“Rrugë pa pagesë” është një nga premtimet më të forta të Partisë Demokratike në këtë fushatë, por zbatimi i tij përballet me barriera ligjore dhe financiare. Kontratat koncesionare janë të mbrojtura me ligj dhe çdo ndërprerje e njëanshme mund t’i kushtojë shtetit miliona euro dëmshpërblime.
Esmeralda Topi
“Në javën e parë të qeverisjes, rrugët me pagesë do të jenë falas” .Ky është një nga premtimet më të bujshme që ish-kryeministri Sali Berisha ka artikuluar në kulmin e fushatës për zgjedhjet e 11 majit.
“Trau do hiqet javën e parë, nuk do paguani asnjë qindarkë,” tha Berisha gjatë një takimi elektoral në Kukës, duke e cilësuar tarifimin e “Rrugës së Kombit” si një padrejtësi ndaj qytetarëve të Veriut.
Fakt
Aktualisht në Shqipëri janë dy akse rrugore që funksionojnë me pagesë për përdoruesit:
- Milot-Morinë (Rruga e Kombit) – me tarifë 5 euro që nga viti 2018, dhënë me koncesion 30-vjeçar kompanisë “Albkalaj”.
- Thumanë-Kashar – një autostradë me tarifë 2.1 euro nga 3 janari i këtij viti, dhënë me koncesion 35 vjeçar kompanisë “Gener2”.
Në të dy rastet, pagesat janë të sanksionuara në marrëveshje të mbrojtura me ligj, ku shteti ka detyrime ndaj kompanive private nëse ndalon njëanshmërisht zbatimin e kontratës.
A është rruga pa pagesë e mundur? Në teori, po. Në praktikë, me kosto të lartë. Nëse një qeveri vendos të kompensojë koncesionarin për të mbuluar mungesën e të ardhurave nga tarifimi, atëherë pagesa kalon nga xhepi i qytetarit te buxheti i shtetit pra sërish nga xhepi i qytetarit. Në vend që të parashtrohet një plan konkret për të negociuar ose përmirësuar kontratat, shpallet një masë drastike që ngre më shumë pikëpyetje sesa ofron zgjidhje.
“Ky premtim është më shumë një mesazh për votuesit, sesa një politikë e realizueshme pa pasoja,” argumentojnë ekspertët.
“Më shumë se një mundësi evidente, premtimin në fjalë nëse blloku opozitar fiton zgjedhjet, e shoh si një thjeshëzim i një problemi të komplikuar në një kontekst të fortë elektoral. Gjithsesi është pozitive që debatohet publikisht për çështje të ndjeshme si për buxhetin e shtetit, ashtu edhe për buxhetin e familjeve”, thotë Zef Preçi, drejtor ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike.
“Një vendim i njëanshëm për të hequr tarifat, do të përfundonte në arbitrazh dhe shteti do të detyrohej të paguante miliona euro dëmshpërblim,” paralajmëron eksperti i ekonomisë Ilir Brasha.
Në të njëjtën linjë është edhe eksperti për ekonominë dhe financat Elvin Meka.
“Njëra mundësi është që qeveria të paguajë koston e prishjes se kontratës; tjetra është arbitrazhi, që sigurisht është jo më pak e kushtueshme”, thekson Meka.
Fatura e arbitrazhit
Shqipëria ka përfunduar disa herë në gjykata ndërkombëtare arbitrazhi për prishje të njëanshme të kontratave koncesionare. Vetëm nga çështjet e humbura, fatura për buxhetin ka kapur 181 milionë euro deri në fund të vitit 2023, sipas të dhënave nga Ministria e Financave. Çdo rast i ri rrezikon të shtojë barrën mbi buxhetin e shtetit. Në vazhdimësi Ministria e Financave ka rekomanduar forcimin e rolit negociues të institucioneve buxhetore dhe Avokaturës së Shtetit në çështjet e kësaj natyre.
“Kjo, me qëllimin final të lehtësimit, reduktimit dhe/ose shmangies së barrës financiare mbi buxhetin e shtetit” argumenton Ministria e Financave.
Ekspertët shpjegojnë se mënyra më e drejtë për të trajtuar kontrata të tilla është:
- Rishikimi i tarifave, jo anulimi i tyre
- Negociata për reduktim, jo prishje e njëanshme
- Zhvillimi i rrugëve alternative publike, për të mos e lënë qytetarin pa zgjedhje
“Vetëm kështu mund të garantohet një sistem i drejtë dhe i qëndrueshëm i tarifimit,” argumenton Eduard Gjokutaj nga qendra ALTAX.
Po ashtu, ekspertët e vënë theksin tek rëndësia që ka auditimi i kostove të kontratave koncesionare.
“Më shumë sesa prishje të këtyre kontratave do ishte mirë të auditoheshin kostot ekstreme të koncesioneve, që përkthehen tarifa përdorimi jashtë çdo logjike ekonomike” thekson më tej Meka.
Përfundim
Premtimi i PD-së për heqjen e menjëhershme të çdo pagese në rrugët me koncesion është i pambështetur në realitetin ligjor dhe financiar të kontratave ekzistuese. Ekspertët e financave dhe të infrastrukturës paralajmërojnë se një veprim i tillë do sillte kosto shumë të larta për buxhetin e shtetit dhe mund të sjellë përballje me arbitrazh ndërkombëtar. Ndaj, premtimi konsiderohet si retorikë elektorale pa plan konkret zbatimi. Në vend të rrugëve pa pagesë, Shqipëria ka më shumë nevojë për kontrata të ndershme, transparencë dhe politika të qëndrueshme. Sepse “rruga falas” nuk është asnjëherë falas. Dikush gjithmonë paguan.