Pretendimi: Viruset nuk ekzistojnë, por janë krijuar nga industria farmaceutike.

Verdikti: E paprovuar

———————————————————

Konspiracionistët në rrjet po shpërndajnë pretendimin se “sëmundjet dhe viruset nuk ekzistojnë.” Sipas këtij pretendimi, këto janë krijime të industrisë farmaceutike për të shitur ilaçe.

Pretendime të tilla të jashtëzakonshme duhet, detyrimisht, të shoqërohen me prova të jashtëzakonshme. Postimet në rrjet nuk ofrojnë asnjë provë, aq më pak të jashtëzakonshme.

Viruset janë organizma mikroskopike që mund të infektojnë organizmat bartës. Ato mund të shumohen vetëm brenda qelizave të gjalla të një bartësi. 

Viruset gjenden pothuajse në çdo ekosistem në Tokë dhe besohet se janë entitetet biologjikë më të shumtë në planet. Mijëra prej tyre janë klasifikuar shkencërisht, por mendohet se ekzistojnë miliona specie virusesh.

Virusi Varicella, që shkakton linë e dhenve (imazh nga mikroskopi me elektrone)

Kjo, sepse, për shumicën e historisë, shkenca është përqendruar tek patogjenët, viruset që dëmtojnë njerëzit.

Rreth 300 milionë njerëz vdiqën në shekullin e XX si pasojë e sëmundjes së lisë, shkaktuar nga viruset Variola major dhe Variola minor. Epidemia e Gripit Spanjoll (virusi A/H1N1) që pushtoi botën në vitin 1918 vrau rreth 50 milionë njerëz.

Virologia Lynda Coughlin shpjegoi për Reuters se “ka shembuj të shumtë virusesh që njihen të shkaktojnë sëmundje tek njerëzit. Në të njëjtën mënyrë që mund të gjurmojmë ADN-në e mbetur në vendin e krimit, shkencëtarët mund të identifikojnë viruset që janë shkaku i sëmundjeve njerëzore duke i izoluar nga individët e infektuar, duke sekuencuar materialin e tyre gjenetik për t’i identifikuar, duke i vizualizuar drejtpërdrejt (me mikroskop elektronik) dhe duke vizualizuar në mënyrë indirekte efektet e tyre në qeliza, si dhe duke konfirmuar aftësinë e tyre për të shkaktuar sëmundje duke testuar viruse të izoluara dhe tek modelet e kafshëve.”

“Kombinimi i shumë teknikave më të fundit mund të na lejojë të gjurmojmë transmetimin e virusit tek njerëzit, për të identifikuar se cilat proteina virale janë të përfshira në hyrjen në qelizat tona ose në shkaktimin e simptomave të sëmundjes. Aftësia jonë për të kuptuar këto procese na lejon të krijojmë vaksina, të cilat mund të gjenerojnë një përgjigje imunitare për të bllokuar infeksionin dhe më pas për të parandaluar e sëmundjeve,” tha ajo.

Disa nga viruset më shkatërrimtare për njerëzimin përfshijnë linë, fruthin, poliomielitin, tërbimin dhe ethet e verdha.

Disa nga viruset kryesorë që shkaktojnë sëmundje tek njerëzit

Megjithatë, shumica e viruseve nuk janë patogjenë të njerëzve dhe shumë prej tyre luajnë rol kyç në ekosistem. Viruset që infektojnë bakteret shërbejnë si rregullatorë të popullsive bakteriale, sidomos në oqeane, duke lejuar planktonin oksigjen-prodhues të ketë majftueshëm ushqim për të kryer procesin e fotosintezës. Viruse të tjerë luajnë të njejtin rol të kontrollit të popullatës për specie të tjera.

‘Lufta’ miliarda-vjeçare mes viruseve dhe bartësve ka qenë dhe mbetet një nga forcat shtytëse të evolucionit. Sistemet imunitare të organizmave detyrojnë viruset të ndryshojnë për t’i shpëtuar sulmeve mbrojtëse të bartësve. Si kundërpërgjigje, sistemet imunitare evolojnë për të luftuar versionin e ri të virusit. Ky cikël përsëritet vazhdimisht. Organizmat dhe viruset ndryshojnë vazhdimisht për t’ju përshtatur kushteve. Ky quhet evolucion.

Më tej, duke qenë se janë vazhdimisht duke u shumuar dhe duke pësuar mutacione, viruset shërbejnë si depozita masive inovacioni gjenetik nga ku organizma të tjerë mund të tërheqin këtë informacion. Elementet virale përbëjnë rreth 8% të gjenomit njerëzor.

Evolucioni i placentës së gjitarëve është si rezultat, pjesërisht, i viruseve. Provat tregojnë se aftësia e njerëzve për të patur lindje të gjalla është pasojë e një pjese kodi gjenetik të marrë nga retroviruset e lashtë që kanë infektuar paraardhësit tanë mbi 130 milionë vjet më parë. 

Pra, nëse viruset nuk do të ekzistonin, nuk do të kishte as konspiracionistë që mohojnë pa asnjë provë ekzistencën e tyre në internet.