.

.

BallinaPertejVrasja e 16-vjeçarit në Gramsh, raportim pa etikë dhe fushatë keqinformuese

Vrasja e 16-vjeçarit në Gramsh, raportim pa etikë dhe fushatë keqinformuese

Raportimi nga disa portale me shumë ndjekës për vrasjen e një 16-vjeçari në qytetin e vogël dhe të qetë të Gramshit, u shoqërua me shkelje të Kodit të Drejtësisë Penale për të Miturit dhe atë të Etikës së Gazetarit. “Media në Shqipëri jo vetëm dizinformoi, por keqinformoi lexuesit me rastin e vrasjes së 16-vjeçarit, sepse nuk kshte as faktet, as njohuritë e duhura, as evidencën e duhur për t’i paraprirë raportimit”, sipas ekspertes së komunikimit Edlira Gjoni. Ndërsa sociologu Gëzim Tushe shpjegon se si pasqyrimi i gabuar mediatik i fenomeneve sociale, veçanërisht i kriminalitetit, e 10-fishon atë në realitet.

Ilda Hoxha

Në mesin e muajit maj, një sherr i nisur në rrjetet sociale mes adoleshentëve në Gramsh përfundoi tragjikisht me vdekjen  e një 16 vjeçari. Në edicionet e lajmeve dhe portale të ndryshme, ngjarja zuri vendin kryesor. Një nga portalet shkruante në titull: “U vra pas konfliktit me thika, Publikohet FOTO e 15 vjeçarit”.

Burimi: Bold News

Publikimi i emrit dhe fotos së viktimës, sidomos kur ai është i mitur shkel Kodin e Etikës së gazetarëve dhe Nenin 21 të Ligjit 37.2017 për të miturit.

Më poshtë ilustrimi i Kodeve të shkelura:

Burimi: Ligji 37/2017 Kodi i Drejtësisë Penale për të Miturit

Burimi: Kodi i Etikës së Gazetarit

Për më tepër shkrimi i portalit nuk përmban emër autori dhe nuk i referohet asnjë burimi zyrtar, por mediave në përgjithësi.

Edhe në disa mediat të tjera online dhe në rrjetet e tyre sociale u publikuan foto të viktimës dhe autorit, të dy në moshë të mitur, duke ricikluar të njëjtat shkelje.

Ne kontaktuam përmes emailit me tre portale në lidhje me këtë problematikë. Në përgjigjen për Faktoje portali “Bold News” sqaroi:

“Në parim është gabim që është hedhur dhe njëri nga kolegët, pasi ka parë shpërndarjen në websitet e tjera e ka marrë këtë vendim. Patjetër që s’është etike dhe është e gabuar. Sidoqoftë ne jemi të hapur edhe ndaj idesë për ta korrigjuar sadopak këtë gjë duke e fshirë fare lajmin ku jepet foto dhe emri i plotë”.

Ndryshe nga mediat, policia e Shtetit u tregua e rezevuar në shpërndarjen e informacioneve. Në komunikatën e policisë jepej ky njoftim, pa zbuluar identitetin e personave të përfshirë në ngjarje dhe as të viktimës.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, Pasurisë të miturve dhe Dhunës në Familje të DVP Elbasan, në vijim të hetimeve të kryera në drejtimin e Prokurorisë, kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasve Xh. Ç., 15 vjeç, O. Ç, 14 vjeç, E. K., 15 vjeç dhe S. M., 16 vjeç”-thuhet ndër të tjera në komunikatën zyrtare të policisë së Shtetit pas ngjarjes.

Screenshot i komunikatës zyrtare të policisë së Shtetit

“As titujt e vendosur dhe as mënyra se si është raportuar në media vrasja e 16 vjeçarit në Gramsh, nuk është etike dhe profesionale. Në të gjitha vendet e botës sugjerohet që gazetarët profesionistë t’i largohen sensacionalizmit”, argumenton ekspertja e komunikimit dhe gazetarja, Edlira Gjoni për Faktoje.

“Media në Shqipëri jo vetëm dizinformoi, por keqinformoi lexuesit me rastin e vrasjes së 16-vjeçarit, sepse nuk kshte as faktet, as njohuritë e duhura, as evidencën e duhur për t’i paraprirë raportimit. Është bërë një raportim masiv, sikundër bëhet vetëm me telefonata të shkurtra apo duke i marrë parasysh burime që nuk janë parësore.”-shton ajo.

Përveç raportimeve jo etike, narrativa e kësaj ngjarjeje u përqendrua në detajet se si ndodhi krimi dhe etiketimi i adoleshentëve të përfshirë në ngjarje. 

“(Video) Si ndodhi vrasja e 15-vjeçarit në Gramsh”

Burimi: Lapsi.al

“Para vrasjes postuan foto me doreza”, raporton në rrjetet sociale Jeta Osht qejf,  që ndiqet nga mijëra të rinj.

Burimi: JOQ

Ekspertja e komunikimit Edlira Gjoni rendit pasojat e kësaj qasjeje në raportim:

“Fokusimi i raportimit të një ngjarjeje kriminale vetëm tek mënyra se si ndodhi, duke i shtuar pjesëza dëftore si ‘ja si ndodhi; ‘ja si u vra’; ja si i zunë pusi;’, të gjitha këto këto nguliten në mendjen e lexuesit dhe është e vërtetuar shkencërisht nga ana e komunikimit se ngjarja rrezikon të përsëritet brenda 7 ditëve nëse jepen detaje të tilla për mënyrën se si ndodh ajo. Mediat në Shqipëri merret vetëm me detajet e ngjarjes, ndërkohë, nga ana edukative media duhej të merrej me trajtimin e fenominit të vrasjes dhe jo ta bëjë atë si një manual ‘ja si të vrasësh 16-vjeçarin’.

Sociologu Gëzim Tushi thotë se një pasqyrim i gabuar i fenomeneve sociale, ndikon në rritjen e krimeve:

“Kriminaliteti si fenomen ekzistencial në shoqërinë shqiptare, po zgjerohet dhe po banalizohet dhe ka marrë përmasa shumë të mëdha.

Të gjithë sociologët, përfshirë edhe Pierre Bourdieu, një sociolog francez, i cili është marrë gjerësisht me ndikimet që ka pasqyrimi mediatik i fenomeneve sociale, thekson se një pasqyrim i gabuar i fenomeneve sociale, veçanërisht i kriminalitetit e 10-fishon atë në realitet”.

“Media, edhe pse mund të konsiderohet si një fajtor pa faj, sepse në fund të fundit ka detyrën e saj të pasqyrimit, ka përgjegjësinë etike, sipas së cilës mënyra si e pasyron fenomenin duhet të ndikojë te parandalimi, te formimi dhe te edukimi dhe jo të nxisë fenomenin.

Sepse çfarë ndodh? Shpesh kemi vënë re se si një ngjarje kriminale pasqyrohet në media duke shpjeguar edhe detajet më të holla se si ndodhi.

Detaje që jo vetëm ndikojnë emocionalisht, por ka edhe një fenomen të ngjitjes. Po të vini re, sa pasqyrohet një vetëvrasje ose krim, duket sikur të nesërmen ose të pasnesërmen do të kemi një ngjarje bashkëshoqëruese të kësaj tipologjie”, argumeton më tej sociologu Gëzim Tushi.

Çfarë tregojnë njerëzit pas ngjarjes në Gramsh

Ne udhëtuam në Gramsh dhe biseduam me drejtoreshën e shkollës “Asllan Shahini”, ku mësonte 16 vjeçari që u vra nga bashkëmoshatarët e tij. Zonja Albana Hasa na tregon se i mituri u vra vetëm pak metra larg shkollës ku mësonte.  Hasa mendon se sherri që përfundoi në vrasje erdhi pas një sherri mes viktimës dhe autorëve që kishte nisur në Tik-tok.

Rrjetet sociale sipas një mësueseje në këtë shkollë, zënë thuasje gjithë kohën e lirë të adoleshentëve, të cilët pjesën më të madhe pas shkolle janë pa kontroll prindëror.

“Mund të them se 30% e nxënësve në shkollë rriten dhe edukohen nga një prind dhe ky prind është kryesisht nëna, sepse babai është i detyruar të shkojë të punojë atje në kurbet për t’i siguruar fëmijës këtë telefonin e shtrenjtë”, shprehet ajo

Këtë e konfirmon edhe Erindi, një 13-vjeçar që mëson në këtë shkollë të Gramshit:

“Rrjetet sociale i kam hapur para dy vitesh. Kisha shumë shokë, të afërm që kishin llogari dhe vendosa ta hap edhe unë”. Instagrami dhe TikTok përdoren më shumë nga të rinj. Para pak kohësh ishte një sfidë ku duhet të ngisje makinën me shpejtësi deri në 300 km/h. Ka edhe sfida të tjera të rrezikshme dhe ne provojmë për t’u bërë pjesë e këtij trendi”, tregon adoleshenti.

Juna 10-vjeçare, nxënëse në klasën e katërt, e kalon një pjesë të mirë të ditës e vetme në shtëpi, pasi e ëma është në punë, ndërsa i ati në Greqi, ku i duhet të punojë për të mbajtur familjen. Juna rrëfen se e shpenzon kohën në internet dhe sigurisht ka edhe rrjetet e saj sociale.

“Gjatë pasdites jam vetëm në shtëpi. Kam telefon, komunikoj me shoqe, luaj edhe lojëra në internet, kryesisht Roblox”, shprehet 10-vjeçarja.

Kryetari i Urdhrit të Punonjësve Socialë, Mirgit Vataj, ngre alarmin se shumica e konflikteve nisin nga rrjetet sociale.

“Nga vëzhgimet që janë bërë, që kam bërë dhe unë, TikTok është plaftorma ku ka më shumë gjuhë urrejtje, ka më shumë dhunë dhe cyberbullying ndaj fëmijëve, ku fëmijët janë të ekspozuar ndaj materialeve të papërshtatshme. Prindërit duhet të monitorojnë dhe flasin me adoleshentët që të parandalohen raste të tilla”, sugjeron Mirgit Vata.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img