Videoja “ekskluzive” që zhvendosi fokusin e medias nga votimi për Ballukun 

Takimi i Ramës me ambasadoren amerikane në Athinë, Kimberly Guilfoyle, u bë viral vetëm dy orë pas vendimit të PS për Ballukun

92

Vetëm dy orë pas vendimit të Kuvendit kundër kërkesës së SPAK, një video nga një takim i paqartë mes kryeministrit Rama dhe ambasadores amerikane në Athinë u shpërnda me shpejtësi në media, duke dominuar portalet dhe emisionet ‘prime time’. Analistët e shohin këtë si një manovër për të zhvendosur vëmendjen nga ngjarja kryesore.

Esmeralda Topi 

Vendimi i Kuvendit për të mos hequr imunitetin e Belinda Balluku ishte pa dyshim ngjarja kryesore politike e ditës së djeshme. Mazhoranca socialiste votoi kundër kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku. Vendimi shkaktoi reagime të menjëhershme nga ndërkombëtarët të cilët shprehën shqetësim për qëndrimin e shumicës parlamentare.

Por pa u bërë ende dy orë nga ky zhvillim, një tjetër temë nisi të pushtonte hapësirën mediatike.

Një video e servirur si “ekskluzive” e publikuar nga një televizion kombëtar shoqëruar me tekstin e një “vizite misterioze” në Kryeministri. Sipas materialit të transmetuar, në ambientet e godinës shihej të hynte Kimberly Guilfoyle, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Athinë, e cila pritej nga kryeministri Edi Rama.

Televizioni raportonte se pamjet ishin xhiruar rastësisht nga një telefon celular në zonën e parkut të Piramidës dhe kishin mbërritur në redaksinë e tij. Videoja tregonte momentin e takimit mes kryeministrit dhe diplomates amerikane.

Në tekstin shoqërues nënvizohej se vizita nuk ishte njoftuar zyrtarisht dhe se Kryeministria nuk kishte pranuar ta komentonte takimin. Po ashtu, as Ambasada Amerikane nuk kishte bërë ndonjë njoftim publik për këtë vizitë.

Pak më vonë, e njëjta video dhe pothuajse i njëjti tekst u shpërnda si “ekskluzivë” edhe në disa televizione të tjera. Brenda pak orësh, pamjet u bënë virale në portale dhe në rrjetet sociale. Në shumë media online fokusi nuk ishte më vetë takimi, por detajet dytësore.

 “Me mini-fund dhe taka të larta në zyrën e Ramës”, shkruanin disa portale, duke komentuar veshjen e ambasadores amerikane në pamjet e publikuara. “Veshja ‘e papërshtatshme’ e kryediplomates së SHBA-së në Athinë, i shkon Ramës në zyrë me minifund provokues”- shkruante një tjetër. 

Videoja mori hapësirë edhe në emisionet prime time televizive, ku megjithëse tema kryesore ishte votimi për Ballukun, një pjesë e mirë e diskutimit u përqendrua te takimi i paqartë dhe deri te komentet jo etike për veshjen e ambasadores. 

Në këtë mënyrë, një video e shkurtër nga një takim i paqartë për nga natyra dhe qëllimi u kthye brenda pak orësh në një nga temat më të diskutuara të ditës. Faktoje pyeti Agjencinë për Media dhe Informim pranë Kryeministrisë për qëllimin e takimit.
“Nuk kemi asnjë koment për këtë temë”, tha shkurt MIA për Faktoje.

Mirëpo disa sqarime i dha kryeministri Edi Rama në një konferencë për shtyp. I pyetur nga gazetarët, Rama tha se takimi me diplomaten amerikane përfshiu çështje me interes të lartë për rajonin.

“Për të diskutuar për disa çështje që janë çështje të interesit të lartë amerikan në këtë rajon, që kanë të bëjnë me energjinë, që kanë të bëjnë me bashkëpunimin rajonal dhe qasjen ndaj forcave të treta, aktorëve të tretë”, u shpreh Rama.

“Kini parasysh që ambasadorja e SHBA në Athinë është një përfaqësuese botërisht e njohur në politikën amerikane, drejtëpërdrejtë e rrethit të ngushtë vendimmarrës të Trump,” përfundoi ai. 

“Shmang vëmendjen”

Analistët ofrojnë interpretime të ndryshme mbi momentin dhe mënyrën se si videoja u bë pjesë e debatit publik. Nga perspektiva e studimeve të komunikimit, pedagogu Erlis Cela thekson se koha e publikimit të një informacioni luan një rol vendimtar në mënyrën se si strukturohet vëmendja e publikut brenda ciklit të lajmit. 

“Në teoritë e komunikimit theksohet se media dhe aktorët politikë ndikojnë jo vetëm për çfarë mendon publiku, por edhe se cilat tema bëhen dominante në një moment të caktuar. Kur një video apo informacion publikohet në një moment kur një zhvillim tjetër politik po dominon diskursin publik, ai shpesh funksionon si një mekanizëm për të zhvendosur fokusin e debatit,” shpjegon ai.

Cela thekson gjithashtu se ky fenomen mund të kuptohet përmes konceptit të media events, ku një ngjarje ndërpret rutinën e zakonshme të lajmeve dhe tërheq vëmendjen e publikut. 

“Edhe videoja e takimit të kryeministrit me ambasadoren amerikane, apo episode të ngjashme që shpërndahen në momente kritike, mund të krijojnë një ‘mini-event’, që tërheq interesin e mediave dhe të publikut. Momente të tilla ndikojnë në ndërtimin e asaj që në studimet e medias quhet ‘qendra e ndërmjetësuar’ e debatit publik, pra momentin kur media përcakton se cila çështje konsiderohet tema kryesore e ditës,” shpjegon ai.

Analistët e tjerë e shohin shpërndarjen e kësaj videoje si një mënyrë për të zhvendosur fokusin nga ngjarja kryesore politike e ditës. 

 “Video është lëshuar për të shmangur vëmendjen. Nuk ka lidhje me politikën; zonja ka ardhur privatisht, jo si ambasadore”,  thotë Neritan Sejamini për Faktoje.al. 

Ndërkohë, pedagogu i komunikimit politik Ermal Hasimja tregohet më i rezervuar për të komentuar vetë takimin, duke theksuar mungesën e informacionit zyrtar mbi rrethanat dhe qëllimin e tij.

“Nuk dihet ende asgjë e sigurt për takimin. Çdo koment do të ishte spekulim i pastër”, u shpreh Hasimja.

Megjithatë, sipas tij, në politikën shqiptare është një praktikë e njohur që aktorët politikë të kërkojnë të shfaqen pranë figurave ndërkombëtare, për shkak të nivelit të besueshmërisë që këto figura kanë në publik.

“Është e qartë që politika shqiptare gjuan foto e video me ndërkombëtarë sa herë i jepet rasti, madje edhe investon fuqimisht për to edhe përmes kompanive lobuese. Në kushtet kur besueshmëria e votuesve te partitë është shumë e ulët dhe ajo e ndërkombëtarëve shumë më e lartë, politikanët rreken ta asociojnë veten me burime të besueshme për të aluduar mbështetje”, shpjegon ai.

Pavarësisht interpretimeve të ndryshme, një fakt mbetet i qartë brenda pak orësh, fokusi i debatit publik u zhvendos nga votimi në Kuvend për kërkesën e SPAK te një video nga një takim diplomatik i veshur me mister. Në epokën e mediave sociale dhe të ciklit të shpejtë të lajmeve, shpesh jo vetëm ngjarja, por edhe momenti kur publikohen pamje apo informacione të reja, mund të ndikojë drejtpërdrejt në atë që do të dominojë diskutimin publik të ditës.