Shqiptarët e prekur nga Covid-19 e kanë mbajtur vetë “barrën” e shpenzimeve për medikamente dhe shërbim mjekësor. Kjo vërtetohet nga të dhënat zyrtare që Faktoje siguroi nga Fondi i Sigurimeve, gjatë verifikimit të një deklarate të deputetes Demokrate Albana Vokshi. Nga verifikimi rezulton se në periudhën nëntor 2020-shtator 2021, nga 170,131 pacientë të raportuar si të prekur nga virusi, vetëm 7536 janë rimbursuar dhe shuma mesatare e rimbursimit është 4 mijë lekë për person.
…………………..
“164 mijë qytetarë të prekur nga COVID (gjatë periudhës 2020-prill 2021), të rimbursuar vetëm 7,183 pra vetëm për 4 % e të sëmurëve. 1 mijë dollarë shpenzoi mesatarisht çdo i sëmurë për t’u kuruar, ndërsa qeveria rimbursoi vetëm 40 dollarë për një të sëmurë, vetëm 4% e shpenzimeve individuale” – deklaroi përmes një postimi në Facebook deputetja e PD, Albana Vokshi më 26 shtator.
Postimi i Albana Vokshit në Facebook
Nisur nga kjo deklaratë, Faktoje vendosi të verifikojë së pari shifrat duke iu drejtuar me një kërkesë për informacion Fondit të Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor.
Kërkesa për informacion dërguar FSDKSH
FSDKSH bën me dije se që nga shpallja e urdhrit nga Ministria e Shëndetësisë për rimbursimin e pacientëve me Covid, në nëntor 2020 deri në prill 2021, janë rimbursuar 7108 pacientë, me diagnozat Covid i lehtë dhe i moderuar. Në përditësimin e publikuar nga Ministria e Shëndetësisë më 30 prill të këtij viti rezultonte se deri në atë periudhë, numri i pacientëve të konfirmuar pozitiv me Covid, ishte 131,085 persona.
“Në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 908, datë 18.11.2020, Për miratimin e paketës së trajtimit Anti-Covid ambulator në banesë, që do të financohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, është përcaktuar që personat e testuar pozitiv me Sars Cov-2 përfitojnë pa pagesë trajtimin ambulator në banesë sipas udhëzuesit të miratuar të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Pra theksojmë se në bazë të vendimit të mësipërm dhe sipas udhëzuesit për trajtimin ambulator në banesë nga mjeku i familjes, trajtimi për formën e lehtë dhe të mesme rimbursohet 100% për çdo person të prekur nga Covid-19.
Nga nëntori 2020 deri më 30 prill 2021 janë trajtuar 7108 pacientë me diagnozat Covid i lehtë dhe i moderuar” – thuhet në përgjigjen zyrtare të Fondit të Sigurimeve.
Gjithashtu nga FSDKSH mësohet se nga 1 maji deri më 30 shtator 2021 janë trajtuar me recetë te rimbursuar 428 pacientë. Në total shuma e rimbursuar për të gjithë pacientët, pra për 7536 pacientë është rreth 31 milionë lekë.
Me këto të dhëna konstatojmë se rimbursimi mesatar për individ është rreth 4 mijë lekë të reja. Nëse pjesëtojmë vlerën e rimbursuar nga FSDKSH, me numrin e pacientëve të rimbursuar (31 000 000 lekë: 7536 pacientë = 4113, 5 lekë) na rezulton kjo shifër.
Ndërkohë, nga përllogaritjet rezulton që nga 19 nëntori 2020 në 30 shtator 2021, janë rimbursuar 5.4% e pacientëve.
Por, si është bërë rimbursimi i tyre:
“Në zbatim të udhëzuesit të miratuar të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për trajtimin ambulator në banesë, është mjeku i familjes që përcakton skemën e mjekimit në momentin që pacienti testohet pozitiv me Sars-Cov-2, në varësi të gjendjes dhe sëmundjeve bashkëshoqëruese.
Në përshkrimin e recetës me rimbursim, mjeku i familjes pasi vendos diagnozën ‘COVID-19 formë e lehtë ose formë e mesme sipas udhëzuesit mbi ndjekjen në shtëpi të rasteve me infeksion COVID-19’, bën përshkrimin e barnave me rimbursim” – sqaron Fondi i Sigurimeve për Faktoje.
Të dhënat zyrtare flasin për një numër të ulët të pacientëve të rimbursuar, ndonëse numri i të infekuarve të raportuar nga Ministria e Shëndetësisë deri më 30 shtator ishte 170,131 persona.
Faktoje pyeti ekspertin Ilir Alimehmeti pse rimbursimi në Shqipëri është në nivele të tilla.
“Mendoj se dy arsyet kryesore janë vështirësitë burokratike për marrjen e rimbursimit dhe shifra shumë e ulët e rimbursimit mesatar (rreth 33 euro është mesatarja e rimbursuar për pacient).
Për një shifër kaq të ulët shumica dërrmuese nuk lodhet fare për të ndërmarrë hapat burokratike, pasi siç thote populli ‘nuk ia vlen barrë qiranë”-theksoi eksperti Ilir Alimehmeti.
Fondi i përcaktuar për rimbursimin e pacientëve me Covid
Më 18 nëntor 2020 u miratua fondi prej 1.2 miliardë lekësh për rimbursimin e ilaçeve për kurimin e COVID-19.
Sipas vendimit të miratuar në mbledhjen e qeverisë ‘Për diagnozën COVID-19’, rimbursimi do të jetë 100% nga shteti nga fondi prej 1.2 miliardë Lekë të vënë në dispozicion të pacientëve
Më 19 nëntor Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu deklaroi se qeveria kishte marrë vendimin për të rimbursuar të gjithë pacientët me Covid-19 që trajtohen në mënyrë ambulatore në shtëpi.
Sipas ministres, nga kjo do të përfitonin të gjithë qytetarët të siguruar, apo të pasiguruar, duke shtuar se vlera e rimbursimit e paketës së barnave për të dy skemat e mjekimit ishte 125 dollarë.
Me disa llogari të thjeshta rezulton që nga fondi i miratuar i rimbursimit janë shpenzuar vetëm 31 mln lekë ose rreth 2.7 %. Shuma e mbetur është: 1.169,000,000
Faktoje kontaktoi ish-ministrin e Shëndetësisë, Petrit Vasili për ta pyetur se çfarë ndodh me paratë e mbetura në rastet kur rimbursimi është në nivele të ulëta.
Vasili sqaroi se këto para rialokohen për punë të tjera, duke shtuar se shqiptarët e kanë mbajtur vetë të gjithë barrën e shpenzimeve për kurimin dhe trajtimin ndaj Covid-19.
Nga verifikimet e kryera dhe informacioni i grumbulluar, vendosëm që deklaratën e deputetet Vokshi për numrin e ulët të të rimbursuarve për trajtimim e Covid- 19, ta kategorizojmë të Vërtetë.
Lexo edhe: Rimbursimi i recetave anti-Covid, shumë zhurmë për “pak gjë”