologjik të Shqipërisë”, pohon Nika. 

Po ashtu, deputetja Ina Zhupa, një nga nismëtaret e padisë ndan të njëjtën pritshmëri. Ajo tha për Faktoje.al se pret që Gjykata Kushtetuese të shfuqizojë ligjin mbi këto argumenta: 

“Pikësëpari vërtetuam që nuk është kryer një proces i konsultimit publik, siç e kërkon Kushtetuta për çështjet e mjedisit. Së dyti, vërtetuam që ligji nuk duhet të kishte kaluar sepse ishte një ligj me kosto financiare dhe nuk shoqërohej me raport financiar për këto kosto”, thotë Zhupa duke shtuar se:

“Së treti, që është dhe thelbi i çështjes, tashmë në zonat e mbrojtura me këtë ligj është hequr çdo lloj kufizimi. Mund të shfarrosen fare zonat e mbrojtura. Kjo cënon edhe parimin e solidaritetit social”.

Prapavijë

Debati për fatin e zonave të mbrojtura nuk është i ri. Prej vitit 2019, kur nisi procesi i rishikimit të rrjetit të zonave të mbrojtura, vendimmarrja është shoqëruar me polemika dhe protesta. Vendimi i KKT-së në dhjetor 2020 që reduktoi sipërfaqet e disa zonave të mbrojtura u përball me reagime të forta, ndërsa në nëntor 2022 u miratua një hartë përfundimtare me disa korrigjime dhe shtesa të reja si Alpet apo lumi Vjosa. Megjithatë, përpjekjet për të ligjëruar ndërtime në këto zona kulmuan me miratimin e ndryshimeve ligjore vitin e shkuar.  

Asokohe, deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa u angazhua në një tur takimesh për të diskutuar nëpër Shqipëri, dëmin dhe pasojat që sipas saj sillte ligji i ri në Zonat e Mbrojtura. 

“Ligji i Zonave të Mbrojtura është një ligj i cili do të çohet në Gjykatën Kushtetuese nga Partia Demokratike, nga deputetët opozitarë duke qenë se janë një subjek i pakushtëzuar, por ne nuk do jemi vetëm”, premtoi Zhupa në tryezën e parë të diskutimeve në Pogradec.

Një vit më vonë, sytë janë nga Gjykata Kushtetuese, e cila pritet të japë vendimin deri në fund të korrikut. 

Përfundim

Deputetja Ina Zhupa, një nga zërat më aktivë kundër ndryshimeve të ligjit për zonat e mbrojtura, kishte premtuar publikisht që do ta çonte këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese. Me dorëzimin e padisë dhe zhvillimin e procesit deri në mbylljen e seancave gjyqësore, ky premtim kategorizohet i mbajtur.