.

.

BallinaFaktometerE vërtetëVlorë, banorët dhe biznesi ‘pro‘ aeroportit, mjedisorët të vetëm në betejën ligjore kundër projektit

Vlorë, banorët dhe biznesi ‘pro‘ aeroportit, mjedisorët të vetëm në betejën ligjore kundër projektit

Aeroporti i Vlorës, projekti me vlerë mbi 100 mln euro, ka ndarë përfundimisht në dysh komunitetin e biznesit dhe banorëve të zonës me organizatat mjedisore që po mbështeten vetëm nga partnerët e huaj. Të parët e konsiderojnë projekt të jashtëzakonshëm dhe që tani po shohin rezultatet me shumëfishimin e çmimit të tokës në Novoselë. Ndërsa ambientalistët vijojnë rrugën ligjore kundër qeverisë, e cila sipas tyre veproi abuzivisht me rishikimin e kufijve të zonave të mbrojtura. Pavarësisht kësaj, projekti i aeroportit të Vlorës duket se garën e ka vetëm me kohën dhe jo me procesin gjyqësor ku ambientalistët nuk kanë përkrahjen e komunitetit.

Jerola Ziaj

“Edhe pak ditë na ndajnë nga nisja e punës për terminalin“ tha në një komunikim telefonik për Faktoje.al kryetari i Njësisë Administrative Novoselë Kanan Shakaj. Sipas tij, kompanitë e e angazhuara, kanë gjithë fokusin në kantierin e ndërtimit të projektit më të rëndësishëm në jug të vendit.  

Projekti i Aeroportit të Vlorës ka qenë një prej temave më të nxehta sa i takon investimeve në jug të vendit e po ashtu i vetmi projekt i cili nuk arriti një “simbiozë” mes ekspertëve mjedisorë dhe operatorëve turistikë dhe qeverisë.  

Punimet për aeroportin e Vlorës, mars 2023

Aeroporti i Vlorës është i pari projekt në Shqipëri ku protestat dhe reagimi i organizatave mjedisore dhe shoqërisë Civile është pritur me “kundër-protesta” nga banorët e zonës dhe operatorët turistik të Vlorës të cilët pavarësisht dëmit mjedisor që parashikohet të shkaktojë, e konsiderojnë projektin e Aeroportit një “dritare“ shprese sa i takon zhvillimi të rajonit të Akërnisë e Novoselës dhe të ardhmes turistike të Vlorës në përgjithësi.  

Disa organizata të shoqërisë civile janë investuar në ndjekjen e kauzës në rrugë ligjore, me argumentin se dëmet që projekti do të shkaktojë, janë të mëdha. Kundërshtitë e këtij komuniteti nisën që në fazat e para të konsultimit me publikun dhe grupet e interesit, pasi projekti i konsideruar strategjik nisi fillimisht ndërtimin brenda territorit të zonës së mbrojtur.  

Territori i hequr nga Zona e Mbrojtur, Nartë Pish Poro

Në Nëntor 2022, Grupimi i organizatave mjedisore kundërshtoi kontratën mbi ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës si të pavlefshme për shkak të parregullsive dhe shkeljeve të disa ligjeve.  

“Objekti në ndërtim, përbën një kërcënim të madh për ekosistemin natyror të zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë. Leja e zhvillimit është miratuar përpara përfundimit të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM), gjithashtu vetë procesi i realizimit të VNM-së është i parregullt dhe jo në përputhje me rregulloret, siç e përcakton ligji.”- shkruhet ndër të tjera në akt padinë e depozituar në Gjykatën Administrative nga PPNEA dhe AOS, të mbështetura nga organizata joqeveritare ndërkombëtare EuroNatur si dhe komuniteti shkencor ndërkombëtar.  

Organizatat joqeveritare dorëzuan prova dhe fakte mbi shkeljen e disa ligjeve, si ligji për zonat e mbrojtura, ligj për realizimin e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM), ligji për planifikimin e territorit, procedurat lidhur me kontratën koncesionare si dhe shkelje të rregulloreve përkatëse. Gjithashtu, pala paditëse theksoi ndaj autoriteteve, proceset e paligjshme, mungesën e transparencës dhe përfshirjen e palëve të interesit, si dhe anashkalimin e procedurave thelbësore të procesit. Në mënyrë të përmbledhur organizatat pretenduan se këto vendime e bëjnë ndërtimin e Aeroportit të Vlorës të paligjshëm e të parregullt, gjithashtu të shoqëruar me ndikime negative dhe të pakthyesheme në mjedis.  

Punimet për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës nisën në 28 Nëntor 2021 në praninë e Kryeministrit Rama në një ceremoni si pjesë e axhendës së festimeve të Pavarësisë Kombëtare.  

Kantieri u ngrit me shpejtësi katër ditë pas pajisjes nga KKT-të me leje Zhvillimi për objektin “Aeroporti Ndërkmbëtar i Vlorës“, por në mungesë të Deklaratës Mjedisore të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura e cila u nënshkrua në 6.12 .2021  .

Por pavarësisht fakteve të parashtruara në aktpadi, Gjykata Administrative rrëzoi padinë e depozituar në nëntor 2022, nga organizatat mjedisore PPNEA dhe AOS me mbështetjen e Euronatur, mbi planin e ndërtimit të aeroportit në lagunën e Nartës. Në arsyetimin e vendimit, OJF-të si palë paditëse, nuk legjitimohen për të kundërshtuar ligjërisht dhënien e lejes së ndërtimit në zonën e mbrojtur, sepse sipas gjykatës nuk ndikohen nga ky zhvillim.  Në dhjetor të vitit 2022, PPNEA dhe AOS e apeluan këtë vendim.

Vendimi i Gjykatës administrative për rrëzimin e padisë së OJF mjedisore

Po në dhjetor 2022 organizatat mjedisore shqiptare bashkë me mbështetjen e EuroNatur, depozituan një padi tjetër. Këtë radhë, kundër rishikimit të kufijve të Zonës së Mbrojtur Vjosë-Nartë. Sipas tyre ky rishikim, nuk bazohet mbi procedura ligjore dhe është bërë në mungesë të konsultimeve publike dhe justifikimeve faktike për zvogëlimin e sipërfaqes së zonës së mbrojtur.  

Ndërtimi i Aeroportit të Vlorës u kundërshtua edhe gjatë takimit vjetor të Komitetit të Përhershëm të Konventës së Bernës, mbajtur në fund të vitit të kaluar në Strasburg, ku autoriteteve shqiptare iu kërkua ndalimi i punimeve për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës. Gjithashtu, Komiteti i kërkoi qeverisë shqiptare të nisë një program gjithpërfshirës të monitorimit të jetës së egër dhe të integrojë të dhënat në raportin e rishikuar të vlerësimit të e ndikimit në mjedis.  

“Me ndërtimin e një aeroporti brenda një zone të mbrojtur, qeveria shqiptare anashkalon zbatimin e ligjit duke dëmtuar natyrën dhe favorizuar interesa të caktuara. Procese të tilla duhet të frymëzojnë mosebesim ndaj Bashkimit Europian.”- deklaron në qëndrimin zyrtar të publikuar në njoftimin për shtyp Annette Spangenberg, drejtuese e konservimit pranë EuroNatur.

Screenshot nga padia e organizatave mjedisore kundër aeroportit të Vlorës

Por asnjë nga këto zhvillime nuk e ka nxitur komunitetin e biznesit në Vlorë dhe banorët e zonës së Akërnisë të mbështesin betejën e mjedisorëve dhe kjo për arsye kryesisht ekonomike.  

Do të donim të ballafaqohemi me ambientalistët, pasi ne mendojmë se ata besojnë se kjo është një zonë e mbrojtur, mendohet më së shumti për shpëndët që janë në lagunën e Nartës, mirëpo ky aerodrom ka funksionuar nga viti 1962 deri në vitin 2006, me avionë  reaktivë. Këtë argument ata (organizatat mjedisore) nuk e pranojnë. Unë kam qenë pilot dhe kam dhe pedagogë metoeorologjie, kurrë në turbinat e avionëve tanë nuk ka mbetur asnjë shpend. Unë mendoj se ata duhet të bisedojnë me ne!”-tha për Faktoje, Tomorr Hoxha, banor në Novoselë, teksa shtoi se mezi pret përfundimin e projektit për Aeroportin e Vlorës.

“Rendi juridik i tokës bujqësore nuk ka ndryshuar ende, por rritja e çmimit gjithsesi ka nisur të reflektohet, ku nga 3-5 euro/m2, tashmë një metër katror tokë bujqësore shitet 10-20 euro/m2 .”- tha për Faktoje Emiljano Hajrulla, agjent i shitjes së pasurive të patundshme.

“Nëse do të ketë konvertim të tokës bujqësore, ashtu sikurse shpresojnë banorët, metri katrorë i tokës do të shkojë deri në 100 euro.”- shtoi Hajrulla.  

Ndërkohë banorët e Novoselës, si rrallë herë të bashkuar në një qëndrim, thonë se përkrahin ndërtimin e aeroportit. Ata e konsiderojnë projektin të dobishëm për zonën dhe shumë më atraktiv sesa eventet e “bird watching” të shpëndëve migratorë. 

Edhe operatorët turistikë kanë pritshmëri të larta nga ky ky projekt, i jashtëzakonshëm siç e quajnë ata. 

“Lajmi më i mirë sa i takon investimeve është ai për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, i cili pritet të sjellë një hov të jashtëzakonshëm në zhvillimin turistik të Jugut në përgjithësi. Lidhja e të gjitha akseve rrugore të bashkive turistike të Qarkut ka ndihmuar në reduktimin e kohës në të cilën një pushues apo turist do të mund të aksesojë bregdetin duke iu përmbajtur kështu standardeve europiane. Me ndërtimin e aeroportit në më pak se dy orë një pushues mund të gjëndet në Dhërmi, Himarë e deri në Sarandë, ndërsa Vlora pritet të jetë kryeqendra. Deri më tani territori ku do të ndërtohet aeroporti ishte i paakseseushëm dhe pa asnjë kontribut në ekominë lokale.” – tha për Faktoje kryetari i Unionit Turistik të Vlorës, Vasil Bedinaj.  

Kreu i Unionit të operatorit Turistik Vlorë, Vasil Bedinaj

Ndërsa beteja e mjedisorëve vijon ligjërisht, fluturimi i parë nga Aeroporti i Vlorës parashikohet të kryhet në pranverën e vitit 2024, pasi qeveria nuk duket të ketë plan pë t’u tërhequr nga projekti në këmbim të konservimit të mjedisit dhe habitateve natyrorë. Pikërisht ky është një nga shqetësimet e ambientalistëve, sipas të cilëve peizazhi i Mbrojtur Vjosë-Nartë konsiderohet si një ndër  sistemet  ekologjike  më  të  rëndësishme  në Shqipëri, ligatina e dytë më e rëndësishme në vend, shtëpi e llojeve të rëndësishëm të florës dhe faunës. Kjo zonë është pjesë e  disa  rrjeteve  ekologjike  ndërkombëtare, pjesë  e  koridorit  shtegtues të Adriatikut, me më shumë se 220 lloje shpendësh.

*Ky artikull publikohet në kuadër të thirrjes për 10 shkrime me profil fact checking, pjesë e projektit “Forcimi i Gazetarisë Fact Checking në Shqipëri” që po zbatohet nga organizata Faktoje, mbështetur nga Ambasada Hollandeze. Këto artikuj janë pjesë e konkursit kombëtar, për çmimin “Fatos Baxhaku”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img