Pretendimi: USAID ka paguar yje të Hollywood për të udhëtuar në Ukrainë për të bërë fotografi me presidentin Zelensky.

Verdikti: E paprovuar

—————————————————————–

Në rrjetet sociale po qarkullon pretendimi se një numër aktorësh amerikanë janë paguar nga USAID për të bërë fotografi me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Ukrainë. 

Si zakonisht, ky pretendim i jashtëzakonshëm nuk shoqërohet me ndonjë provë apo burim të besueshëm.

Ai duket se e ka zanafillën në një video me logon e E! News të botuar më 5 shkurt në Twitter nga një llogari anonime. Megjithatë, nuk ka prova se E! News ka botuar ndonjëherë një video të tillë. 

Video pretendon se USAID i kishte paguar aktores Angelina Jolie 20 milionë dollarë, Sean Penn 5 milionë dollarë, Jean-Claude Van Damme 1.5 milionë dollarë, Orlando Bloom 8 milionë dollarë dhe Ben Stiller 4 milionë dollarë për vizitat e tyre në Ukrainë.

Aktori dhe ambasadori i vullnetit të mirë të OKB Ben Stiller e ka hedhur poshtë pretendimin. Stiller, i cili vizitoi Ukrainën dhe u takua me Zelensky në qershor 2022 për Ditën Botërore të Refugjatëve, tha se udhëtimi ishte i vetëfinancuar dhe tha se thashethemet ishin dezinformata ruse: “Plotësisht e rreme. E pavërtetë. Këto janë gënjeshtra që vijnë nga mediat ruse. E kam financuar plotësisht udhëtimin tim humanitar në Ukrainë. Nuk kishte asnjë financim nga USAID dhe sigurisht asnjë pagesë personale,” tha Stiller në Twitter.

Ndonëse të gjitha figurat e përmendura kanë vizituar Ukrainën gjatë luftës, shumica e kanë vizituar në emër të OKB, një agjenci e ndryshme nga USAID. Sipas Udhëzimeve të OKB për Caktimin e Lajmëtarëve të Paqes dhe Ambasadorëve të Vullnetit të Mirë:

“Ambasadorëve të vullnetit të mirë nuk do t’u paguhet paga, megjithëse atyre mund t’u jepet një pagesë simbolike prej 1 dollarë në vit ose ekuivalent. Atyre mund t’u jepet pagesa e udhëtimit dhe e jetesës ditore kur ata udhëtojnë në emër të Kombeve të Bashkuara.”

Sipas botimit rus Agentstvo, video e rreme u qarkullua fillimisht nga “botët e Kremlinit nga rrjeti Matryoshka, të cilët synojnë audiencën perëndimore”.