Nga Afrovita Hysaj Procesi i votimit në qytetin e Vlorës nuk pati asnjë surprizë, duke reflektuar edhe ecurinë e gjithë fushatës në këtë qark.
Një proces që nisi qetë e përfundoi po njësoj. Fushatë pa sulme mes dy partive të mëdha, pa akuza e pa tone të larta. Fushatë në të cilën partitë nuk patën asnjë deklaratë kundër njëra tjetrës
Votimi
Votimi nisi prej orës 7.00 të mëngjesit, me vonesa në disa qendra për shkak të mos prezantimit apo votimit të disa anëtarëve të komisionit, njëjtë si vonesat në procesin e votimit në institucionin e paraburgimit, ku votimi nisi me 3 orë vonesë.
4471/2 nisi me vonesë pasi dy komisionerë u larguan për arsye familjare. Në një prej qendrave të votimit në rajonin 5, qendra 4450 pati konstatim të shpërndarjes së fletëpalosjeve për një kandidat të Partisë Socialiste. U kërkua largimi i tyre, por nuk pati pezullim.
Finiq, në fshatin Kardhikaq dhe Gravë, për shkak të mungesës së materialeve zgjedhore votimi nisi me 4 orë vonesë.

Në Sarandë gjithashtu pati vonesa në disa qendra edhe për shkak të funksionimit të kamerave monitoruese.
Megjithatë në një panoramë të përgjithshme asnjë prej rasteve nuk ka sjellë anomali për vijimin e procesit.
E qetë përtej asaj që njihet, edhe reagimi i partive opozitare.
Partia Demokratike dega Vlorë, edhe pse nuk pret të marrë më shumë mandate në Vlorë sesa lista e mbyllur, duket se iu dorëzua qytetarisë për procesin zgjedhor.
Nga kampi rozë shqetësim ishte pjesëmarrja.
Në përqindje krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021, Vlora shfaqet gati në të njëjtat shifra, por shifra e këtij viti ka bashkë edhe votën e diasporës që tregon se vota e votuesve brenda territorit ka ardhur në rënie.
Çfarë pritet?
Partia Socialiste kërkon të mbajë 8 mandate, edhe pse është artikuluar në disa raste një mandat i 9.
Partia Demokratike kërkon të qëndrojë në 4 mandate, edhe pse partitë e vogla i kanë rrezikuar elektorat.
Megjithëse parashikimet dhe pritshmëritë, këto zgjedhje ishin më të ftohta jo vetëm për qytetarët, por edhe për kandidatët vetë.
Ndërkohë, me sy më kritik pritet të shihet procesi i numërimit të votave jo më shumë për subjektet, sesa për vetë kandidatët.