Zgjedhje në 5 bashki, kush janë 13 kandidatët dhe çfarë premtojnë

Mbi 334 mijë qytetarë të pesë bashkive do të përzgjedhin mes 13 kandidatëve të ofruar

23
Foto ilustruese: Gjate votimit per zgjedhjet e 11 majit

Sebi Alla – Pesë bashki të vendit janë sot në provën e zgjedhjes së kryebashkiakëve të rinj, në zgjedhjet e pjesshme lokale, që do të kenë për një mandat të kufizuar deri në zgjedhjet e ardhshme lokale të vitit 2027.

Mbi 334 mijë qytetarë të pesë bashkive do të përzgjedhin mes 13 kandidatëve të ofruar.

Bashkitë Vlorë, Berat, Cërrik, Tepelenë dhe Mat zhvillojnë zgjedhjet për kryebashkiakë, pas dorëheqjes së kryetarëve të mëparshëm pasi tre u zgjodhën deputetë ish-kryebashkiaku i Beratit Ervin Demo, ai i Tepelenës Tërmet Peçi dhe i Matit Agron Malaj, që të tre në radhët e PS-së, ndërsa kryetari i Bashkisë Cërrik Andis Salla u emërua ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Në Vlorë ish-kryebashkiaku Ermal Dredha dha dorëheqjen pas disa kritikave nga kryeministri Rama për punën jo të mirë sipas tij të kësaj bashkie në kulmin e sezonit turistik.

Vlora

Në pesë bashkitë e vendit janë 13 kandidatë për të fituar postin e kryebashkiakut. Në Vlorë, tre kandidatët Brunilda Mersini e PS-së dhe dy të pavarurit Dionis Sota dhe Gjergj Nika.

Edhe pse fushata ka qenë jo shumë aktive, kandidatët në rrjetet sociale apo në daljet në media, kryesisht ato lokale kanë parashtruar projektin e tyre për bashkinë.

“E duam Vlorën edhe në dimër me të njëjtin intensitet. Sfida ime është të ndërtoj një qytet më të pastër, me ritëm të qëndrueshëm zhvillimi, ku të majtë e të djathtë bien dakord për nevojën e përbashkët për progres”, tha kandidatja e PS-së Brunilda Mersini.

Ajo u shpreh optimiste për rezultatin e zgjedhjeve duke deklaruar në podkastin e drejtuar nga kryeministri se: “Shpresoj të marr 80% të votave”.

Nga ana tjetër kandidati Dionis Sota doli si i pavarur, por që më vonë u mbështet nga opozita, ndërsa kandidatura tjetër po në siglën “i pavarur” është ajo e Gjergji Nikës, aktualisht anëtar në Këshillin Bashkiak të Vlorës, si përfaqësues i së djathtës.

Sota premton transparencë totale të buxhetit, ndërhyrje të menjëhershme në infrastrukturë e kanalizime, start-upe për të rinjtë dhe ndërtimin e lagjeve ekologjike.

Ndërsa Nika në një nga postimet e tij në rrjetet sociale shprehet se procesi politik në këtë qytet ka degraduar nga gara reale dhe alternativa e vërtetë.

“Nuk është e lehtë, madje është e dhimbshme të shohësh qytetin tënd të rrëshqasë nga një periudhë ku kandidaturat kishin qytetari, peshë, integritet, pasion dhe vizion, në një realitet ku gjithçka është kthyer në një lojë interesash, tallje dhe degradim moral”, shkruan ai, ndërsa shton se kandidati i opozitës duhet të kishte një peshë reale, dhe jo të jetë një eksperiment.

Tepelena

Në Bashkinë Tepelenë, Partia Socialiste kandidon me Gramoz Sakon, ish-Komandant i Gardës së Republikës, ndërsa si kandidat i pavarur Gabriel Guma, ai është 26 vjeç dhe ka mbaruar studimet në Fakultetin e Arkitekturës & Dizanj në Universitetin Polis.

Guma mbështetet nga opozita. Të dy kandidatët kanë shprehur vizione të ndryshme për drejtimin e Bashkisë, ku kandidati i PS-së kërkon vijimësinë, ndërsa Guma tregon për ndryshimin e nevojshëm sipas tij.

Berat

Në Bashkinë Berat Partia Socialiste vendosi të kandidojë nënkryetarin aktual të bashkisë Ervin Ceca, ndërsa përballë tij do të jetë kandidati i pavarur Pavlo Shkarpa, i mbështetur nga opozita.

I diplomuar në Ekonomi Ndërkombëtare në Universitetin e Padovës në Itali Ceca u kandidua nga socialistët si vijimësi, pasi më parë ka drejtuar edhe Këshillin Bashkiak.

Nga ana tjetër Shkarpa shprehet se “synimi ynë është të ndërtojmë një bashki që i shërben qytetarëve me transparencë, ndershmëri dhe përkushtim”.

Cërrik

Në Bashkinë Çërrik janë tre kandidatë që synojnë postin e kryebashkiakut. Nga Partia Socialiste kandidon Florenc Doka, i diplomuar në Drejtësi, në vitin 1999 duke marrë titullin jurist, si dhe në vitin 2008 me titullin avokat.

I lindur në Gramsh në vitin 1986 dhe banues në Cërrik që prej vitit 1996, Eligert Hima është prind i dy fëmijëve dhe jeton në Romë, ku ka përfunduar studimet e larta për Hetuesi dhe Kriminologji pranë Universita Popolare di Milano.

Nga ana tjetër, Amarildo Hoxha (i pavarur). Hoxha është me profesion mjek dhe do të përfaqësojë gjithashtu PD e Cerrikut në garën për Kryetarë Bashkie në zgjedhjet e pjesshme më 9 Nëndor.

Mat

Në Bashkinë Mat janë përballë tre kandidatë me profile të ndryshme: Altin Bojni, ekonomist dhe ish-kryetar i Këshillit Bashkiak, që përfaqëson Partinë Socialiste; Eduart Brahilika, jurist dhe kandidat i mbështetur nga Partia Demokratike; si dhe Suzana Pasha, ish-drejtuesja e forumit të grave socialiste, që kandidon si e pavarur.