Pretendimi: Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen nuk fle në zyrë për t’iu shmangur arrestimit
Verdikti: Mungon konteksti
Barbara Halla
Një postim i publikuara edhe në profile shqipfolëse në Facebook pretendon se Ursula von der Leyen, presidentja e Komisionit Europian, ka transformuar një ambjent si banesë të saj brenda godinës ku punon për t’iu shmangur arrestimit nga prokuroria belge. Ky pretendim është në vazhdën e hetimeve të autoriteteve gjyqësore belge në qytetin e Liezhit, të nisura në fillim të vitit 2023 për të ashtuquajturën “Pfizergate”, çështjen e negociatave të presidentes së KE-së, Ursula von der Leyen dhe CEO të Pfizer, për sigurimin e vaksinës kundër Covid-19.

Videoja pretendon se ndryshe nga “të gjithë paraardhësit e Ursulas, madje çdo politikan, deputet apo zyrtar i lartë, që marrin një apartament me qera për të jetuar, vetëm Ursula ka modifikuar disa zyra duke i kthyer në banesë brenda Parlamentit Europian.”
Aty shkruhet po ashtu se von der Leyen e ka marrë këtë vendim pasi policia belge “nuk ka juridiksion për ta arrestuar brenda Parlamentit të BE-së.”
Së pari, von der Leyen nuk banon në Parlamentin Europian, por në një dhomë 25 metra katrorë në katin e 13-të të ndërtesës Berlaymont, selia kryesore e Komisionit Europian. Sipas Deutsche Welle, ky vendim u mor në tetor 2019, shumë më herët se të niste hetimi për Pfizergate, për arsye praktike dhe ekonomike, jo për të shmangur drejtësinë. Një praktikë të ngjashme, Von der Leyen e ka zbatuar gjatë karrierës së saj në Gjermani, duke jetuar në zyrat e ministrive gjatë javës për të kaluar sa më shumë kohë me familjen e saj të bollshme gjatë fundjavave.
Së dyti, pretendimi se prokuroria belge nuk mund ta arrestojë von der Leyen brenda ndërtesës së BE-së nuk është tërësisht i vërtetë. Ndërtesat e BE-së në Bruksel, përfshirë Berlaymont, ndodhen në territorin sovran të Belgjikës dhe nuk trajtohen si ambasada ku ka imunitet të plotë. Belgjika mban juridiksionin penal mbi çdo vepër penale që ndodh brenda këtyre ndërtesave. Megjithatë, sipas Protokollit nr. 7 mbi privilegjet dhe imunitetet e BE-së, autoritetet belge duhet të kërkojnë pëlqimin e Komisionit Europian para se të kryejnë veprime hetimore brenda ndërtesës.
Kjo nuk do të thotë se von der Leyen është e paprekshme. Nëse ka prova për vepër penale, prokurorët belgë mund të fillojnë hetime dhe të kërkojnë heqjen e imuniteteve institucionale. Për më tepër, hetimi për Pfizergate është fokusuar mbi akuzat për korrupsion me fondet europiane dhe çështja i është kaluar për hetim Prokurorisë së BE‑së (EPPO). Ky organ mund të arrestojë zyrtarët edhe brenda godinave zyrtare të BE-së, duke kërkuar heqjen e imunitetit kur është e nevojshme për veprat penale që dëmtojnë interesat financiare të BE‑së.
Edhe pse pretendimi për arrest është i pavërtetë, është e vërtetë se ka pasur hetime dhe padi ligjore në lidhje me komunikimin e von der Leyen me CEO-n e Pfizer, Albert Bourla, rreth kontratave për vaksinat COVID-19. Një gjykatë e BE-së ka vendosur se von der Leyen ka shkelur ligjet e transparencës duke mos dorëzuar mesazhe teksti të kërkuara.
Megjithatë, këto janë procedura ligjore civile dhe administrative, jo një rast penal që ka rezultuar në një mandat arresti për të. Asnjë person nuk është ngarkuar me akuza në lidhje me rastin penal që po heton Prokuroria Europiane (EPPO). Prandaj, pretendimi se von der Leyen po përpiqet të shmangë arrestimin nga autoritetet belge nuk bazohet në fakte.






