Pretendimi: Aplikacioni i mesazheve WhatsApp do të bëhet me pagesë

Verdikti: Mungon konteksti

———————————————————–

Në rrjetet sociale shqipfolëse po qarkullon lajmi se “një nga aplikacionet më të përdorura të mesazheve në botë, WhatsApp” do të bëhet me pagesë.

Megjithatë, ky lajm nuk është i vërtetë. Ai duket se është një keqinterpretim i njoftimit të botuar disa ditë më parë nga Meta, kompanisë që bleu WhatsApp 11 vite më parë.

Meta njoftoi më 16 qershor se do të fillojë të monetizojë funksionin e Kanaleve (Channels) të WhatsApp përmes reklamave dhe abonimeve.

Kompania prezantoi skedën Përditësime (Updates) të WhatsApp në qershor 2023 së bashku me funksionin e Kanaleve që u lejon njerëzve dhe organizatave të dërgojnë mesazhe dhe përditësime te ndjekësit e tyre në vend të bisedave personale. 

Organizatat dhe njerëzit që janë administratorë të Kanaleve tani do të jenë në gjendje të shpenzojnë para për të rritur dukshmërinë e Kanaleve të tyre përkatëse kur një person i kërkon ato përmes një drejtorie, ngjashëm me reklamat në dyqanet e aplikacioneve të Apple dhe Google.

Përveç kësaj, administratorët e kanaleve do të jenë në gjendje t’u faturojnë përdoruesve tarifa abonimi mujor për të aksesuar përditësime dhe përmbajtje ekskluzive. Kompania nuk do të fitojë menjëherë para nga këto tarifa abonimi mujor, por planifikon që përfundimisht të marrë 10% të këtyre abonimeve, tha një zëdhënës.

Megjithatë, deri tani, përdorimi i funksioneve kryesore të WhatsApp, pra bisedat mes përdoruesve individualë, do të vijojnë të jenë falas.

Përveç monetizimit të Kanaleve, Meta tha se bizneset do të jenë në gjendje të shfaqin të ‘reklama statusi’ në WhatsApp, që i nxisin përdoruesit të bashkëveprojnë me reklamuesit përmes funksioneve të mesazheve të aplikacionit. Reklamat do t’u shfaqen përdoruesve vetëm brenda skedës Përditësime (Updates) të WhatsApp për të ndarë reklamat nga bisedat personale të përdoruesve. 

Që kur Meta bleu WhatsApp në vitin 2014, aplikacioni i mesazheve ka vazhduar të rritet në mbarë botën. Por ndryshe nga Facebook, Instagram dhe së fundmi Threads, WhatsApp nuk ka lejuar më parë reklamat.

Bashkëthemeluesit e WhatsApp, Jan Koum dhe Brian Acton, e shprehën publikisht përbuzjen e tyre për industrinë e reklamave dhe dyshja u largua nga Facebook pasi përplasjeve të raportuara me drejtuesit e rinj.