Kryeministri Edi Rama kishte premtuar se fundi i këtij viti do ta gjente portalin e shërbimeve publike e-Albania me një asistent virtual me zë dhe figurë. Verifikimet tregojnë se platforma ende nuk e ka variantin 2.0 të asistentit virtual, teksa qytetarët shpesh hasin vështirësi për të marrë shërbimet online.

Esmeralda Topi

Dhjetorin e shkuar, kur u prezantua për herë të parë asistenti virtual 1.0 si pjesë e platformës e-Albania, kryeministri premtoi se 2024 do të mbyllej me asistent të ri me zë dhe figurë. 

“Brenda vitit 2024 do të jetë “live” edhe Asistenti Virtual 2.0, i cili do të shfaqet edhe me zë e me figurë dhe do ta bëjë vetë të gjithë procesin e aplikimit për llogari të qytetarit.”, premtoi kryeministri vjet në vigjile të ndërrimit të viteve.

Sipas kryeministrit asistenti virtual ishte një shërbëtor publik në dispozicion të qytetarëve në çdo orë për t’i ndihmuar ata të ndërvepronin me e-Albania e të merrnin shërbime pa pasur nevojë për ndihmë tjetër. 

“Ky asistent nuk është thjeshtë një program kompjuterik, por është udhërrëfyesi dhe ndihmësi i qytetarëve 24 në 7.”, argumentonte Rama.

Fakt

Këtë fundvit, portali i shërbimeve publike e-Albania nuk e ka shërbëtorin publik me zë dhe me figurë, sikurse premtoi kryeministri.

Ndihmësi virtual i krijuar përmes inteligjencës artificiale vijon të jetë në formën e një programi kompjuterik ku qytetarët mund të ndërveprojnë përmes pyetje-përgjigjeve të shkruara.

Gjatë një konference rajonale me fokus teknologjinë, drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit Linda Karçanaj deklaroi se versioni i ri 2.0 do të niste vitin e ardhshëm.

Për të mësuar arsyet e shtyrjes së afatit mbi versionin e ‘shërbyesit publik’ me zë dhe figurë, Faktoje.al iu drejtua AKSHI-t.

Deri në një përgjigje zyrtare nga AKSH-i, ju drejtuam edhe të ‘zotit të punës’.

“Unë jam Asistenti virtual 1.0, i krijuar për t’ju ndihmuar për të përdorur shërbimet elektronike në platformën e-Albania. Aktualisht, nuk kam aftësinë për të komunikuar me zë ose të shfaqem në formën e figurës” – u përgjigj asistenti në e-Albania.  

Përfundim

Nisur nga verifikimet e bëra, premtimin e kryeministrit Edi Rama se brenda 2024 asistenti virtual në e-Albania do të ishte me zë dhe figurë, e kategorizojmë të pambajtur.