Zierja e uthullës pak shanse për të pastruar qiellin nga kimikatet

5

Pretendimi: Avullimi i uthullës pastron qiellin nga vazhdat kimike ose kemtrajlet dhe ndikimet e HAARP

Verdikti: E paprovuar

———————————————————–

Në rrjetet konspiracioniste, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se avullimi i uthullës përdoret për të pastruar qiellin nga “chemtrails dhe ndikimet e HAARP.”

Si zakonisht, ky pretendim nuk shoqërohet me ndonjë provë, burim apo referencë për ta mbështetur. 

Spërkatja e kimikateve nga avionët (chemtrails) është një teori konspirative që pretendon se qeveria apo palë të tjera janë të angazhuar në një program sekret për të futur kimikate toksike në atmosferë nëpërmjet avionëve në një mënyrë që formon vazhda në qiell, si ato që duken pas avionëve.

Sipas Agjencisë amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit dhe NASA, vazhdat e bardha që duken pas avionëve në qiell quhen vazhda kondensimi (contrails), përbëhen kryesisht nga uji, dhe “nuk janë të rrezikshme për shëndetin e njeriut.”

Vazhdat e kondesimit formohen kur avulli dhe grimcat e hirit të imët nga djegia e karburantit të avionit ngrijnë në kristale akulli. Në ajër me lagështi të ulët, kristalet thjesht shpërbëhen. Nëse ajri ka më shumë lagështi, ato mbeten, dhe krijojnë vazhdat e avullit që duken me sy nëpër qiell. Ky ndryshim në nivelin e lagështisë së ajrit shpjegon pse disa avionë kanë vazhdë kondensimi dhe disa jo.

Spërkatja e uthullës në ballkon nuk ka asnjë efekt tek këto vazhda, ashtu siç nuk do të kishte efekt tek retë. Vazhdat e kondensimit janë fenomene fizike që ndodhin në lartësi prej mijëra metrash. Një lëng i spërkatur nga disa metra lartësi nuk mund të ndikojë në asnjë mënyrë në formimin ose shpërndarjen e tyre.

Uthulla nuk posedon ndonjë veti të veçantë lidhur me agjentët kimikë të dëmshëm, përveçse është dezinfektues i butë dhe heqës i gëlqeres.

Kimisti Dario Bressanini me shaka e quajti uthullën “një nga katër kalorësit e apokalipsit të pastrimit”, së bashku me sodën e bukës, kripën dhe limonin, përbërës që shpesh shiten në mënyrë të rreme si kura çudibërëse për gjithëfarëlloj problemi.

Teoria se uthulla pastron qiellin nga kemtrajlet është në qarkullim të paktën që nga viti 2012

Më 22 nëntor 2016, një sondazh i shkencëtarëve atmosferikë u botua nga Environmental Research Letters. 76 nga 77 (98.7%) e shkencëtarëve që morën pjesë në këtë studim thanë se nuk kishte prova të ekzistencës së një programi sekret të spërkatjes atmosferike në shkallë të gjerë dhe se të dhënat e cituara si prova mund të shpjegoheshin përmes faktorëve të tjerë.

Siç shpjegon skuadra kërkimore e fizikantit David Keith në Universitetin e Harvardit, nuk ka prova për ekzistencën e vazhdave kimike (chemtrails). Nëse do të ekzistonte vërtet një program qeveritar i kësaj shkalle, ai do të përfshinte një program po aq masiv për prodhimin, ngarkimin dhe shpërndarjen e materialeve. Mijëra ose edhe dhjetëra mijëra njerëz do duhej të punonin për këto programe. Kjo do të thotë se do të ishte tmerrësisht shumë e vështirë që kjo të mbetej sekrete për shumë gjatë, pasi do të mjaftonte vetëm një njeri i përfshirë në program të dilte hapur i pajisur me prova si fotografi, dokumente, apo pajisje fizike për ta dekonspiruar.

Këto prova ende nuk kanë dalë.

Në fjalët e skuadrës së Keith:

“Nëse beson në kemtrajle, pyete veten si mund të jesh kaq i sigurt që ka vërtet një konspiraci të madhe. Merr në konsideratë shpjegime alternative, të thjeshta. Ki parasysh që interneti është plot me njerëz që janë krejt të sigurt për gjëra që thjesht nuk janë të vërteta. Ki parasysh që edhe pse qeveritë mund të mbajnë sekrete që përfshijnë vetëm pak njerëz, ato nuk arrijnë të mbajnë sekret programe të mëdha. Rusët, për shembull, dinin detaje specifike mbi projektin e bombës atomike që përpara se të ndodhte testimi i parë i armëve bërthamore, dhe në atë rast njerëzit e përfshirë në atë projekt kishin motivin e qartë patriotik të mbanin sekretin.

Nëse mendon se vazhdat e kondensimit të avionëve “duken ndryshe” ose “po sillen çuditshëm” konsidero që vazhdat e zakonshme të kondensimit nganjëherë mbeten për një kohë të gjatë dhe mënyra se si duken mund të ndryshojë papritur përgjatë të njejtës rrugë sepse avionët fluturojnë përmes vendeve me temperatura dhe lagështi të ndryshme. […] Sigurisht që ka mundësi që diçka tjetër po ndodh, por për ta provuar duhet më shumë se thjesht fotografi të diçkaje që duket njësoj me vazhdat normale të kondesimit”.

Projekti studimor shkencor amerikan i quajtur HAARP është një projekt i përbashkët i Forcave Ajrore Amerikane dhe Marinës Amerikane i kijuar në vitin 1993, i cili i ka kaluar më vonë Universitetit të Alaskës Fairbanks (UAF) në vitin 2015.

HAARP shfaqet shpesh në narrativat konspiracioniste si një veprimtari djallëzore që përfshin shkaktimin e tërmeteve, uraganëve, përmbytjeve, thatësirave, stuhive, ndërprerjeve të energjisë, rrëzimit të avionëve apo sëmundjeve.

Karakteristika e tij kryesore është një transmetues me frekuencë të lartë që përdoret për të studiuar jonosferën, pjesë e atmosferës së sipërme të tokës. Duke analizuar se si valët e radios ndërveprojnë me elektronet në jonosferë, studiuesit në HAARP janë në gjendje të studiojnë fenomene, të tilla si efektet e aurora borealis, ose dritat veriore, në sistemet radio dhe komunikimet e avionëve në lartësi të mëdha.

HAARP ka si objekt studimi dhe eksperimentimi jonosferën, pjesë e atmosferës së sipërme të tokës. Gati të gjithë fenomenet e motit ndodhin më poshtë jonosferës, në troposferë. Kështu, HAARP nuk ka si të ndikojë në fenomenet e motit.

Që në krijimin e tij, HAARP ka qenë në shënjestrën e teorive konspirative. Fakti që puna studimore që kryen HAARP nuk është lehtësisht e kuptueshme nga publiku i gjerë, bën që këtij projekti t’i vishen fuqi mbinatyrore. Në 2016, dy burra nga Georgia, ShBA, u arrestuan me një arsenal masiv armësh. Ata kishin në plan të shkatërronin HAARP sepse besonin se instituti kërkimor manipulonte motin, kontrollonte mendjet e njerëzve, madje edhe rrëmbente shpirtra.

Sipas shkrimtarit të shkencës, Mick West, “mënyra për të përgënjeshtruar teoritë konspirative rreth HAARP është të përpiqesh t’i shpjegosh njerëzve ekzaktësisht çfarë HAARP bën. Shpjegoi se është thjesht një radiotransmetues që është në Alaskë dhe mund të ndikojë vetëm në një sasi të vogël ajri mbi të. Shpjegoji se fuqia e përdorur nga ky radiotransmetues është shumë shumë e vogël krahasuar me çfarë do të duhej për të bërë disa nga gjërat që po pretendohen.”

Faktoje ka verifikuar edhe më parë pretendime lidhur me të ashtuquajturat kemtrajle dhe sistemin HAARP.