Pretendimi: Ish-ambasadorja amerikane në Shqipëri Yuri Kim është shkarkuar nga posti i saj në Departamentin amerikan të Shtetit

Verdikti: E paprovuar

———————————————————————–

Në fund të janarit 2025, një sërë mediash dhe portalesh shqipfolëse raportuan se ish-ambasadorja amerikane Yuri Kim është shkarkuar nga pozicioni i saj në Departamentin e Shtetit.

Megjithatë, në brendinë e artikujve, të kopjuar fjalë për fjalë nga njëri portal në tjetrin, zbulojmë se si burim për këtë lajm citohet një opinion i botuar në një blog online nga “analisti amerikan Michael Rubin.” Rubin citohet si të ketë bërë një kritikë të aktivitetit diplomatik të Kim. 

Artikujt vijojnë: “Mirëpo, ajo që është e sigurtë nga disa burime nga Washingtoni, thonë se ambasadoria Yuri Kim, e ka “humbur” postin e “Principal Deputy Assistant Secretary of State for Europe and Eurasian Affairs”. Post, ky, që ajo mbante nga Blinken.” 

Ky paragraf ndjek përmbledhjen e analizës së Rubin për të krijuar iluzionin se është në fakt pjesë e analizës.

Megjithatë, opinioni i botuar më 21 janar 2025 nuk përmban asnjë pretendim të tillë. Në fakt, Rubin duket se është frymëzuar për ta shkruar këtë analizë nga “thashethemet që Yuri Kim, e kritikuar për trajtimin e krizave në Nagorno-Karabakh dhe Shqipëri, mund të emërohet si ambasadore e SHBA-së në Filipine,” të cilat ngrenë shqetësime për Rubin.

Megjithatë, një muaj më vonë, më 20 shkurt 2025, Departamenti amerikan i Shtetit nuk ka njoftuar shkarkimin, transferimin, apo emërimin e Kim si ambasadore në Filipine.

Yuri Kim vijon të listohet ndër krerët e Byrosë së Çështjeve Europiane dhe Euroaziatike si Zëvendës Ndihmës Sekretare kryesore.

Profili i Yuri Kim në faqen e Departamentit të Shtetit gjithashtu deklaron: “Yuri Kim është Zëvendës Ndihmës Sekretarja kryesore e Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë (EUR),” një post që ajo e mban nga 18 korriku 2023 e deri tani.