Pretendimi: Viti 2017 në fronin pas mbretit britanik Charles III në këtë foto shënon vitin e vërtetë kur vdiq mbretëresha Elizabeth.

Verdikti: E paprovuar

—————————————————————-

Një imazh i mbretit anglez Charles III po qarkullon në rrjetet konspiracioniste krahas pretendimit të pazakontë se viti 2017, i gdhendur në fronin ku është ulur monarku, është viti i vërtetë i vdekjes së mbretëreshës Elizabeth.

Si zakonisht, për të mbështetur këtë pretendim të pazakontë nuk sillet asnjë provë, burim apo referencë.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se foto e mësipërme është shkrepur në Maj 2025 gjatë një vizite të Charles në Kanada, kur ai hapi sesionin e ri të Parlamentit të 45-të kanadez në Ottawa.

Froni ku Charles është ulur është një nga dy frone të porositura  me rastin e 150-vjetorit të shtetit të Kanadasë, nga 1867 në 2017. Ato u krijuan nga skulptori Phil White duke përdorur dru arre angleze nga Windsor Great Park, të dhuruar nga mbretëresha e atëhershme Elizabeth

Dy fronet e porositura në 2017 me rastin e 150 vjetorit të Kanadasë

Elizabeth II, nëna e Charles III, vdiq më 8 shtator 2022. Mbretërimi i saj prej 70 vitesh e 214 ditësh është më i gjati i çdo monarku britanik, i dyti më i gjati i çdo shteti sovran dhe më i gjati i ndonjë mbretëreshe në histori.