.

.

BallinaProjekteLufta kundër dizinformimit dhe zhvillimi i medias në ShqipëriXhamia e Plumbit nën ujë, imazh i përsëritur i përmbytjeve në Shkodër

Xhamia e Plumbit nën ujë, imazh i përsëritur i përmbytjeve në Shkodër

Edhe këtë vit, përmbytjet në Shkodër nuk e kursyen Xhaminë e Plumbit. Ndonëse një vit më parë ministrja e Kulturës Elva Margariti, deklaronte se objekti do të shpëtonte nga furia e ujërave falë një ndërhyrje të financuar nga qeveria turke, sërish imazhi i kupolave të xhamisë nën ujë u përsërit. Nga verfikimi i Faktoje rezulton se projekti i restaurimit të xhamisë, ka nisur të zbatohet këtë shtator dhe përfundon verën e vitit të ardhshëm.

Esmeralda Topi

“Me imazhin e Xhamisë së Plumbit në Shkodër, që do t’i nënshtrohet restaurimit dhe sistemimit, për të shpëtuar nga furia e ujërave, ju uroj Gëzuar Kurban Bajramin!”– shkruante më 20 korrik të 2021, ministrja e Kulturës Elva Margariti, teksa uronte besimtarët muslimanë për festën e Kurban Bajramit.

Screenshot nga Facebook i ministres Elva Margariti

Por furia e ujrave të këtij nëntori, e zhyti sërish nën ujë Xhaminë e Plumbit në Shkodër, ndryshe nga sa pretendonte ministrja e Kulturës. Madje krahasuar me përmbytjet e shkurtit të 2021, këtë herë situata duket edhe më problematike, pasi niveli i ujit është shumë herë më i lartë. Imazhi i kupolave të xhamisë mbi ujë u përsërit, si pasojë e reshjeve të dëndura të shiut.

 

Xhamia e Plumbit në Shkodër, 21 nëntor 2022 (Fotografi e marrë nga Florion Goga)

Xhamia e Plumbit në Shkodër, shkurt 2021

Xhamia e Plumbit ndodhet në lagjen Tabaka të qytetit të Shkodrës, poshtë Kalasë së Rozafës dhe 300 m larg lumit Drin dhe Kir ndaj objekti ‘pushtohet’ nga uji sa herë ka përmbytje në Shkodër.

Por në janar të 2021, qeveria shqiptare pas një marrëveshjeje financimi 6 milion euro nga qeveria turke, lajmëroi se objekti i kultit që është edhe pjesë e trashëgimisë kulturore, do të restaurohej duke përfshirë edhe ndërhyrjen qw do të shmangte përmbytjet.

“Një marrëveshje e shumëpritur jo vetëm nga banorët e Shkodrës, apo besimtarët myslimanë, por edhe për të gjithë shqiptarët, që e kanë të gdhendur në memorie pamjen e xhamisë së përmbytur nga ujërat. Kësaj kohe po i vjen fundi dhe ato imazhe do të jenë vetëm një kujtim.”- shkruante pas nënshkrimit të marrëveshjes, ministrja e Kulturës Elva Margariti në rrjetin social facebook.

Për të mësuar mbi ecurinë e zbatimit të këtij projekti, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Ministrisë së Kulturës. Deri në momentin e publikimit të shkrimit, institucioni nuk është përgjigjur, por është brenda afatit të lejuar ligjor për kthimin e përgjigjes.

Projekti i restaurimit të Xhamisë së Plumbit në Shkodër

Ndërkaq, nga një verifikim i Faktoje rezulton se projekti për restaurimin e Xhamisë së Plumbit, ka nisur të zbatohet në shtator të 2022.

“Aktualisht jemi në fazën e punimeve konservuese në fasadën e brëndshme të hollit qëndror të faljes, ndërkohë që puna vijon me të njëjtin ritëm dhe në territorin përreth objektit me ndërtimin e sistemit mbrojtës nga përmbytja dhe rijetësimin e sheshit për vizitorët dhe besimtarët.”- shkruhet një javë më parë në faqen zyrtare të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkoder në Instagram.

Referuar informacioneve zyrtare të kësaj drejtorie, punimet në Xhaminë e Plumbit pritet të përfundojnë korrikun e vitit të ardhshëm, ndaj edhe këtë vit, imazhi i kupolave të xhamisë nën ujë nuk mbeti kujtim, sikurse deklaronte ministrja Margariti në janar të 2021.

“Aktualisht puna është ndërprerë deri sa të tërhiqet uji. Në kantier po punohet në dy plane, si për restaurimin po ashtu edhe për ndërhyrjen në sistemin mbrojtës. Është një projekt ambicioz, sepse parashikon zgjidhjen e problemit të përmbytjes së këtij objekti me ndërtimin e një dige, që nuk do jetë e dukshme mbi sipërfaqe, por do të jetë nëntokë.” – sqaron për Faktoje, Besara Podgorica, drejtoreshë e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër.

Historiku i Xhamisë së Plumbit në Shkodër

Xhamia e Plumbit në Shkodër është e vetmja xhami shqiptare, e përfshirë mes 50 objekteve më të bukura myslimane në botë. Xhamia e Plumbit është një monument kulture i kategorisë së parë. Xhamia e Mehmet Pashë Bushatit, ose Xhamia e Plumbit u ndërtua në vitin 1773-1774, nga Mehmet Pashë Bushati, themeluesi i familjes së njohur të Bushatllinjve të Shkodrës. Kjo xhami është një nga ndërtesat më të vjetra të Shkodrës, si dhe xhamia më e madhe dhe më e bukura e Shqipërisë, deri në gjysmën e parë të shekullit XX, periudhë në të cilën filluan të ndërtohen xhami më të mëdha. Xhamia ka qenë e veshur me plumb dhe nga kjo u quajt “Xhamia e Plumbit” e me këtë emër, njihet edhe sot.

Kur feja u ndalua në Shqipëri gjatë regjimit komunist, xhamia pësoi dëmtime të shumta, por sërish i rezistoi kohës, duke u kthyer edhe në simbol qëndrese ndaj diktaturës komuniste. Xhamia e Plumbit rihapi dyert për besimtarët muslimanë më 16 nëntor të vitit 1990.

* Rreth dy javë pas publikimit të këtij artikulli, Ministria e Kulturës ju përgjigj kërkesës për informacion drejtuar nga Faktoje mbi ecurinë e zbatimit të këtij projekti, duke thënë se puna është ndërprerë për shkak të situatës me reshjet. “Në territor ka prezencë të lartë të ujrave. Kompania turke ka marrë përsipër të sigurojë pompa evaduese të ujit, dhe pas tërheqjes së plotë të ujrave do të kryhet dhe një analizë teknike e dëmit të shkaktuar në makineri dhe materiale restaurimi, dhe do te rinisë puna ne kantier. “- sqarohet në përgjigjen e Ministrisë së Kulturës më 6 dhjetor 2022.

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Redaktore Esmeralda Topi është gazetare pranë qendrës Faktoje prej vitit 2022. Ajo ka punuar si gazetare ekonomie që nga viti 2010, në televizion, shtypin e shkruar dhe atë online. Esmeralda ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për “Gazetari”. Në të njëjtin fakultet ajo ka kryer edhe studimet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img