INVA HASANALIAJ & ANXHELA RUÇI
Në lagjen 14 në Durrës, pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, “Faktoje” gjeti shumë banorë duke marrë sendet e tyre nga apartamentet e pallatit 10 katësh. Prej 26 nëntorit, dita kur zona u godit nga tërmeti me magnitudë 6.4, ndërtesa është në rrezik të vazhdueshëm të thërrmohet, për shkak të çarjeve që ka marrë. Ky pallat ka vetëm 4 vite që është ndërtuar, por pamja e tij tregon vetë se sa i sigurtë është si ndërtim.
Sipas banorëve, asnjë autoritet nuk është paraqitur aty, qoftë edhe për të mos i lejuar të hyjnë brenda për shkak të rrezikshmërisë që paraqet pallati i tyre.
Thuajse një javë pas tërmetit, ata kanë kryer të njëjtin “rit”, në orët e paradites kanë hyrë nëpër banesa duke larguar ç’të mundin, të frikësuar se edhe mund të grabiten, ndërsa natën e kalojnë sipas mundësive, dikush në makinë e dikush tek të afërmit. “Faktoje” i pyeti disa prej banorëve përse nuk janë akomoduar në hotel, por ato u përgjigjën se do t’u kërkojnë ndihmë të afërmve për t’i strehuar pasi hotelet janë plot.
Amelia 2 muajshe është banorja më e vogël e këtij komuniteti e cila prej 6 ditësh nuk fle në shtëpinë e saj. Mamasë së saj i duhet të përballet e vetme me të gjithë situatën, pasi bashkëshorti i saj nuk ndodhet në Shqipëri.
“Këtë apartament e kemi blerë 40 mijë euro”-tregon ajo me gisht hyrjen e ish apartamentit, pasi sot ai i ngjan një gërmadhe.
Ne kërkuam të kontaktonim me ndërtuesin ose inxhinierë për të mësuar mbi situatën kritike që paraqet ndërtesa 10 katëshe, por ishte e pamundur pasi askush nuk ndodhej aty. Gjatë kohës që pritëm të kontatonim me ndonjë ekspert apo përfaqësues vendor, konstatuam se ishin vetë banorët që kujdeseshin edhe masat për të mbrojtur më të vegjlit nga rreziku i shembjes së ndërtesës që mezi mbahet në këmbë.
Rreth mesditës i’u drejtuam Prokurorisë së Durrësit, e cila sipas informacionit zyrtar ka nisur një hetim pak ditë pas tërmetit, por te zyra e informacionit na treguan se institucioni ishte boshatisur, nga paniku i tërmetit të radhës, i cili ishte ndierë 20 minuta përpara se ne të ndodheshim aty.
Sipas informacioneve paraprake në Durrës janë rreth 200 pallate të dëmtuara nga tërmeti, ndërkohë që verifikimi nga grupi i inspektimit vazhdon ende.
Pamje nga pallati 10 katësh në lagjen 14, Durrës