Esmeralda Topi
“Nuk është përrallë, por realitet. Vjosa është lumi i fundit i egër në Europë, bashkë ta bëjmë modelin se si mund të jetohet e të punohet edhe buzë një lumi të egër me shpirtra njerëzorë të butë” Me këto fjalë, marsin e vitit 2023, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, shpalli lumin Vjosë si parkun e parë kombëtar të lumit të vetëm të egër në kontinent. Një moment që ngjante si fundi i një beteje dhe fillimi i një epoke të re për ruajtjen e natyrës.
Dy vite më pas, përralla e Vjosës duket më e brishtë se kurrë.

Në hyrje të Tepelenës, afër fshatit Majkosh, Vjosa rrethohet nga një kapicë mbeturinash që ngrihen si mal buzë saj. Ajri është aq i rëndë, sa edhe shiu i beftë nuk arrin ta pastrojë. Një vizitor i huaj do të tronditej, një biolog gjerman thjesht hap sytë i habitur.
“E pabesueshme, e pabesueshme… si mund të ndodhë kjo pranë një parku kombëtar?!”, thotë Leonard Sonten, menaxher projekti në fondacionin EuroNatur, duke parë qeset plastike të kacavjerrura në degët e pemëve dhe zogjtë që ushqehen me mbetje.


Pamja është e trishtë. Koha gri vetëm e thellon atmosferën e dëshpëruar.

“Mjafton një erë e lehtë dhe të gjitha këto mbetje përfundojnë në Vjosë. Kjo është qartësisht e papranueshme”, shton Sonten.
Përballë këtij mali plehrash, qeveria ka nisur ndërtimin e një qendre vizitorësh me vlerë 5.7 milionë euro. Ajo që duhej të ishte dera mikpritëse e parkut kombëtar, për momentin është një vitrinë e keqmenaxhimit.

“Shpresoj që të pastrohet zona përpara hapjes së qendrës,” thotë Sonten.
Por kjo është vetëm ndotja që shihet. Në Vjosë përfundojnë çdo ditë ujërat e patrajtuara të shtatë bashkive përgjatë luginës. Kanalizime të tëra shkojnë drejt e në parkun që duhej të ishte simbol i pastërtisë dhe ruajtjes.


Shfrytëzimi i ujit të Vjosës
Në rrëzë të fshatit Gjonçaj, në Fier, një tjetër plagë shfaqet e heshtur. Që prej vitit 1956, aty funksionon një nga veprat më të mëdha vaditëse në vend: kanali Vjosë–Levan–Fier. I ndërtuar nga ish të burgosur politikë, ai devijon një sasi të madhe uji nga lumi për të vaditur mbi 15 mijë hektarë tokë në Myzeqe. Për bujqësinë, është jetik. Për Vjosën, sipas hidrobiologëve është kërcënimi më serioz.

“Rezultatet tona tregojnë se mbi 60% e ujit kalon në kanal, duke lënë vetëm 40% në rrjedhën natyrore, të paktën në fund të gushtit,” thotë Olsi Nika nga EcoAlbania.
“Dy janë elementët kryesorë të një ekosistemi lumor: rrjedha e ujit dhe transporti i sedimenteve. Nëse cënohet njëri, lumi dëmtohet në mënyrë të pakthyeshme”, shpjegon ai.
Ndërkohë që ndryshimet klimatike parashikojnë një ulje prej 30% të prurjeve deri në vitin 2050, devijimi i pakontrolluar i ujit e bën bilancin edhe më të rëndë. Çështja nuk është vetëm mjedisore, por edhe politike: kush ka prioritet, bujqësia apo ruajtja e parkut?

“Është një nga problematikat më të vështira për t’u zgjidhur. Duhet vullnet, bashkëpunim ndërinstitucional dhe mbi të gjitha, vizion,” shton Nika.
Por edhe sikur rrjedha të ruhej, kërcënimet nuk mbarojnë aty.
Çdo segment i lumit nën presion
Në mars 2025, një raport i ri, “Hartëzimi i Presioneve në Parkun Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa”, i dorëzuar pranë Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, dokumenton një panoramë shqetësuese. Nga nafta tek bitumi, nga minierat tek zhavorri, çdo segment i lumit është nën presion.
Në fshatin Koçul të Selenicës, rrjedhjet e naftës shihen shpeshherë, duke ndotur ujin dhe dëmtuar biodiversitetin.


Në pjesën e mesme të lumit, minierat e bitumit hedhin mbetje të paligjshme, një praktikë e ndaluar me ligj, por e vazhduar pa kontroll. Ndërkohë, heqja e zhavorrit shkatërron vendet e shumimit të peshqve dhe destabilizon shtratin e lumit.


“Është një kombinim presionesh, që i japin Vjosës një goditje pas tjetrës,” shpjegon Nika.
Nëse qeveria do t’i injorojë këto presione, Vjosa rrezikon të shndërrohet në një “park letre” i mbrojtur në ligj, por jo në realitet. Dy vite pas shpalljes së saj si park kombëtar, përralla e Vjosës po shkruhet me kapituj të dhimbshëm.
“Ky park u përshëndet në mbarë botën, por realiteti në terren tregon një histori tjetër. Pa vullnet politik urgjent, Vjosa rrezikon të mbrohet vetëm në letër”, përfundon Olsi Nika, nga EcoAlbania.