Shtatë bashki përgjatë Vjosës vazhdojnë të derdhin ujëra të ndotura në lumë, ndërsa ndërtimi i impianteve të premtuara ende nuk ka nisur.
Esmeralda Topi
Në korrik të vitit 2023, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, deklaronte me entuziazëm nisjen e një investimi të rëndësishëm mjedisor për lumin Vjosë.
“Janë shtatë bashki midis qarkut të Gjirokastrës dhe të Vlorës të cilat do të pajisen me impiante sepse nuk mund të flasim për Vjosën mbretëreshën e lumenjëve të Europës, ndërkohë që sot e kësaj dite vazhdojnë gjithë ujërat e ndotura të derdhen në Vjosë”, premtonte Kumbaro asokohe.
Dy vite pas këtij angazhimi, Faktoje verifikoi ecurinë e projektit të shumëpërfolur. Verifikimet tregojnë se qeveria shqiptare është ende larg përmbushjes së plotë të këtij zotimi. Vjosa, pagëzuar si lumi i vetëm i egër i Europës, tashmë edhe Park Kombëtar, vijon të ndotet nga ujërat e zeza të shtatë bashkive përgjatë saj. Ndërtimi i impianteve nuk ka nisur, pasi projekti 80 milionë dollarë nga Banka Botërore është në hapat e parë të zbatimit.


Fakt
Banka Botërore konfirmoi për Faktoje se huaja prej 80 milionë dollarësh është bërë efektive vetëm në 31 mars 2025. Pra, më shumë se 20 muaj pas deklaratës së ministres Kumbaro.
“Projekti u bë efektiv në momentin që u plotësuan të gjitha kushtet e nevojshme të berjes efektiv”, sqaroi Banka Botërore në një përgjigje zyrtare.
Sipas saj, aktualisht po përgatiten termat e referencës për aktivitetet që parashikon projekti. Zbatimi në terren ende nuk ka nisur, ndërsa përfundimi i plotë i këtij investimi parashikohet në mars të vitit 2030.
Nga ana tjetër, ministria e Turizmit, pas një procesi ankimimi pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit (pasi refuzoi dhënien e informacionit siç e parashikon ligji), ndau në mënyrë të përmbledhur të njëjtën datë përmbyllëse.
“Sipas marrëveshjes së huasë me Bankën Botërore, datë përmbyllëse e projektit është marsi i vitit 2030”, njofton ndër të tjera ministria.
Kjo do të thotë se realizimi i premtimit për ndërtimin e 7 impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura është ende në fazë paraprake dhe mbrojtja e lumit Vjosë nga ujërat e ndotura do të kërkojë të paktën edhe 5 vite të tjera.
Çfarë ndodh sot me bashkitë përgjatë Vjosës?
Faktoje kërkoi informacion zyrtar nga bashkitë që përmenden në projekt. Disa prej tyre konfirmuan mungesën e investimeve konkrete, teksa katër prej tyre refuzuan dhënien e informacionit.

Libohovë
Në territorin e kësaj bashkie nuk ekziston asnjë impiant për trajtimin e ujërave të ndotura. Bashkia pohon për Faktoje.al se rrjetet e kanalizimeve janë të pjesshme dhe të vjetra. Në shumë zona rurale, ujërat e ndotura menaxhohen me gropa septike.
Memaliaj
Kjo bashki ka rrjet kanalizimi, por ujërat e ndotura derdhen 100% në lumin Vjosë, për shkak të mungesës së një impianti. Bashkia thotë se nuk ka kapacitete financiare për ta përballuar vetë një investim të tillë dhe aktualisht është në negociata me organizata të huaja për të aplikuar në projekte mjedisore. Deri tani, asnjë veprim konkret nuk është ndërmarrë.
Përmet
Përmeti është ndër të paktat bashki që ka konfirmuar përfshirjen zyrtare në projektin e financuar nga Banka Botërore, përmes iniciativës ‘Care for blue sea’. Sipas bashkisë, ndërtimi i impiantit është pjesë e një strategjie për të reduktuar ndotjen përgjatë luginës së Vjosës. Por, edhe këtu projekti është ende në fazën e studimit, dhe nuk ka nisur ende asnjë punim në terren.
Ndërsa, bashkitë Gjirokastër, Tepelenë, Këlcyrë dhe Selenicë, nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.
Përfundim
Premtimi për një “revolucion” mjedisor me ndërtimin e 7 impianteve përgjatë Vjosës, është ende larg zbatimit. Projekti, ndonëse i rëndësishëm dhe i financuar nga një institucion ndërkombëtar si Banka Botërore, është ende në hapat e parë. Ndërkohë, Vjosa vazhdon të ndotet çdo ditë nga ujërat e zeza të bashkive që duhej ta mbronin. Nisur nga këto të dhëna, premtimin e ministres Mirela Kumbaro për ndërtimin e 7 impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura në bashkitë që përshkon Vjosa, e kategorizojmë pjesërisht të mbajtur.