Pretendimi: Kryeministri hungarez Orban përshëndeti të gjithë udhëheqësit në samitin e Budapestit, përveç kryeministrit britanik Starmer.
Verdikti: Mungon konteksti
—————————————
Një video nga Samiti i Komunitetit Politik Evropian (EPC), që u mbajt më 7 nëntor në Hungari, po qarkullon në rrjete sociale me pretendimin se kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer ishte shpërfillur qëllimisht nga kryeministri hungarez Viktor Orban.
Video tregon Orban duke përshëndetur një numër liderësh politikë botërorë, përfshi presidentin ukrainas Volodymr Zelenskyy, presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, kryeministren italiane Giorgia Meloni dhe presidentin francez Emmanuel Macron. Në fund të videos, tregohet Starmer duke mbërritur pa u përshëndetur nga Orban.
Megjithatë, video është montuar në mënyrë selektive. Edhe pse kryeministri hungarez nuk e përshëndeti Starmer pas mbërritjes së tij, pasi Starmer mbërriti me vonesë, Orban e përshëndeti atë më vonë.
Video origjinale, e postuar në Youtube nga ITV News, mban titullin: “Asnjë shtrëngim duarsh nga Orban në Hungari pasi Starmer arrin shumë vonë për një përshëndetje.”
Pra, konteksti fillestar i klipit ishte i qartë: kryeministri hungarez nuk e përshëndeti Starmer kur ai mbërriti sepse Starmer mbërriti me vonesë në samit, jo për shkak të një mospërfilljeje të qëllimshme.
Në një video më të gjatë nga samiti, publikuar në Youtube nga Sky News, vërejmë se Starmer arrin rreth minutës 1:37:00, pasi liderët e tjerë kishin mbërritur dhe kishin hyrë në sallën e takimit.
Ai nuk ishte i vetmi që u vonua. Kryeministri maltez Robert Abela dhe presidenti lituanez Gitanas Nausėda, të cilët mbërritën përpara Starmer, gjithsesi nuk u pritën nga Orban në mbërritje. Kështu, mungesa e përshëndetjes me gjasa ishte pasojë e vonesës dhe jo ndonjë shpërfillje e qëllimshme ndaj Starmer.
Gjithsesi, Orban arriti ta përshëndesë Starmer më vonë atë ditë. Ai u fotografua duke shtrënguar duart me Starmern disa herë gjatë samitit.