Pretendimi: Kjo video tregon një aksident mobilistik
Verdikti: E pavërtetë
—————————————————
Një video që është parë mbi 100 mijë herë në Facebook pretendohet se tregon një aksident automobilistik të shkaktuar “nga një gabim i vogël.”
Postimet në rrjete sociale nuk ofrojnë ndonjë detaj identifikues mbi skenën, si për shembull ku dhe kur ka ndodhur aksidenti i pretenduar.
Megjithatë, me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme me gjasa është gjeneruar me anë të videolojës BeamNG.Drive.
E publikuar për herë të parë në 2015, BeamNG.Drive përmban fizikë të trupave të butë për të simuluar manovrimin realist dhe dëmtimin e automjeteve. Ajo përdoret gjithashtu nga teknikët dhe prodhuesit e makinave për të mbledhur të dhëna fizike dhe për të modeluar skenarët e trafikut.
Video të panumërta në Youtube tregojnë aksidente të ndryshme të simuluar nga përdoruesit e lojës, grafikat e të cilave i përngjajnë videos së mësipërme.