.

.

BallinaPremtimeTë pambajturaZbulimi i plotë i Amfiteatrit të Durrësit, premtim i së shkuarës dhe së tashmes

Zbulimi i plotë i Amfiteatrit të Durrësit, premtim i së shkuarës dhe së tashmes

Elira KADRIU

Zbulimi i plotë i Amfiteatrit që i përket Periudhës Romake, një aset i vyer i trashëgimisë kulturore në Shqipëri, është ripremtuar në shkurt të këtij viti nga kryebashkiakja e Durrësit Emirjana Sako. Por procesi që duhej të niste nga shpronësimet e banorëve që kanë ndërtuar fare pranë zonës së amfiteatrit, kanë ngecur që prej 2015-s.

———

Amfiteatri i Periudhës Romake, një aset i vyer i trashëgimisë kulturore në Shqipëri daton të jetë ndërtuar në fillim të shekullit II të Erës Sonë. Monumenti përfaqëson sot metamorfozën që kanë pësuar shumë asete të trashëgimisë kulturore.

Ende i pazbuluar plotësisht, përreth amfiteatrit shëmbëllen godina 50 vjeçare, të tjera më të reja dhe me një larmi katesh.

Qeveritë kanë tentuar të realizojnë rijetësimin e monumentit, por kanë dështuar me sukses, duke mbetur në projekte të lëna përgjysmë. Megjithatë monumenti sot është përfshirë në projektin “Zona TID Durrës”, që synon rikthimin e monumentit në identitet dhe krijimin e infrastrukturës mbështetëse.

Përfaqësuesit më të lartë të institucioneve shtetërore dhe së fundmi kryebashkiakja Emiriana Sako, e premtoi hapjen e plotë të monumentit të periudhës romake dhe kthimin e tij në identitet, gjatë një takimi në shkurt të këtij viti.

Takimi për zgjedhjet e brendshme të PS në Durrës, 28.02.2021

“Mbi të gjitha kemi edhe një projekt shumë ambicioz, i cili është ai i Amfiteatrit të Durrësit, ku ne do të bëjmë hapjen e plotë të arenës, duke filluar me faza. Projekti i cili është shumë i rëndësishëm, realizohet me mbështetjen e Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, si dhe më tej qeverisë shqiptare”, premtoi kryebashkiakia Emiriana Sako më 28 shkurt.

“Ky projekt do të bëjë të mundur që ky amfiteatër, i cili është në listë pritje që nga 1998-ta, së fundmi me këtë projekt të jetë e mundur futja e tij në listën e UNESCO-s”, u shpreh Sako teksa kërkonte mbështetjen elektorale të banorëve të lagjeve qendrore të qytetit.

Mundësia për zbulimin e plotë

Amfiteatri i Durrësit nisi të merrte formë 56 vite më parë, kur “babai i arkeologjisë në Durrës”, Vangjel Toçi nisi gërmimet e para. Me prishjen e 33 banesave dhe zhvendosjen e 50 familjeve të njohura arkeologu Toçi dhe ekipi i tij zbuluan pjesën më të madhe të monumentit. Që nga viti 1970 kur përfundoi faza e parë e zbulimit ai ka parë vetëm ekipe të vogla kërkuesish shkencor apo restauruesish që kanë tentuar të shpëtojnë rrënimin e strukturave dhe mozaikut të vetëm mural në Shqipëri.

Mozaiku Mural në Kapelën e Amfiteatrit në Durrës. Foto Geri Emiri_ Media Amfora

Prej vitesh një ekip arkeologësh shqiptaro-italian gërmon për të njohur strukturën e pazbuluar të amfiteatrit. Një bashkëpunim midis Institutit të Arkeologjisë dhe Universitetit të Chietit në Itali.

“Gërmimet synojnë të kompletojnë dokumentacionin arkeologjik në sektorin jugor të ndërtesës, si nga këndvështrimi stratigrafik, fazat e transformimit dhe përdorimit të ndërtesës, ashtu edhe nga këndvështrimi arkitektoniko-strukturor”, shpjegoi për Median Amfora, arkeologia Elvana Metalla, bashkëdrejtuese e ekipit kërkimor.

Amfiteatri gjendet brenda Zonës A të riskut arkeologjik, ku nuk lejohen ndërhyrjet ndërtimore nëntokësore të reja dhe brenda atij që sot përbën Parkun Arkeologjik të Durrësit.

Fati i monumentit, mori një drejtim tjetër në qershor të vitit 2020, kur përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, bashkisë dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit, i cili parashikon investime dhe ndryshime të rëndësishme në të gjithë hapësirën e amfiteatrit.

“Ndërhyrjet e parashikuara në projekt kanë si qëllim mbrojtjen e aseteve të pasurive kulturore të Durrës, rritjen e turizmit dhe zhvillimin ekonomik të zonës përmes restaurimit, konservimit dhe rehabilitimit të hapësirave”, u përgjigj zyrtarisht për Median Amfora, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK).

Arkeologia Elvana Metalla e cila prej vitit 2004 zhvillon gërmime arkeologjike me karakter shkencor, u shpreh entuziaste se do të rikthehen aty në korrik të këtij viti dhe vlerësoi nismat për hapjen e plotë të arenës.

“Aktivitetet e kohëve të fundit për hartimin e një plani të integruar të menaxhimit të Durrësit ku do të përfshihet edhe amfiteatri si dhe të investimeve të mëpasshme për gërmimin e mëtejshëm dhe restaurimin e prezantimin e tij tek publiku do të ishin investimi më me vlerë për qytetin e Durrësit dhe turizmin kulturor të Shqipërisë”, theksoi ajo.

Sipas IKTK projekti parashikon në fazën e parë identifikimin e gjendjes ekzistuese të objekteve dhe hapësirave urbane, duke evidnetuar godinat që do të shemben për t’i dhënë mundësinë monumentit të zbulohet i plotë dhe të hapet fushëpamja pranë tij.

“Projekti duhet të ketë për secilën ndërtesë një metodologji të punimeve të prishjes të detajuar që ruan rrënojat arkeologjike”, shkruhet në  përgjigje.

Pjesë nga përgjigjja zyrtare e IKTK Durrës

Koncepti i prishjeve të godinave sipas parashikimeve ndahet në dy faza. Në fazën e parë parashikohet të shemben 21 objekte, ndërsa në të dytën 41 objekte.

Fokusi kryesor për zbulimin e amfiteatrit është në anën jugore, ku gjenden disa banesa nën të cilat vijon arena e monumentit që mendohet se mbante nga 15 në 20 mijë spektatorë.

“Gërmimi i plotë i këtij monumenti tepër të rëndësishëm jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë zonën e Ballkanit, i ndihmuar sigurisht nga iniciativat e financimet e bollshme do të mundësonin që monumenti të zbulohej e prezantohej me të gjithë madhështinë e tij te publiku vendas dhe i huaj”, evidenton arkeologia Elvana Metalla.

Premtimet e së shkuarës për Amfiteatrin e Durrësit

Zbulimi i plotë i amfiteatrit nuk artikulohet për herë të parë në diskursin politik të pas viteve’ 90. Kryeministri Rama premtoi në 2013-n se rilindjen në Durrës do ta niste nga amfiteatri, ndërsa Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro  e premtoi zbulimin e arenës me nisjen e punimeve në maj të vitit 2015-të.

Por projekti i qeverisë që nisi me hov arriti të shpronësonte vetëm 3 familje, ndërsa faza e dytë që parashikonte prishjen e 9 objekteve të tjera brenda vitit 2016 nuk nisi kurrë, me pretekstin e mungesës së fondeve për kompensim.

Përfaqësuesit e biznesit në zonë thonë se rijetësimi i monumentit antik do të zgjerojë perspektivën turistike dhe ndërhyrjet në monument do të shtojnë hapësirat për t’u vizituar nga turistët.

“Ndikimi do të jetë i madh, jo vetëm për mua, por për të gjithë qytetin”, rrëfen për Median Amfora, Berti Doda.

“Po u shtua numri i njerëzve që vijnë në qytet, për rrjedhojë edhe për bizneset rreth e përqark është sukses”, shton Doda, i cili vitet e fundit ka restauruar një godinë disakatëshe dhe e ka kthyer në hotel, duke i vendosur emrin e monumentit, “Amfiteatri”.

Tërmeti, një tentativë e dytë për zhvendosjen e banorëve

Paralelisht me projektin për transformimin e Bulevardit “Epidamn” dhe monumenteve pranë tij, për të krijuar një strukturë të re menaxhimi të formës TID, si në Korçë apo Gjirokastër, ishte Insituti i Ndërtimit pararendësi që trazoi banorët e lagjes numër 1. Pas lëkundjeve sizmike të 26 Nëntorit 2019, akt-ekspertizat shpallën të pabanueshme një sërë godinash mbi arenën e amfiteatrit, në anën jugore të tij. Por banorët e kundërshtuan si një pretekst me qëllim largimin e tyre nga aty.

Banesat përmbi Amfiteatrin e Durrësit, foto Arlind Veshti_ Media Amfora

“Pothuajse asnjë prej shtëpive nuk ka pasur dëme, por kur ra tërmeti përfituan që t’i heqin”, u shpreh i shqetësuar për Median Amfora, Roland Pengili, banor i kësaj lagjeje.

“Problemi qëndron te dëmshpërblimi, sepse nga Shën Vlashi deri në Currila është 500 Euro m2 sipas ligjit, kur realiteti është 1000 deri në 1500 Euro m2, sepse shtëpitë i kemi në zonë me vlerë turistike. Këtu kemi ngecur. Ata na ofrojnë çmimin sipas ligjit dhe ne nuk jemi dakord “, tha Pengili.

Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj gjatë një mbledhje të qeverisë në prill 2020 u shpreh se për monumentin do të caktoheshin një pjesë e fondeve të akorduara nga Konferenca e Donatorëve.

“Shumë shpejt do fillojmë detajimin e 100 milionëve në dy fasha kryesore, një pjesë për arsimin dhe pjesa tjetër për trashëgimisë kulturore duke përfshirë edhe Amfiteatrin e Durrësit, ku do bëjmë një projekt shembull”, deklaroi Ahmetaj.

Por gati 3 vite nga tërmeti i nëntorit banorët ende nuk janë të qartë nëse do jetë fondi i Rindërtimit apo i rijetësimit të trashëgimisë kulturore të Durrësit (TID) ai që do t’i jape zgjidhje fatit të banesave të tyre dhe kur do të nisë saktësisht ky projekt.

“S’kam të dhëna kur do fillojë projekti, asnjë nga banorët nuk ka dijeni”, na tregon Roland Pengili.

“Thjesht dimë që do na prishen shtëpitë në të ardhmen e afërt”, pohoi një tjetër banore.

Bashkia Durrës gjithashtu nuk dha detaje konkrete për vijimin e procesit të rindërtimit dhe prishjen e godinave të dëmtuara nga tërmeti pranë amfiteatrit të periudhës romake.

“Për subjektet që posedojnë apo disponojnë këto objekte të dëmtuara do të vijohet sipas procedurave ligjore në fuqi. Koha dhe mënyra e veprimit për këto objekte të dëmtuara është e lidhur me dinamikat teknike dhe ligjore të procesit. Bashkia Durrës po vijon me procedurat e procesit të rindërtimit dhe njofton, komunikon në vazhdimësi me subjektet e prekura.”- u përgjigj bashkia zyrtarisht për Median Amfora.

Përgjigja e mbërritur në rrugë elektronike nga Bashkia Durrës

Edhe Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore nuk dha afate për nisjen e projekteve, teksa banorët rrëfejnë se kanë marrë pjesë para 6 muajsh në një takim që u organizua nga kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako dhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti me grupet e interesit mbi projektin e rijetësimit të monumentit.

“Thonë që shpresa vdes e fundit, por ka një avashllëk të pashpjegueshëm, i pajustifikueshëm se na kanë thënë që fondet janë, s’ka arsye tjetër përveç burokracisë që e bllokon”, përmblodhi për Median Amfora sipërmarrësi në fushën e hotelerisë, Berti Doda.

 

*Ky shkrim u publikua si një bashkëpunim i Medias Amfora me Median Faktoje.al, pjesë e nismës “Unë bëj Fact-Checking”, që ka si qëllim të trajnojë dhe mentorojë gazetarë në Shqipëri, nën projektin e UNESCO-s “Ndërtimi i besimit në media në Evropën Juglindore dhe Turqisë – Faza II”, mbështetur nga Bashkimi Evropian.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img