.

.

BallinaFaktometerPa kategoriVlorë/ Shtimi i qenve të rrugës alarmon qytetarët dhe turistët

Vlorë/ Shtimi i qenve të rrugës alarmon qytetarët dhe turistët

Nga Anxhela Mohammad

Qentë e rrugës janë kthyer në një shqetësim serioz për qytetarët dhe turistët e Vlorës, pasi në zona të ndryshme të këtij qyteti kohët e fundit është vërejtur një rritje e numrit të qenve, që shpesh janë të pasterilizuar dhe agresivë ndaj qytetarëve. Në përgjigjen e saj për Faktoje, bashkia e Vlorës pranon se kohët e fundit është vënë re një prurje e qenve nga bashki të tjera dhe se aktualisht në këtë qytet janë 4 mijë qen pa pronar.

Foto nga qentë e rrugës, Vlorë 2022

Shtimi i qenve të rrugës në Vlorë, në kulmin e sezonin turistik është një problematikë që ka shqetësuar banorë dhe turistë.

“Sa më shumë ditë kalojnë aq më shumë qen shikoj. Jo vetëm që të tmerrojnë, por të frikësojnë dhe të llahtarisin. Një herë më kanë sulmuar, shyqyr rastisa me njerëz të tjerë që i trembën dhe u larguan. Të marri masa bashkia për këta sa kur dalin kope s’di ku të futesh”- tregon Albana, një qytetare nga Vlora.

Qytetarë të ndryshëm pranojnë për Faktoje se shpesh ndihen të rrezikuar për shkak të agresionit të qenve të rrugës.

Edlira, një tjetër qytetare tregon për Faktoje se e vetmja zgjidhje për të ulur numrin e qenve të rrugës është sterilizimi, gjithashtu thekson se shteti duhet të kujdeset që edhe t’i ushqejë.

“Duke qartë që ka një rritje të numrit të qenve të rrugës përgjatë muajve të fundit në Vlorë. Shkaku i kësaj situate është se shteti nuk kujdeset fare për qentë. Bashkia duhet të marri masa të rrepta sepse na ndodh të dalim natën apo ditën dhe të kemi frikë pasi sulmohemi nga qentë. Prandaj duhet të kujdesen për ta ose të bëjnë sterilizimin që të mos shumohen më. Në Mikonos qenve dhe maceve u hedh shteti ushqim, këtu është bërë masakër”, u shpreh Edlira.

Foto nga qentë e rrugë, Vlorë 2022

Liljana Breshani, drejtuesja e organizatës “Protect Me Albania” dhe e strehës private të kafshëve në Vlorë tregon për Faktoje se janë një sërë faktorësh që sjellin problematikën e shtimit të qenve të rrugës.

“Janë një sërë faktorësh që sjellin problematikën e shtimit të qenve të rrugës dhe mbi të gjitha është shteti. Shteti jonë nuk ka një strategji ose ligji tek ne ekziston që është një imitim i ligjit italian i përshtatur për Shqipërinë por nuk zbatohet dhe nuk është i plotë. (ka vakum ligjor). Ligji i veterinarisë ka në thelb që përgjegjësi kryesor, që duhet të ketë në vëmendje dhe që të trajtoj kafshët endacake, është Bashkia. (Pushteti lokal) Bashkitë kanë për detyrë që të çelin një fond të caktuar dhe të kenë në kontroll shtimin e tyre, vaksinimet për të patur kafshë të shëndetshme për kafshët me njëra-tjetrën, por dhe për shëndetin e njerëzve për mbrojtjen e mjedisit. Ashtu sikurse ne njerëzit që sëmuremi, jemi të ndjeshëm nga një virozë, nga një vektor që përcjell sëmundje, nga një mjedis i ndotur edhe kafshët sëmuren nga mjedisi i ndotur”, u shpreh Breshani.

Foto nga qentë e rrugë, Vlorë 2022

Më tej drejtuesja e sterës së kafshëve tregon se hapi i parë që duhet marrë për të zgjidhur këtë problematikë është sterilizim, vaksinim teksa thekson se duke bërë sterilizim çdo vit, numri i tyre ulet.

“Sterilizimin e qenëve duhet ta bëj çdo bashki e Shqipërisë në të njëjtën kohë. Sepse nëse e bën vetëm Vlora, qytete të tjera si p.sh.  Fieri mbushin furgonin me qenë dhe i sjellin në Vlorë. Mbipopullimi i qenve të rrugës është një problematikë sepse ne jemi përgjegjës që kafshët janë në rrugë. Shteti duhet të ndërtoj një sistem regjistrimi ose të ketë database-in për të regjistruar si qentë me pronar dhe pa pronar. Përveç pullës në vesh mund t’i vendosen dhe çip që kur qeni të kapet prapë për ta sterilizuar të kuptohet që është i regjistruar dhe pronari kur merr një qen të jetë i detyruar, çfarëdolloj qeni të jetë të shkoj ta regjistrosh, t’i vendosi një çip, t’i japë një pashaportë dhe të fillojë protokollin e shërbimeve veterinare. Kështu mbron qenin, njeriun dhe mjedisin. N.q.s. nesër një qen braktiset, pronari të marrë gjobë sepse krahas çipit do të regjistrohet dhe emri i pronarit dhe nuk i braktisin dot më”, – tregon Breshani.

Faktoje vendosi t’i dërgojë një kërkesë për informacion bashkisë Vlorë ku ndër të tjera kërkuam të dimë nëse ka pasur një tendencë të rritje të numrit të qenvë të rrugës dhe cilat janë masat që bashkia ka ndërmarrë në kuadër të kësaj problematike.

Screenshot, kërkesa për informacion drejtuar bashkisë Vlorë

Në përgjigjen e marrë nga bashkia Vlorë na jepet informacion se:

“Në qytetin e Vlorës gjenden rreth 4000 qen rruge, nga të cilat një pjesë janë të pa kastruar/sterilizuar.. Ka patur sinjalizime për prurje qensh nga qytete e tjera nga burime jo zyrtare, po që vërehet grumbullimet e qenve. Bashkia Vlorë prej 3 vitesh kryen programme për kontrollin e shumimit të qenve të rrugës, në bashkëpuim me shoqatën “Protect Me” që realizon sterilizimin, vaksinimin, kastrimin dhe matrikulimin e qenve për të frenuar shumimin e tyre. Bashkia Vlorë, Njësia Veterinarië ka gati projektin e ngritjes së një strehe për qentë e rrugës si dhe jemi në procedure e sipër për konvertimin e një ndërtese për këtë qëllim.”- shkruhet në përgjigjen.

Përgjigja e nga Bashkia Vlorë

Nga një kërkim në faqen zyrtare të bashkisë Vlorë për të parë nëse është parashikuar fond për menaxhimin e qenve të rrugës në këtë qytet, evidentuam se në kategorinë e buxhetit nuk figuron asnjë publikim për buxhetin e vitit 2022, ndërsa publikimi i buxhetit për vitin 2021 nuk është i aksesueshëm.

Oli Pero, aktiviste për të drejtat e kafshëve dhe themeluese e organizatës “Animals Need Me” në qytetin e Shkodrës, tregon për Faktoje se si në Vlorë ashtu dhe në Shkodër është vënë re fenomeni i mbipopullimit të qenve të rrugës. Sipas saj qytetarët braktisin çdo ditë kafshët dhe nuk interesohen më për fatin e tyre.

“Prej vitit 2014 kemi bërë 25 fushata sterilizimi për qen dhe mace në bashkëpunim me Bashkinë e Shkodrës dhe organizata të huaja, këto kanë rezultuar në sterilizimin e 2600 qenve dhe 950 maceve. Puna jonë me gjithë dashamirësinë dhe investimin tonë në këtë çështje nuk mjafton. Institucionet që e kanë përgjegjësinë për t’u marrë me këtë problem ose i shmangen kësaj përgjegjësie ose e trajtojnë në mënyrë joetike duke i vrarë nëpërmjet helmimit. Fenomeni i kafshëve endacake ka nevojë për investim nga ana e qeverisë shqiptare me 3 ministri përkatëse si: Ministria e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural, Ministria e Turizimit dhe e Mjedisit si dhe Ministria e Edukimit. Paralelisht duhet të punojnë bashkitë dhe drejtoritë veterinare”, tregon aktivistja për të drejtat e kafshëve.

Pero rendit disa pika ku sipas saj duhet të punohet që kjo problematikë të ketë përmirësim:

1-Sterilizimi masiv;

2-Edukim mbi pronësinë e përgjegjshme (mosbraktisje e kafshëve shtëpiake në rrugë);

3-Ndëshkim i atyre që e bëjnë këtë ose i keqtrajtojnë kafshët. Kjo do të ndikonte pozitivisht në vitet në vazhdim.

4- Përpjekje sporadike organizatash vullnetare dhe jo vullnet për zgjidhje nga ana e institucioneve përkatëse.

*Shkrimi është prodhuar nga të rinjtë pjesëmarrës të projektit “Youth RAP” që Faktoje po zbaton së bashku me organizatën IREX.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img