Kompanitë që dëshirojnë të investojnë në industrinë e prodhimit të armatimit ushtarak në Republikën e Shqipërisë, sipas ligjit mund të përfitojnë lehtësira dhe incentiva si heqja e taksave. Ekspertet shpjeguan për Faktoje se investimet publike dhe private në prodhimin e armatimeve luftarake mundet të gjenerojnë vende pune dhe mund të përmirësojnë po ashtu produktin ekonomik në mënyrë indirekte, por duhet të tregohet kujdes përsa i përket lehtësirave për këtë sektor.
Eno Luarasi
Kompania e cila do të investojë në industrinë e prodhimit ushtarake duhet të ketë një investim fillestar të paktën prej 25 milion eurosh, dhe në 10 vitet e para do të jetë e përjashtuar nga taksat. Në projektligj saktësohet se gjatë dekadës së parë do të mbulohen edhe shpenzimet utilitare sic është uji por edhe pagesat për energjinë elektrike.
Subjektet që dëshirojnë të investojnë në industrinë e prodhimit të armatimit ushtarak në Republikën e Shqipërisë dhe që planifikojnë një investim fillestar prej së paku 25 milionë Euro kualifikohen për të përfituar lehtësira dhe incentiva.
Për Faktoje.al eksperti i ekonomisë Eduart Gjokutaj deklaron se investimet publike dhe private në prodhimin e armatimeve luftarake , që konsiderohen si shpenzime të sektorit të mbrojtjes, mundet të gjenerojnë vende pune drejtpërdrejt si dhe mund të përmirësojnë po ashtu produktin ekonomik në mënyrë indirekte përmes përhapjes së teknologjisë dhe kapitalit njerëzor në ekonominë civile.
“Llogaritjet tregojnë se për çdo 1 lek të shpenzuar në këtë iundustri ka një rritje të të ardhurave me 1.3, pra një marzh bruto në nivele të larta, që nuk ndikohen nga faktorët e bredshëm dhe të jashtëm, njësoj si industritë e tjera. Por, ndërkohë stimulimet dhe diferencimet e kësaj industrie në raport me industritë e tjera mund të shkaktojë deformime të ardhshme në tregun e punës dhe kjo ndikon në një shtrenjtim të diktuar me forcë për kompanitë private që bëjnë biznes”. – shpjegon Gjokutaj.
Gjokutaj paralajmëron që duhet të tregohet kujdes përsa i përket lehtësirave për këtë sektor.
“Më kryesorja është, që nëse investimet nuk do të gjenerojnë edhe të ardhura tatimore për buxhetin, atëherë fondet që investohen sado të duken tëheqëse kanë efekt të kufizuar në ekonomi. Në këtë këndvështrim nuk duket ekonomikisht përfitim për buxhetin përjashtimi nga tatimi i fitimit për 10 vite, përjashtim nga taksat doganore, përjashtim nga taksat kombëtare,si dhe reduktimi i TVSH-së në një normë të përgjysmuar, kur realisht kjo industri kryhet në mungesë të konkurencës dhe ka një treg të garantuar dhe fitimprurës”. – argumenton ai.
Por cfare pritet të prodhohet në këtë kompani që sipas këtij projektiligji përjashtohet nga të gjitha taksat per 10 vite.
Eskperti Redion Qirjazi thotë se hapi i parë duhet të jetë studimi i fizibilitetit për të përcaktuar llojet e produkteve luftarake që do ta lejonin Shqipërinë të kishin avantazh në tregun global të tregëtimit të armëve dhe municioneve.
“Natyrshëm, municionet e lehta por edhe predhat e mortajave apo ato të artilerisë jane produkte me kërkesë të lartë pasi konfliktet e kohëve të fundit (Gaza, Ukraina) kanë dëshmuar që konsumohen me ritme të larta. Mendoj gjithashtu se kjo do të ishte një pikë e mirë nga ku mund ta niste Shqipëria pasi ne kemi një përvojë në prodhimin e municioneve të kalibrave të ndryshëm, kemi fabrika që mund të përshtaten më lehtesisht për këte funksion, nevojitet një nivel më i ulet i teknologjisë prodhuese dhe kanë konsum të vazhdueshëm ciklik”.
Por si pritet të funksionojë KAYO? Do të jetë e gjitha shtetërore apo në bashkëpunim me privatin?
Sipas Ekspertit të Sigurisë Redion Qirjazi praktikat globale janë të shumëllojshme: nga pronësi 100% shtetërore në atë 100% private.
“Natyrshëm një kompani nën pronësinë e plotë të shtetit do të garantonte një nivel kontrolli më të lartë, por mund të limitonte inovacionin në biznes (që tipikisht vjen nga bota e menaxhimit privat), dhe rendiment më të ulët ekonomik. Alternativisht një kompani armësh nën zotërim privat do të kerkonte nivel më të lartë kontrolli nga institucionet shtetërore për të garantuar ligjshmëri në veprimtarinë e saj, si edhe shmangien e rasteve të tregëtise që mund të dëmtonin interesat kombëtare të sigurisë. Personalisht mendoj se në rastin e Shqipërisë do të ishte më e shëndetshme që te nisnim me një kompani ku të paktën 51% të aksioneve të kontrolloheshin nga shteti shqiptar”. – shpjegon ai.
Të kontaktuar nga Faktoje.al ish-zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes thanë se rivitalizimi i Industrisë Ushtarake është tërësisht i mundshëm, pasi makineritë janë aty dhe thjesht duhet të përshtaten për prodhimet e reja. Shqipëria në kohën e komunizmit prodhonte nga municionet e lehta si fishekë për pistoleta, automatik etj e deri te ato të kalibrave të mëdhenj si dhe armë këmbësorie të prodhimit rus dhe kinez.
Redaktoi: Viola Keta & Aimona Vogli